Cerca

Vatican News
Sinodi, kongregacioni i pestë i përgjithshëm Sinodi, kongregacioni i pestë i përgjithshëm  (Vatican Media)

#SinodoAmazonico. Propozime për një shërbim laik femëror

Vijojnë në Vatikan, punimet e Asamblesë së veçantë Panamazonike të Sinodit të Ipeshkvijve. Sot paradite, gjatë kongregacionit të pestë të përgjithshëm, ishin të pranishëm në sallë 174 etër sinodalë. Papa Françesku mungoi, për shkak të audiencës së përgjithshme.

R.SH. - Vatikan

Shëndeti i gjithanshëm i Amazonës ishte një nga shqetësimet e shprehura sot paradite në Sallën e Sinodit. Modeli i zhvillimit kapitalist që shfrytëzon natyrën, zjarret që po shkatërrojnë rajonin, korrupsioni, shpyllëzimi dhe kultivimi i paligjshëm, u theksua nga etërit sinodalë, kërcënojnë si shëndetin e njerëzve, ashtu edhe atë të territorit dhe të gjithë planetit.

Një Observator ndërkombëtar kishtar për indigjenët

         Në Amazonë ka popullsi, që izolohen vullnetarisht, për të cilat Kisha kërkoi themelimin e një Observatori ndërkombëtar kishtar, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e njeriut dhe t’u jepet përgjigje nevojave të këtyre bashkësive. U vu në dukje se aty ku Kisha Katolike nuk është e pranishme, boshllëku i krijuar mbushet nga neopentekostalët. Në Sallë, u kërkua që katolikët të hyjnë në dialog me këto popullsi, pa u imponuar kulturën e tyre. Shërbimi kishtar duhet t’u përgjigjet nevojave të indigjenëve.

Shërbim laik femëror për ungjillëzimin

         Përsëri u diskutua mbi çështjen e shugurimit të mundshëm të burrave të martuar, me familje të qëndrueshme, por edhe mbi kërkesën e seminaristëve për një formim më të thellë, për të mjekuar plagët e shkaktuara nga i ashtuquajturi “revolucion seksual”, duke rizbuluar vlerën e celibatit. Njëkohësisht, u fol për dhunën kundër grave dhe u hodh ideja e themelimit të një shërbimi laik femëror për ungjillëzimin e popullsive.

Teologjia indios

         Përveç çështjeve, që kanë të bëjnë me ambientin, shfrytëzimin minerar dhe emigracionin, të cilat u rrahën gjerësisht edhe sot, u diskutua edhe mbi teologjinë indios, duke iu referuar thirrjes së Papës Françesku për një Kishë me fytyrë indigjene, në gjendje të interpretojë elementet themelore të universit katolik sipas kulturës së indiosve. U nënvizua edhe vlera e mjekësisë tradicionale dhe u propozua krijimi i rezervave më të mëdha natyrore, për të ruajtur biolarminë dhe pluralitetin e kulturave amazonike. Nga kongregacioni i pestë i paradites së sotme iu lartua Zotit një lutje e fuqishme për gjendjen aktuale në Ekuador, ku, që nga e enjtja e kaluar, po zhvillohen protesta të mëdha kundër masave të ashpra të qeverisë për të dalë nga kriza ekonomike.

09 tetor 2019, 16:30