Cerca

Vatican News
“Të pagëzuar dhe të dërguar” tema e muajit të jashtëzakonshëm misionar tetor 2019 “Të pagëzuar dhe të dërguar” tema e muajit të jashtëzakonshëm misionar tetor 2019 

Papa: të dielën më 20 tetor në Shën Pjetër kremton Meshën në Ditën misionare

Më 20 tetor të ardhshëm, të Dielën XXIX gjatë kohës së zakonshme sipas kalendarit kishtar, në ora 10.30 në tremen e Bazilikës së Vatikanit, Papa Françesku do të kremtojë Meshën me rastin e Ditës Botërore Misionare. Njoftimin e jep zyra e Kremtimeve liturgjike papnore. Kujtojmë se Tetori 2019 është muaj i jashtëzakonshëm misionar me temen "Të pagëzuar dhe të dërguar”".

R.SH. - Vatikan

Më 20 tetor të ardhshëm, të Dielën XXIX gjatë kohës së zakonshme sipas kalendarit kishtar, në ora 10.30 në tremen e Bazilikës së Vatikanit, Papa Françesku do të kremtojë Meshën me rastin e Ditës Botërore Misionare. Njoftimin e jep zyra e Kremtimeve liturgjike papnore. Kujtojmë se Tetori 2019 është muaj i jashtëzakonshëm misionar.

Muaji i jashtëzakonshëm Misionar i këtij tetori, shpallur nga Papa Françesku, që ka si temë  “Të pagëzuar dhe të dërguar”, po kremtohet nga Kisha katolike në mbarë botën, në mënyrë që të krishterët të jenë më të vetëdijshëm për misionin e tyre në botë. Në Asamblenë e përgjithshme të Veprave Papnore Misionare (Pom), më 2 qershorin e vitit të kaluar, pikërisht në seancën kushtuar Tetorit Misionar 2019, u kujtuan etapat themelore, që karakterizojnë veprimtarinë misionare. Tetori 2019 ka si synim ta ndihmojë gjithë popullin e Zotit të përtërijë vetëdijen e përgjegjësisë, që buron nga Sakramenti i Pagëzimit, lidhur me misionin e Kishës për ungjillëzimin e mbarë botës.

Katër përmasat, që ta karakterizojnë Muajin Misionar të Jashtëzakonshëm, janë ato, që Papa Françesku i kujtoi  gjatë fjalimit të tij, mbajtur më 3 qershor 2017 në takimin me Drejtorët Kombëtarë të Pom. Përmasa e parë, takimi personal me Jezu Krishtin e gjallë, në Kishën e tij: Eukaristia, Fjala e Zotit, lutja personale e komunitare. Përmasa e dytë, dëshmia e shenjtorëve dhe e martirëve të misionit (të shenjtëruar ose jo). Përmasa e tretë, formimi biblik, katekistik, shpirtëror e teologjik për mision. Së fundi, përmasa e katërt: bamirësia misionare si angazhim i të gjithëve për të mbështetur “koston” e kumtimit ungjillor dhe të formimit në fe e në mision, posaçërisht në Kishat më nevojtare.

Ati i Shenjtë Bergoglio u kërkon të gjithë besimtarëve “ta kenë vërtet për zemër kumtimin e Ungjillit dhe kthimin e bashkësive të tyre në realitete misionare dhe ungjillëzuese”, që “të rritet dashuria për misionin, e cila është pasion për Jezusin, por, njëkohësisht, është edhe pasion për popullin e Tij”, siç thoshte shën Gjon Pali II.

Papa Françesku kujton se më 30 nëntor 2019, do të kremtohet 100-vjetori i Letrës Apostolike “Maximum illud”, me të cilën Benedikti XV dëshironte t’i jepte hov të ri përgjegjësisë misionare për shpalljen e Ungjillit. Ishte viti 1919: në përfundim të konfliktit të tmerrshëm të Luftës I Botërore, që ai vetë e quajti “masakër e kotë”, Papa ndjeu nevojën ta rigjallëronte misionin e përhapjes së Ungjillit në botë, duke e spastruar nga çdo lloj kolonializmi e duke këshilluar largimin nga çdo synim nacionalist e ekspansionist, që pati shkaktuar probleme të rënda.

Kisha është universale, pra nuk është aspak e huaj për çdo popull”, pati shkruar Papa, ndërsa këshillonte edhe largimin nga çdo formë interesi, sepse vetëm kumtimi dhe dashuria e Zotit tonë Jezu Krisht, përhapur me shenjtërimin e jetës dhe me vepra të mira, janë arsyet e misionit. Papa i nderit Benedikti XV i dha kështu hov të ri misionit, duke rizgjuar vetëdijen për detyrën e çdo të krishteri në përhapjen e Ungjillit.

Sipas Papës Françesku “Misioni është në zemër  dhe zemra e Kishës”, prandaj edhe i nxit të gjithë ta jetojnë me gëzim misionin, duke e dëshmuar Ungjillin në ambientet ku jetojnë e punojnë. Njëkohësisht, na kujton Papa Bergoglio se, jemi të thirrur t’i mbështesim me dashuri, me ndihmë konkrete e me lutje, misionarët e nisur për t’u kumtuar Krishtin atyre, që akoma nuk e njohin. 

10 tetor 2019, 14:09