Kërko

Papa Françesku në Ground Zero Papa Françesku në Ground Zero 

11 shtatori 2001, "dita e errët e historisë sё njerëzimit"

Kështu, Gjon Pali II, tё nesërmen pas kësaj tragjedie, e kujtonte 11 shtatorin. Kanë kaluar 18 vjet nga dita që e ndryshoi përgjithmonë historinë e Shteteve të Bashkuara tё Amerikës dhe të mbarë botës. Ishte 11 shtatori 2001 kur avionë amerikanë, të rrëmbyer nga terroristë islamikë, goditën tokën amerikane, duke shkaktuar me mijëra të vdekur.

R.SH. - Vatikan

Amerika përkujton viktimat e atentateve terroriste islamike  të 11 shtatorit 2001. Si çdo vit, në Gound Zero, pas sulmeve terroriste kundër ''World Trade Center'' (WTC), emrat e 2752 viktimave përmenden një nga një, gjatë ceremonisë përkujtimore që organizohet në vendin ku ngriheshin rrokaqiejt binjakë prej 170 katesh në Nju Jork, ku tani është ndërtuar monumenti kushtuar pikërisht atyre, që humben jetën në ato sulme tragjike të terrorizmit islamik.

Ajo e martë shtatori, në pak minuta, u shndërrua në njё  nga sulmet më të tmerrshme terroriste në historinë e SHBA-ve. Ishte ora 8.46 (lokale) kur American Airlines Flight 11 ndeshet me Kullën Veriore të World Trade Center, në zemër të Nju Jorkut, duke shkaktuar një shpërthim tё tmerrshёm zjarri. Menjëherë pas, një aeroplan tjetër godet Kullën e Jugut. Policia dhe zjarrfikësit përpiqen të evakuojnë dy ndërtesat. Operacionet, megjithatë, nuk janë të thjeshta. Kulla e Jugut shembet: një re pluhuri e pushton qiellin e Nju Jorkut, duke mbuluar gjithçka dhe të gjithë. Pas pak, edhe kulla e dytë bie. Pastaj rrëzimi i avionit American Airlines 77 në Pentagon, seli e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve dhe sulmi i katërt, që dështoi falë revoltës sё 93 pasagjerëve të United Airlines.

Afërsia e Gjon Palit II

Miliona njerëz ishin përqendruar para TV dhe shikonin drejtpërsëdrejti ç'po ndodhte. Tё shtangur, nuk mund t’u besonin syve. Zjarrfikësit, forcat e rendit, punonjësit e mbrojtjes civile ishin të mbuluar me pluhur, gjatё përpjekjeve për tё shpëtuar sa më shumë njerëz. Struktura të shkatërruara, sirenat që shponin heshtjen surreale, pastaj klithmat dhe kollitjet e burrave e grave.

Imazhet përshkuan botën, mbërritën edhe në Vatikan para syve tё Gjon Palit II, i cili njё ditë pas, gjatë audiencës sё përgjithshme, do të kërkonte të mos duartrokitej për të krijuar një atmosferë njerëzore e shpirtërore kujtese dhe lutjeje për të gjitha viktimat e asaj dite, të cilёn e përcaktoi si "një ditë të errët në historinë e njerëzimit, një goditje tё tmerrshme kundёr dinjitetit njerëzor". Megjithë vuajtjet dhe dhimbjen për humbjen e jetës sё njerëzve, Shenjti i ardhshëm – Papa Wojtila deshi t'u kujtonte të gjithëve se "megjithëse forca e errësirës duket se mbizotëron, besimtari e di se e keqja dhe vdekja nuk e kanë fjalën e fundit".

Kryqi në mesin e pluhurit: shenjë shprese

Ndër pamjet që kalonin në ekranet e të gjithë botës, ishte edhe ajo  e një kryqi. Gjatë operacioneve të ndihmës sё shpejtë, në një pikë të caktuar, në mesin e pluhurit e tё rrënojave, zjarrfikësit panë t'u lartohej para syve një kryq. Përbëhej prej dy trarëve metalikë të strukturës së World Trade Center.

Nën shenjën e kryqit do të mblidheshin shumë njerëz të feve të ndryshme, duke e kthyer Kryqin e Ground Zero-s në simbol ngushëllimi për të gjithë ata, që kishin humbur të dashurit. Sot, 18 vjet pas asaj dite, ai kryq ruhet në National September 11 Memorial & Museum, një hapësirë e realizuar për t’u bërë homazhe të gjithë personave, që e humbën jetën në sulmet terroriste të 2001-shit.

Kujtimi dhe vizita e Benediktit XVI

Memoriali i 11 shtatorit është vend, që përfaqëson mbijetesën, rilindjen dhe kujtesën. Në vendin ku ngriheshin Kullat Binjake, sot ekzistojnë dy vaska të mëdha, në anët e të cilave janë gdhendur emrat e të gjitha viktimave. Vaskat simbolizojnë humbjen e jetës sё njerëzve dhe zbrazëtirën fizike, lënë nga sulmet terroriste. Papa Benedikti XVI e vizitoi kёtё vend i pari, 7 vjet pas asaj dite të tmerrshme. Papa Ratzinger vendosi të mos mbante fjalim. Pas takimit me të afërmit e viktimave dhe personat, qё i ndihmuan, Ati i Shenjtё u ndal në lutje, duke i kërkuar Zotit të na japë "urtinë dhe guximin për të punuar pa u lodhur për një botë, në të cilën paqja dhe dashuria e vërtetë të mbretërojë ndёrmjet kombeve dhe në zemrat e të gjithëve".

Kujtimi i Papës Françesku

Pas Benediktit XVI, në vitin 2015, ai vend simbolik vizitohet nga Papa Françesku. Ati i Shenjtë, duke u lutur bashkë me 12 krerë fetarë, pasi takoi familjet e viktimave, u kujtoi të gjithëve se "ky vend i vdekjes shndërrohet edhe në vend jete, të jetëve të shpëtuara, është këngë që na bën të pohojmë se jeta është gjithmonë e destinuar të triumfojë mbi profetët e shkatërrimit, mbi vdekjen, se e mira do të mbizotërojë gjithnjë mbi të keqen, se pajtimi dhe uniteti do të fitojnë mbi urrejtjen dhe përçarjen", sepse "pavarësisht nga dallimet dhe mospërputhjet, është e mundur të jetohet në një botë paqeje".

Në Graund Zirou ende sot shohim pasojat e urrejtjes së ditëve tona. E pikërisht këtu, njerёz nga mbarё bota gjunjëzohen a ndalen nё heshtje për t’u lutur Zotit, për shёrimin e plagёve tё shkaktuara nga urrejtja e pёr rrezatimin e dritës sё qytetërimit vёllazёror, që njerёzimi të mund të shpresojmë përsëri e përsëri edhe përballë simbolin tё Graund Zirou.

Me lutjen e tij në prill 2008, Papa Benedikti XVI i ftoi të gjithë të kujtojnë se këtu, vërtetë u përjetua përvoja e urrejtjes dhe e dhimbjes, por jo më pak, e pikërisht në çastin e tragjedisë, edhe përvoja e solidaritetit dhe e dashurisë, sepse shumë njerëz dhanë jetën e tyre, për të shpëtuar të tjera jetë. Ky është një mesazh që vijon e që duhet të bëhet gjithnjë më i fuqishëm, në mënyrë që të shkohet përpara, me dëshirën për të ndërtuar së bashku një shoqëri më të mirë, duke ia prerë rrënjët urrejtjes e terrorizmit e duke u ngritur përsëri në këmbë, edhe pas goditjeve të tilla. Kështu mund të themi se edhe ky është një mesazh i madh, jo vetëm për popullin e Amerikës, po edhe për të gjithë njerëzimin. Ky është mesazhi për bazën e respektit e të dinjitetit të njeriut, për të ecur përpara në rrugën e pajtimit të popujve e kombeve, kështu edhe Graund Zirou është vend kujtese, po edhe vend lutjeje, në heshtje, përballë shfaqjes të së keqes, me dëshirën për të shikuar e shkuar përpara me shpresë e përgjegjësi të plotë.

Në prill 2008, në Ground Zero, Benedikti XVI i drejtoi Zotit këtë lutje që u lartua nën Kryqin e besimit e të shpresës, pikërisht në atë vend ku më 11 shtatorin e vitit 2001 ndokush pati bërë pyetjen tepër të vështirë “Ku ishte Zoti?”.

Lutja
O Hyj i dashurisë, i mëshirës e i pajtimit,
drejtoi sytë e Tu mbi ne, popull i feve e i traditave të ndryshme, mbledhur sot në këtë log, skenë e dhunës dhe e dhimbjes së pabesueshme.
Të lutemi që, me mirësinë Tënde Hyjnore,
t’u japësh pushimin e pasosur e dritën e pambaruar
të gjithë atyre që vdiqën në këtë vend;
të parëve, që vrapuan të japin ndihmën e tyre:
zjarrfikësve, policëve, punonjësve të ndihmës së shpejtë e personelit të Kapitenerisë së Portit, së bashku me të gjithë burrat e gratë e pafajshme, viktima të kësaj tragjedie vetëm sepse puna e tyre e shërbimi i tyre i thirri këtu më 11 shtator 2001.

Të lutemi, me mëshirën tënde,
t’i shërosh ata
që sot, për shkak të pranisë së tyre këtu
i ndjejnë fort dhimbjet e plagëve e të sëmundjeve .
Shëroi, o Zot, edhe familjet, që vuajnë e qajnë ende,
e të gjithë ata që humbën të dashurit në këtë tragjedi.
Jepu forcën ta vijojnë rrugën e jetës
me guxim e shpresë.

Kujtojmë edhe ata që vdiqën,
u plagosën
e të gjithë ata që humbën njerëzit e dashur
në të njëjtën ditë, në Pentagon e në Shanksvil, në Pensilvani.
Zemrat tona bëhen një me zemrat e tyre,
Rrahin njëherësh me to.
Lutja jonë përfshin gjithë dhimbjen e tyre.

O Zot i paqes, jepi paqen tënde kësaj bote plot dhunë -
Paqe në zemrat e të gjithë burrave e grave,
e paqe ndërmjet Kombeve të tokës!
Bëj t’i kthejnë hapat në udhën tënde të dashurisë,
ata që i kanë mend e zemër
të prishura nga urrejtja.

O Hyj i mirëkuptimit:
të dërrmuar nga përmasa e përbindshme e kësaj tragjedie,
kërkojmë dritën tënde e udhëheqjen Tënde,
ndërsa jemi para një ngjarjeje kaq të llahtarshme.
Të lutemi që njerëzit, jetët e të cilëve u kursyen,
të jetojnë në një mënyrë të tillë,
që të mos e bëjnë të kotë
flijimin e atyre që këtu e humbën jetën.

Ndihmona e ngushëllona,
përforcona në shpresë
e na jep urti e guxim
të punojmë pa u lodhur kurrë për një botë
ku mbretëron paqja e dashuria e vërtetë ndërmjet Kombeve e në zemrat e të gjithëve! 

11 shtator 2019, 14:50