Kërko

Vatican News

Parolin: Papa në Tajlandë e Japoni, me Ungjillin e jetës e të paqes

Në një intervistë botuar nga L’Osservatore Romano dhe Vatican News, kardinali Parolin flet për shtegtimin e Papës Françesku në Tajlandë e Japoni. Temat, në qendër të kësaj vizite të re apostolike - shpjegon - do të jenë kumtimi i Ungjillit dhe dialogu ndërfetar, vëmendja ndaj njeriut dhe kujdesi për shtëpinë e përbashkët, paqen e çarmatimin.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku po niset për shtegtimin në Tajlandë e Japoni (19-26 nëntor). Është shtegtimi i 32-të ndërkombëtar. “Besoj se vizita ime do të kontribuojë për të vënë në dukje rëndësinë e dialogut ndërfetar”- nënvizoi dje në videomesazhin drejtuar popullit tajlandez. Për të vijuar, pastaj, me një qëndrim të fortë kundër imoralitetit të armëve bërthamore. Me Françeskun, në këtë shtegtim do të jetë, si zakonisht, edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili nënvizon, në këtë intervistë, karakterin misionar të vizitës në këto dy vende, ku prania katolike është  vetëm 05%.  Është hera e dytë që një Papë shkel në Tajlandë e Japoni. I pari ishte Shën Gjon Pali II, që vizitoi Tokion, në vitin 1981 e Bangkokun, në vitin 1984.

Hirësi, kanë kaluar shumë vjet nga vizita e Gjon Palit II e, natyrisht,  shumë gjëra kanë ndryshuar. Dy fjalë për vendin që do të gjejë Françesku?

“Mendoj se ndryshimet janë kryesisht ato, që kanë të bëjnë me globalizimin e përhapur në të gjithë Planetin, me shenjat e tij pozitive, por edhe me ato jo pozitive, për të mos thënë, negative. Sot praktikisht janë zhdukur distancat e progresi i mjeteve të komunikimit krijon mundësitë që secili prej nesh të jetë njëkohësisht spektator e protagonist edhe për ngjarje, që ndodhin në viset më të largëta. Por, në këtë kuadër, më duket e rëndësishme që Papa nuk mjaftohet me ndërmjetësimin e mjeteve të komunikimit, por dëshiron një takim të drejtpërdrejt, personal. Për këtë flasin 32 shtegtimet e Papës në vende të ndryshme të Botës, në kontinente të ndryshme, ku ka shkuar vetë, për ta njohur më nga afër realitetin e këtyre vendeve, duke parë me sytë e tij aspektet kryesore të jetës së tyre e duke u takuar personalisht me bashkësitë e krishtera, që jetojnë atje. Për t’i inkurajuar, për t’i gjallëruar, për t’i përforcuar në fenë e tyre e në dëshminë e tyre të krishterë. Në qendër të vëmendjes së Kishës e të Papës, mbetet gjithnjë njeriu, në çdo skutë e skaj, në çdo situatë, në çdo vend, në çdo kontinent. Është njeriu, që dëshiron të gjejë përgjigje me vlerë për jetën e vet. Njeriu, që kërkon të gjejë kuptimin e jetës. Prej këndej, vetëdija se Ungjilli duhet kumtuar  e me të, duhet kumtuar edhe jeta e vërtetë për çdo popull e për çdo njeri”.

“Dishepuj të Krishtit e dishepuj misionarë” – kjo motoja e etapës së parë, asaj të Tajlandës. Çka çon Papa në këtë vend?

“Besoj se Papa do të shkojë me shumë interes për Tajlandën, vend ku kumti i parë arriti nga misionarët jezuitë në gjysmën e shekullit XVI. E kështu mund të themi se do të ecë në gjurmët e këtyre misionarëve të mëdhenj, këtyre ungjillëzuesve të mëdhenj, që e kumtuan Ungjillin dhe e mbollën fenë në këto troje. Pastaj erdhën edhe françeskanët, domenikanët… Është Kishë, që vuajti shumë e pati nevojë për rithemelime të mëtejshme. Sot lulëzon: katolikët në Tajlandë janë 400 mijë, të ndarë në 11 qarqe kishtare. Prej këndej, Papa do të nënvizojë sidomos temën e shtegtimit në Tajlandë, që i fton të gjithë të jenë pikërisht “dishepuj misionarë”. Nuk është nevoja ta shpjegosh këtë binom, të cilin Françesku e ka thelluar në shumë raste, duke nisur nga Konferenca e Aparesidës, për të vijuar me “Evangelii Gaudium”. Po unë dëshiroj ta lidh këtë temë - temën e dishepullit misionar - me faktet më të freskëta, domethënë, me Muajin e jashtëzakonshëm misionar, të cilin sapo e jetuam e me Sinodin e posaçëm kushtuar Amazonës, për këta popuj. Thirrje e cila dëgjohet edhe në librin-intervistë, që na e dhuroi Papa, titulluar “Pa Atë nuk mund të bëjmë asgjë”, i cili i kushtohet i tëri misionit e ku ripohohen vazhdimisht këto koncepte: që protagonist në mision është Shpirti Shenjt e që misioni nuk është prozelitizëm. Besoj se shtegtimi në Tajlandë, pikërisht edhe në kontekst-  le ta quajmë pakicë katolike - synon të nënvizojë edhe një herë këtë përmasë të misionit të ungjillëzimit, që duhet të jetë krijues e duhet të bëhet gjithnjë më shumë kështu, në vetëdijen e çdo të pagëzuari, të mbarë Kishës”.

Françesku  do të shkojë edhe në Japoni, vend ku gërshetohen tmerret e bombës atomike e të katastrofës së Fukushimës, me një shoqëri të lulëzuar, në të cilën, sidoqoftë, nuk mungojnë as vështirësitë. Motoja është “Të mbrohet çdo jetë” e nga Papa pritet një thirrje e fortë për çarmatim…

“Papa, sipas përfytyrimit të tij për bariun, shpreson posaçërisht të jetë pranë njerëzve, që iu besuan, me të cilët duhet të ndajë të gjitha aspektet e jetës: gëzimet, pritjet, shpresat, por edhe trishtimet, vuajtjet, kundërshtitë… Besoj se Papa shkon me këtë ndjet. Shkon si bari,  që shoqëron e që, ngandonjë herë, siç thotë ai vetë, edhe “prin ose ndjek pas”, por sidomos, që e shoqëron grigjën e vet e që, përmes këtyre takimeve me Kishat e veçanta, përcjell mesazhe, me vlerë për mbarë botën e për gjithë Kishën: mesazhin e misionit, si element krijues i përvojës së krishterë, temën e Krijimit, që Papa e ka shumë për zemër - të mendojmë “Laudato si’ – temën e paqes, posaçërisht në një botë kaq të përçarë, kaq të copëzuar e kaq  të kapërthyer nga konfliktet!”.

19 nëntor 2019, 11:02