Cerca

Vatican News
Amazona Amazona 

#SinodoAmazonico: kundër mungesës së meshtarëve, të lutemi për thirrjet

Don Bernardo Estrada, bashkëpunëtor ekspert i Sekretarit të posaçëm të Sinodit: Eukaristia nuk është një e drejtë, por një dhuratë. Nëse ka bashkësi të mrekullueshme të krishtera në Amazonë, kjo ndodh falë misionarëve, që në të kaluarën, kanë ditur si ta ndërthurin Ungjillin me kulturën lokale.

R.SH. - Vatikan

Përvijimi i një paradigme të re ungjillëzimi është një nga temat më të diskutuara në Sinodin e veçantë të Ipeshkvijve kushtuar Amazonës, që edhe sot, vijoi në Vatikan, me reflektimet në grupet e vogla. Shumë etër sinodalë kanë theksuar nevojën për t’u distancuar nga gabimet e bëra nga Kisha në të kaluarën si: imponimi i Ungjillit, pa marrë parasysh shpirtin dhe kulturën e popujve indigjenë, duke pretenduar të afirmonte vetëm të vërtetën e vet. Gabim, që iu shtua kolonializmit grabitqar, i cili shfrytëzonte pasuritë e pakufishme të rajonit panamazonik. Don Bernardo Estrada, bashkëpunëtor ekspert i Sekretarit të posaçëm të Sinodit dhe profesor i Besëlidhjes së Re në Universitetin Papnor të Shën Kryqit, e inkuadron çështjen, duke u nisur nga një ide themelore, të cilën e ka fort për zemër: “Ungjilli mund të inkulturohet në çdo grup shoqëror të botës. Përndryshe, do të thotë të mohosh mundësinë e një shëlbimi universal, ose të pohosh se mesazhi i Krishtit nuk mund të arrijë, veçse tek një lloj i caktuar njerëzish. Kjo s’është e vërtetë”. Por të dëgjojmë intervistën me don Bernardo Estradën:

Ka nga ata, që flasin për gabimet e Kishës në procesin e ungjillëzimit…

         Është e vërtetë që në territorin e Amazonës u përdorën metoda jo shumë të përshtatshme. Por, duhet ta pranojmë se mrekullia e bashkësive të krishtera të pranishme atje, i detyrohet aftësisë për t’u integruar me kulturat vendase, pa pasur frikë për të kumtuar të vërtetat e Ungjillit.

A nuk ka rrezik për sinkretizëm?

         Ka rrezik, pa dyshim. Ka pasur propozime, sipas të cilave duhej ta braktisnim gjuhën tonë dhe të bënim gjithçka në gjuhën e indigjenëve. Sigurisht, kjo është një nga mundësitë, por të mos harrojmë se njohja e një gjuhe tjetër është pasurim kulturor. Ne kemi vlera për të ofruar dhe nuk duhet të heqim dorë prej tyre, për shkak të gjuhës. Në liturgji mund të ndërthurim disa aspekte të indigjenëve, por gjithmonë duhet pasur parasysh se Jezu Krishti është ndërmjetësi dhe shpëtimtari i vetëm i njerëzve.

Sinodi po diskuton për mungesën e meshtarëve, të cilët janë tepër pak për t’u shërbyer bashkësive të shumta, të shpërndara në territorin e gjerë të Amazonës. Disa nga këto bashkësi e marrin Eukaristinë vetëm një herë në vit. Shugurimi i “viri probati”, pra, i burrave të martuar, në një moshë të caktuar, që mund të kremtojnë meshën, propozohet nga disa etër sinodalë si një nga zgjidhjet e mundshme për të plotësuar atë, që ata e konsiderojnë të drejtë sakramentore...

         Askush prej nesh nuk ka të drejtën e Eukaristisë. S’ka dyshim që sakramenti i bashkimit me Zotin është dhuratë dashurie, sepse është dhuratë e Jezu Krishtit. Ne nuk e meritojmë atë, prandaj Kisha na ndihmon dhe na fton të përgatitemi mirë, që të jemi të denjë për të marrë Kungimin. Në Sinod, ndonjë ipeshkëv tha se ne duhet ta japim Eukaristinë, por nuk mund t’ua japim njerëzve të papërgatitur shpirtërisht për të. Prandaj, nuk mund ta mendojmë si “e drejtë”. Sot, flasim shumë për të drejta, që nuk mund t’i përkufizojmë si të tilla. Pretendohet të gëzojmë disa gjëra, që nuk bëjnë pjesë në “listën e të drejtave”.

Por, në Amazonë vazhdojnë të mungojnë mbarështuesit e Eukaristisë…

         Është e vërtetë. Këto ditë po flasim për shërbime alternative. S’mund të mohohet se në Sinod ka një prirje të fuqishme në favor të shugurimit të “viri probati”, por shumë nga pjesëmarrësit e kuptojnë se ky do të ishte vetëm një aspekt i vogël i problemit dhe jo zgjidhja e tij. Unë mendoj se formimi i veprimtarëve baritorë, formimi i njerëzve si mbarështues të Fjalës, si mbarështues të jashtëzakonshëm të Eukaristisë, gjë që po ndodh tashmë në shumë rajone të Amazonës, ka zgjidhur jo pak probleme. Por si gjithmonë, çështja kryesore janë thirrjet për t’ia kushtuar jetën Zotit, për të cilat duhet të lutemi të gjithë.

11 tetor 2019, 12:44