Kërko

Vatican News
Rabini Abraham Skorka Rabini Abraham Skorka 

Rabini Skorka: antisemitizmi, plagë, që rrjedh akoma gjak

Në faqet e gazetës së sotme vatikanase “L’Osservatore Romano”, intervista e drejtorit Andrea Monda me rabinin Abraham Skorka, në vizitë në redaksinë e së përditshmes së Selisë së Shenjtë, në ditën e thirrjes së fuqishme të Papës kundër kthimit të antisemitizmit.

R.SH. - Vatikan

(Andra Monda)

Fjalët jashtë programit të shqiptuara nga Papa në audiencën e përgjithshme, e prekën në zemër rabinin Abraham Skorka, për vizitë në redaksinë e gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”. “Ky koment i papritur dhe i improvizuar i Papës ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe: pasqyron përkushtimin e tij të thellë për popullin hebraik. Janë fjalë, që më ngjallin emocione të mëdha dhe ndjenjën e mirënjohjes, ndërsa kujtoj edhe historinë e gjatë të keqkuptimeve ndërmjet Kishës dhe hebrenjve. Pas kaq vitesh, i njoh mendimet dhe ndjenjat e Papës dhe e di se ai shpesh flet dhe, siç do të thoshte vetë, shprehet me fjalë nga thellësitë e zemrës. Nuk është e re një ndërhyrje si kjo nga ana e tij, por gjithsesi, në këtë çast historik, merr një rëndësi shumë të madhe”.

Rabini ndalet tek aspekti aktual i ngjarjeve, duke theksuar shqetësimin e Papës për shenjat e kohëve të fundit, që flasin për rizgjimin e antisemitizmit. “Janë shenja shumë shqetësuese, mendoj për ç’po ndodh në Itali, por edhe në të gjithë botën, madje edhe në SHBA-të. Nëse kthehem pas në kujtesë, vërej se sa herë janë shfaqur shenja të tilla në të kaluarën, rezultati i këtyre sinjaleve ka qenë katastrofik, shkak për vuajtje të mëdha, jo vetëm për hebrenjtë, por edhe për popujt e tjerë”.

Pse ky rizgjim sot? Duke biseduar me rabinin Skorka, vjen menjëherë përgjigjja e parë: kriza ekonomike, ndjenja e frikës përhapur në gjithë shoqërinë bashkëkohore perëndimore. “Por ka edhe më. Antisemitizmi jeton që prej dymijë vitesh e, deri bota greke dhe romake kishin probleme me hebrenjtë. Në fakt, hebrenjtë gjithmonë janë parë si ‘fajtorë’. Edhe antisemitizmi nazist e mori këtë ide të ‘fajit’ të hebrenjve nga e kaluara. Ka një barcoletë, natyrisht hebraike (ne kemi zhvilluar një aftësi për të buzëqeshur edhe me tragjeditë më të mëdha), e cila tregon për një nazist, që, duke folur në publik, thotë se shkaku i të gjitha të këqijave të shoqërisë është prania e dy lloj njerëzish: hebrenjtë dhe çiklistët. E publiku reagon menjëherë: po çiklistët, ç’ne? Një barcoletë, që e jep qartë mekanizmin logjik të fajit të hebrenjve”.

Biseda vazhdon dhe ne të dy mendojmë se është e nevojshme të thellohemi, të gërmojmë në këtë plagë, që ende rrjedh gjak në zemrën e bashkëjetesës njerëzore.

 “Ka një reflektim, që vjen nga antropologjia dhe më duket bindës: në kohërat e lashta, njerëzit jetonin brenda sistemit dhe logjikës së turmës, së hordhisë. Shumë turma kundërshtare, që luftonin njëra-tjetrën. Nuk kishte individë, por turma. Kësaj gjendjeje iu përgjigj, duke e sfiduar me maturi, Bibla hebraike, historia e një Zoti, që e thërret njeriun në përgjegjësinë e tij personale. Do të lindte kështu, shoqëria e njerëzve, jo më e turmës. Por, lind edhe një antitezë që vazhdon akoma, deri në ditët tona, sa herë që ndjenja e turmës rifiton forcën e saj. Ky ka qenë nazizmi: një hordhi gjermane, me kontradiktën e qartë se kjo çoi në ndarjen dhe në persekutimin e hebrenjve, që, në të vërtetë, ishin plotësisht qytetarë besnikë gjermanë. Nuk ishte Gjermania që donte të lartohej, por ideja ‘e hordhisë’ së Gjermanisë”.

Pashmangshmërisht i hidhur, përfundimi ku arrijmë së bashku: sot, ndeshja bëhet ndërmjet dy ideologjive, asaj të shoqërisë së  konsumit, e cila shtyn drejt individualizmit ekstrem dhe ideologjisë së kundërt të hordhisë, jo të bashkësisë së njerëzve, që, në letër, dëshiron ta luftojë individualizmin, por është vetëm faqja tjetër e së njëjtës monedhë, prandaj përfundon duke shkelur lirinë dhe dinjitetin e individit, duke kërkuar gjithnjë një fajtor imagjinar, mbi të cilin të derdhë tensionin dhe urrejtjen shoqërore.

“Që këtej, rëndësia e jashtëzakonshme e fjalëve të Papës Françesku”, thekson me emocion rabini Skorka, duke rilexuar tekstin e katekezës, “e cila na kujton se të tjerët janë vëllezër e përndjekja e hebrenjve nuk është ‘as njerëzore, as kristiane’”.

13 nëntor 2019, 18:44