Kërko

Imzot Auza Imzot Auza 

Selia e Shenjtë: krimet kundër njerëzimit, për t’u kujtuar vetëm në faqet e historisë

Në sesionin e 74-t të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, fjalimi i mbajtur nga imzot Bernardito Auza u përqendrua mbi të drejtën ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit.

R. SH. - Vatikan

Është për t’u shqetësuar seriozisht, kur shikon se në botë vijon “dhuna politike, fetare dhe etnike”. Për shumë kënd, është reale dhe e pranishme  frika se “mund të rrihen, të vriten, të skllavërohen, të dhunohen, të internohen, të shiten e të blihen” për shkak  të përkatësisë politike, fetare, etnike. Këtë pohoi imzot Bernardito Auza, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së,  në fjalimin, mbajtur këto ditë në New York, në sesionin e 74-të të Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Duhen dënuar - pohoi Nunci - krimet kundër njerëzimit e duhen bërë përpjekje, në të gjitha nivelet, që këto krime të  mos përsëriten kurrë më, por të mbeten vetëm si kujtime të hidhura të së kaluarës, në faqet e historisë.

Migrantët e refugjatët

Selia e Shenjtë - shpjegoi imzot Auza - e mbështet punën për hartimin e një Konvente ndërkombëtare. Duke shqyrtuar tekstin e propozuar nga Komisioni i së drejtës ndërkombëtare, duhet pranuar me kënaqësi boca e nenit 5, që ka të bëjë me parimin e mosriatdhesimit. “Asnjë njeri - vërejti Nunci - nuk duhet riatdhesuar. Domethënë, nuk duhet rikthyer në një vend, ku mund të jetë viktimë e krimeve kundër njerëzimit”. Refugjatët dhe emigrantët, që ikin nga persekutimi - shtoi - “duhen dëgjuar, duhen mbrojtur, duhen ndihmuar e duhen integruar”.

Bashkëpunim ndërkombëtar

Nunci e shikon bashkëpunimin ndërkombëtar si përparësi për t’iu kundërvënë krimeve kundër njerëzimit. Sipas vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, janë dy çështjet, që duhen pasur parasysh  në hartimin e Konventës ndërkombëtare. Konventa e re - pohoi imzot Auza - duhet t’u krijojë të gjithë qytetarëve “mundësinë për të kërkuar drejtësi e për t’iu dëgjuar zëri në nivel ndërkombëtar”. Së dyti, konventa e ardhshme “duhet të parashikojë nevojën për t’i asistuar Shtetet me sisteme juridike të brishta”.

02 nëntor 2019, 16:36