Kërko

Vatican News
Ipeshkvi i Gozos, imzot Mario Grech Ipeshkvi i Gozos, imzot Mario Grech 

Maltezi Grech do të jetë pasardhësi i Baldisseri-t në Sekretarinë e Sinodit

Papa emëron ipeshkvin e Gozos, Pro-Sekretar të Përgjithshëm. Njoftimi u dha nga kardinali Baldisseri në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, në prag të fillimit të asamblesë së fundit sinodale, drejtuar prej tij. Pasardhësi do të fillojë punë pas një periudhe prove e mësimi.

R.SH. - Vatikan

Mario Grech, ipeshkëv i Gozos, në ishullin e Maltës, është emëruar Pro-Sekretar i Sinodit të Ipeshkvijve dhe është i destinuar të jetë pasardhësi i kardinalit Lorenzo Baldisseri. Vetë kardinali e dha këtë njoftim në mesditën e djeshme, 2 tetor 2019, disa ditë para fillimit të Sinodit për Rajonin Panamazonik. “Në emër të Atit të Shenjtë - deklaroi Baldisseri - kam nderin të komunikoj sa vijon: në datën e sotme, Papa emëroi Pro-Sekretar të Përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve” imzot Mario Grech, ipeshkëv i Gozos. Kardinali shpjegoi se Papa e caktoi Grech administrator apostolik të dioqezës së vet, derisa të emërohet një ipeshkëv i ri.

         “Pro-Sekretari i Përgjithshëm, pasi të marrë detyrën - shtoi Baldisseri - do të punojë së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, për t’u njohur drejtpërdrejt me institucionin dhe anëtarët e tij, duke u vetëdijësuar për proceset dhe për kompetencat”. Kjo, derisa vetë Baldisseri të dalë në pension, në shtator 2020, në moshën 80-vjeçare. Kardinali e përfundoi deklaratën, duke njoftuar se në cilësinë e tij si Pro-Sekretar i Përgjithshëm, imzot Grech “do të marrë pjesë si anëtar në Asamblenë e Sinodit të ardhshëm, që do të fillojë më 6 tetor”.

         Lindur më 20 shkurt 1957 në Qala, Grech u shugurua meshtar më 1984 dhe u emërua ipeshkëv i Gozos në nëntor 2005 nga Benedikti XVI. Ishull i vogël në Detin Mesdhe, Gozo është pjesë e Republikës së Maltës. Ka një sipërfaqe prej 67 kilometrash katrorë dhe një popullsi prej rreth 32 mijë banorësh. Dioqeza është një nga më të voglat e Kishës Katolike, por edhe nga ato që ka një numër të lartë meshtarësh në krahasim me popullsinë.

Edhe për shkak të pozitës gjeografike të dioqezës së tij, imzot Grech ka folur disa herë për dramën e migrantëve. Janarin e kaluar, ai pat thënë në Radio Vatikan-Vatican News: “Festuam 70-vjetorin e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, por pyes: ku janë këto të drejta? Pse shoqëria është kaq e pandjeshme në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut? E kuptoj që çështja e migrantëve është e ndërlikuar, duhet ndjekur dhe interpretuar me shumë qetësi, me shumë kujdes, por edhe me shumë përgjegjësi. Ne nuk mund t’i themi ‘ndal’ jetës njerëzore”.

03 tetor 2019, 09:10