Kërko

Vatican News
Ganxhe Bojaxhiu – Nëna e të padashurve Ganxhe Bojaxhiu – Nëna e të padashurve 

Nënë Tereza: “një valë paqeje...”

Për Nёnё Terezёn, të varfërit nuk ishin vetëm miliona njerëzit, që kanë uri për bukë. Të varfërit ishin edhe miliona të përjashtuarit, të braktisurit, njerëzit pa familje, që kanë etje për dashuri, dinjitet, paqe, drejtësi e shpresë; Ky ishte mesazhi i vetëm i Nënë Terezës: t’u thoshte njerëzve, që vuajnë, se janë krijuar nga dora plot dashuri e Zotit, për të dashur e për t’u dashur.

R.SH. - Vatikan

Sot, mё 26 gusht, kremtojmё përvjetorin e lindjes sё shqiptares sё madhe - Shenjtes Nënë Terezë. Nё realitet, periudha nga 26 gushti e deri më 5 shtator është mbushur me nisma, lutje e kremtime Meshës për Shenjtoren e madhe të më të varfërve ndër të varfër. Sot, po propozojmё një kujtim tё shkrimtarit filantropik francez, Dominique Lapierre, marrë nga libri tij “Nënë Teresa. Leader per misione”, botuar mё 2013 nё Romё.

E paharrueshme Nënë Tereza! – shkruan Lapierre. Deri në frymën e fundit do të vazhdoj ta shoh siluetën e saj me sarin bardh e blu në mesin e mitralozëve të luftës civile libaneze. Mbante në krahë një foshnjë. Përpiqej të kapërcente kufirin ndërmjet lagjeve myslimane e atyre të krishtera në Bejrut. Askush nuk e kishte ndaluar dot të ekspozohej deri në atë pikë. Kur u duk qartë në mesin e të shtënave, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Mitralozët, pushkët, heshtën. Mund të thuhej se një valë paqeje u përhap papritmas në fushën e betejës, duke e bërë të turpërohet urrejtjen dhe marrinë e njerëzve. Asnjë skenë, për sytë e mi, nuk do të shprehë më kurrë me kaq forcë karizmën e pazëvendësueshme të shenjtes së Kalkutës, si ajo dukje e magjishme në një nga fushat më të tmerrshme të betejës së vuajtjes njerëzore.

Sa herë, në ferrin e lagjeve të Kalkutës, ose në atë, shpesh edhe më tragjik, të Perëndimit, …sapo dukej Nënë Tereza, njerëzve të përulur nga fati i keq e nga mjerimi, u shndriste në fytyrë një shprehje lumturie, mirënjohjeje, besimi. Sikur vetëm prania e kësaj gruaje, që mishëronte bamirësi e dashuri, ta zhdukte frikën, ta mbushte barkun bosh, të rijepte shpresën. Sepse ky ishte mesazhi i vetëm i Nënë Terezës: t’u thoshte njerëzve, që vuajnë, se janë krijuar nga dora plot dashuri e Zotit, për të dashur e për t’u dashur.

Kam pasur fatin të zbuloj ç’kuptim kishte në të vërtetë ky mesazh, që ditën e parë të takimit me të, në vitin 1981 - tregon Lapierre. Atë ditë isha për vizitë në “Shtëpinë e Zemrës së Pastër”, institucioni i parë, që Nënë Tereza e pati ngritur për të ndihmuar të mjerët e Kalkutës, braktisur rrugëve. Po lante plagët e një burri akoma të ri, kaq skelet, sa dukej as i gjallë e as i vdekur. Mishi sikur i ishte shkrirë. I mbetej vetëm lëkura e tendosur mbi kocka. Nënë Tereza i fliste me ëmbëlsi në gjuhën bengaleze. Nuk do ta harroj kurrë vështrimin e atij të palumi. Vuajtja i shndërrohej pak nga pak në habi, pastaj në paqe, në paqen e një njeriu, i cili pa pritur, ndjen se e duan.

Duke e kuptuar se ishte dikush pas saj, rregulltarja u kthye. E ndjeva veten jashtëzakonisht keq: po ndërprisja një dialog, që e kuptoja se ishte unik. U paraqita. Nënë Tereza thirri një vullnetar të ri evropian, që kalonte aty pari me një tas në dorë. “Duaje – e urdhëroi me dorën mbi ballin e të mjerit, që kishte përpara. – Duaje me të gjitha forcat”. E veshi burrin me bezet e me kapset e veta, u çua dhe ma bëri me shenjë ta ndiqja drejt dhomës së vogël, që ndante sallën e burrave nga ajo e grave. Aty ishte një tryezë e një bangë, ndërsa në mur, një kuadër me shkrim dore. “Mjerimi më i madh nuk është uria, ose gërbula – më tha – por ndjenja se je i padëshirueshëm, i refuzuar, i braktisur nga të gjithë”. Këto pak fjalë e përmblodhën në sytë e mi vlerën universale të veprës së Nënë Terezës – nënvizon Lapierre.

Për të, të varfërit nuk ishin vetëm miliona njerëzit, që në botë, kanë uri për bukë e për oriz. Të varfërit ishin edhe miliona të përjashtuarit, të braktisurit, të paprekshmit, njerëzit pa familje, ata që kanë etje për dashuri, dinjitet, paqe, drejtësi e shpresë; që nuk dinë të buzëqeshin më, sepse askush nuk i vështron më me ngrohtësi e nuk u jep një dorë, si vëllait. Po, e paharrueshme Nënë Tereza!

Marrë nga kontributi i Dominique Lapierre në librin “Nënë Teresa. Leader per misione”, i Roma Bose dhe Lou Faust, Shtëpia Botuese Egea, 2013.

Sё fundi, mё 26 gusht kujtojmё pёrvjetorin e lindjes, derisa po afrohemi festёs sё saj liturgjike e shpirtёrore mё 5 shtator, mёnyra mё e mirё ёshtё tё reflektojmё mbi disa meditime e porosi tё Shёn Nënë Terezës:

I Thirst
 
Është Jezusi ai që ndjen brenda vetes urinë e të varfërve,
etjen dhe lotët e tyre.
Si Jezusi, ne duhet të bëhemi një me njerëzit tanë,
të bëhemi një me ata në të gjitha gjërat, përveç mëkateve.
Jezusi u bë kaq shumë një me të varfërit
Saqë mori pamjen e shërbëtorit.
Feja jonë në Jezusin duhet të na bëjë që të duam,
e dashuria duhet të na çojë drejt shërbimit.
Por shërbimi nuk është i mundur pa lutjen!

26 gusht 2019, 20:44