Kërko

Vatican News
Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, al-Tayyib Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, al-Tayyib  (ANSA)

Rabini M. Bruce Lustig, anëtari i ri i Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor

Komiteti i Lartë, i ngritur për zbatimin e Deklaratës së Vëllazërimit Njerëzor, nënshkruar nga Papa dhe nga Imami i Madh i Al Azharit, në Abu Dabi, njofton se ka një anëtar të ri. Ai është rabini M. Bruce Lustig nga Kongregacioni hebraik i Uashingtonit

R.SH. - Vatikan

E patën thënë në mbledhjen e parë të Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, në Vatikan, në praninë e Papës Françesku, se do të ftoheshin edhe anëtarë nga fe të tjera, për ta kthyer kështu Komitetin në një shprehje më të vërtetë të besimeve fetare në botë. Sot, pikërisht Komiteti, i ngritur për zbatimin e Deklaratës së Vëllazërimit Njerëzor, nënshkruar nga Papa dhe nga Imami i Madh i Al Azharit, në Abu Dabi, njofton se ka një anëtar të ri. Ai është rabini M. Bruce Lustig nga Kongregacioni hebraik i Uashingtonit, i cili, sapo u përfshi në Komitet, falenderoi Atin e Shenjtë dhe Imamin al-Tayyib për mbështetjen, që i kanë dhënë punës së vetë Komitetit, si edhe për përpjekjet e sinqerta që të realizohen objektivat e Dokumentit të Abu Dabit.

         “Shpresoj – tha ai ndër të tjera – që Deklarata të jetë kthesa, e cila u jep mundësi të reja krerëve dhe bashkësive fetare për të ndërtuar ura e për të promovuar paqen e harmoninë, në botën tonë të plagosur… Ndihem i nderuar që bashkohem me njerëz kaq të vlefshëm, të cilët punojnë për të mbrojtur dashurinë, kundër urrejtjes; drejtësinë kundër padrejtësisë dhe fenë kundër frikës”.

         Anëtarësimi i rabinit u përshëndet nga kryetari i Komitetit të Lartë, Miguel Angel Ayuso Guixot, që do të krijohet kardinal nga Papa në koncistorin e 5 tetorit. Ai shtoi se Komiteti po takon liderë të rëndësishëm për të koordinuar nismat dhe projektet, që do të realizojë.

         Rabini M. Bruce Lustig është një nga më të nderuarit e Kongregacionit hebraik të Uashingtonit, ku ai shërbeu për më se 25 vite, duke udhëhequr mbi 2.800 tubime familjare e duke kryer detyra të ndryshme drejtuese në bashkësitë hebraike lokale dhe ndërkombëtare. Është aktivist i impenjuar në fushën shoqërore dhe organizoi Takimin e parë abrahamik, që bashkoi të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ky Takim çoi në krijimin e tryezës së parë abrahamike, ku merrnin pjesë ipeshkvi i krishterë John Chane (i Kishës Episkopale), profesori mysliman Akbar Ahmed dhe vetë rabini M. Bruce Lustig. Ata u bënë një treshe, që fliste shpesh në favor të paqes dhe të dialogut ndërfetar në Shtetet e Bashkuara. Revista amerikane “Newsweek” e konsideron Lustig si “një nga rabinët me më tepër ndikim në Amerikë”. Gjithashtu, ai ka marrë edhe një medalje nderi nga mbreti i Marokut, Mohamed VI, për kontributin në bashkëpunimin ndërfetar.

18 shtator 2019, 14:49