Kërko

Riunione cardinali consiglieri Riunione cardinali consiglieri 

Filloi mbledhja e re e Këshillit të Kardinajve

Në mbledhjen e fundit, në qershor, u diskutua mbi Kushteturën e re Apostolike të Kuries Romake.

R.SH. - Vatikan

Filloi sot paradite, në Vatikan, në praninë e Papës Françesku, Takimi i 31-të i Këshillit të Kardinajve, që do të vijojë deri të enjten, 19 shtator.

Në mbledhjen e fundit, Kushtetuta Apostolike për Kurien Romake

         Në qendër të mbledhjes së fundit, mbajtur nga 25 deri më 27 qershor, u diskutua mbi Kushtetutën e re Apostolike të Kuries Romake, titulli i përkohshëm i së cilës është “Praedicate evangelium” (Predikoni Ungjillin), siç u tha gjatë një konference në Sallën e Shtypit të Vatikanit, nga sekretari i Këshillit të Kardinajve, imzot Marcello Semeraro. Dokumenti i rëndësishëm papnor duhet të zëvendësojë Kushtetutën aktuale Apostolike “Pastor Bonus” të Shën Gjon Palit II, në fuqi që nga 28 qershori 1988. Kthesa misionare, dëshiruar fort nga Papa Françesku dhe pasqyruar tashmë në enciklikën “Evangelii Gaudium” - pati shpjeguar në qershor, imzot Semeraro – shihet qartë në projektin e tekstit, ku tingëllon ajo “shkoni e predikoni në të gjithë botën”, frazë e Ungjillit sipas Markut, që sot më shumë se kurrë, duhet interpretuar në kuadrin e shndërrimeve të vazhdueshme, të cilat duhet t’i marrë parasysh kumtimi i Lajmit të Mirë.

Prelati pati nënvizuar edhe veprimtarinë intensive të këshillimit dhe të dëgjimit për Kushtetutën e re, e cila do të pasohet nga hartimi i tekstit përfundimtar, që do t’i paraqitet Atit të Shenjtë për miratim. Pothuajse të gjitha Dikasteret e Kuries Romake - shpjegoi atëherë imzot Semeraro – kanë dhënë një përgjigje fillestare, bashkë me sugjerimet dhe kontributet e mirëpritura nga Këshilli. Projektkushtetuta iu dërgua edhe kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore kombëtare, Sinodit të Kishave Lindore, nuncëve apostolikë, Konferencave të Eprorëve Rregulltarë dhe disa Universiteteve Papnore, që vazhdojnë të dërgojnë përgjigjet e tyre.

Objektivat dhe përbërja e Këshillit të Kardinajve

Françesku e themeloi Këshillin e Kardinajve me Kirografin e 28 Shtatorit 2013, me qëllimin kryesor për t’u këshilluar me të në qeverisjen e Kishës universale dhe me detyrën e studimit të një projekti për një Kushtetutë të re Apostolike të Kuries. Takimi i parë u mbajt nga 1 deri më 3 tetor 2013. Aktualisht, Këshilli është i përbërë nga gjashtë kardinaj: koordinatori, kard. Óscar Andrés Rodríguez Maradiaga, kryeipeshkëv i Tegucigalpas, kard. Giuseppe Bertello, president i Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit, kard. Osëald Gracias, kryeipeshkëv metropolit i Bombejit, kard. Reinhard Marx, kryeipeshkëv metropolit i Mynihut dhe Frizingës, kard. Sean Patrick O'Malley, kryeipeshkëv i Bostonit, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kard. Pietro Parolin. Po ashtu të pranishëm në Këshill janë edhe imzot Marcello Semeraro, ipeshkëv i Albanos, sekretar, si edhe imzot Marco Mellino, ipeshkëv titullar i Cresima-s, ndihmës sekretar.

17 shtator 2019, 15:50