Kërko

Vatican News

Dita Botërore e të Varfërve: hapet pika shëndetësore në Shën Pjetër

Në vitin 2018, në pikën shëndetësore hapur në Sheshin e Shën Pjetrit, me rastin e Ditës Botërore të të Varfërve, u ofruan falas rreth tre mijë shërbime mjekësore. Një nismë, që përsëritet edhe këtë vit, nga e diela e kaluar e deri të dielën e ardhshme.

R.SH. - Vatikan

Është dora e shtrirë e Papës Françesku për të preferuarit e Zotit. Pika shëndetësore hapur gjatë gjithë kësaj jave në Sheshin e Shën Pjetrit, është një nga nismat e shumta, të planifikuara për Ditën e tretë Botërore të të Varfërve, që do të kulmojë me meshën e kremtuar nga Ati i Shenjtë, në Bazilikën e Vatikanit, të dielën e ardhshme, 17 nëntor.

Përkrah të varfërve

         Ashtu si në vitet e kaluara, çdo paradite garantohen analizat klinike, nga ora 8.00 deri në orën 12.00, ndërsa vizitat e specializuara, nga ora 9.00 deri më 20.00. Në Shesh shërbejnë falas kardiologë, diabetologë, okulistë dhe radiologë. “Një spital i vërtetë”: kështu e quajti kryetari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillizimit të Ri, imzot Rino Fisichella, gjatë paraqitjes së nismave për Ditën Botërore të të Varfërve. Vitin e kaluar, Papa Françesku e pati vizituar pikën shëndetësore, për habinë e të pranishmëve, duke falënderuar vullnetarët dhe duke përshëndetur të varfërit. Nisma, në të cilën marrin pjesë mjekë dhe vullnetarë nga e gjithë Italia, është edhe mundësi për të kuptuar “gjendjen shëndetësore” të bashkësisë lokale.

Shpresë, që nuk zhgënjen

         “Nganjëherë, mjafton pak për t’u rikthyer njerëzve shpresën: mjafton të ndalemi, të buzëqeshim, të dëgjojmë”. Kështu shkruan Papa Françesku në Mesazhin e tij për Ditën, me temë: “Shpresa e të varfërve nuk do të zhgënjehet kurrë”. “Për një ditë – vë në dukje Papa – t’i lëmë anash statistikat; të varfërit nuk janë numra për t’u përmendur që të mburremi me vepra e projekte. Të varfërit janë njerëz, që duhen takuar: janë të rinj dhe të moshuar të vetmuar, që duhen ftuar në shtëpi për t’u ulur në tryezë me ta; janë burra, gra dhe fëmijë, që presin një fjalë miqësore”.

Meshë dhe drekë me të varfërit

         Pas koncertit në Sallën Pali VI, “Me të varfërit, për të varfërit”, pasditen e së shtunës së kaluar, për Ditën e të Varfërve janë planifikuar edhe nisma të tjera. Të dielën paradite, mesha në Shën Pjetër, kremtuar nga Papa Françesku, i cili më pas do të drekojë në Sallën Nervi së bashku me 1.500 të varfër nga anë të ndryshme të Italisë dhe të Evropës.

12 nëntor 2019, 13:12