Kërko

Kardinali George Pell Kardinali George Pell 

Gjykata australiane hedh poshtë apelimin e kardinalit Pell

Gjykata e Apelit e Viktories, në Australi, konfirmoi dënimin e kardinalit australian George Pell me 6 vjet burgim, sipas vendimit të procesit të shkallës së parë për abuzime seksuale me të miturit. Avokatët e kardinalit kanë 28 ditë kohë për të paraqitur ankimimin e fundit të mundshëm. Zyra e Shtypit e Vatikanit nënvizon, në një komunikatë, se Selia e Shenjtë konfirmon afërsinë e saj me viktimat e abuzimit seksual dhe impenjimin për të hedhur në gjyq anëtarët e klerit, që kryejnë abuzime.

R.SH. - Vatikan

Pak pas orës 9.30 të mëngjesit në Melburn - në Evropë, 1.30 e natës të së mërkurës, 21 gusht – u njoftua vendimi i gjyqtarëve për kardinalin australian George Pell, pas seancës së mbajtur në Gjykatën e Apelit, në fillim të qershorit. Vendimi u mor me një shumicë votash 2 me 1. Gjyqi i parë për të ashtuquajturat “krime historike apo të vjetra” të abuzimit seksual pati përfunduar pa aktgjykimi. U desh të fillonte një proces i ri, në fund të të cilit juria votoi unanimisht fajësinë e kardinalit. Një akuzë e dytë u refuzua nga gjykata për mungesë provash të pranueshme.

Komunikata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë

“Duke ripohuar respektin e saj për autoritetet gjyqësore australiane, siç u deklarua edhe më 26 shkurt me rastin e gjykimit të shkallës së parë, Selia e Shenjtë – njoftoi sot drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni – mësoi vendimin për të hedhur poshtë apelimin e kardinalit George Pell. Në pritje për të njohur zhvillimet e mëtejshme të procesit gjyqësor, kujton se kardinali ka theksuar gjithnjë se është i pafajshëm. Dhe se është e drejta e tij të ankohet në Gjykatën e Lartë. Me këtë rast, së bashku me Kishën e Australisë, Selia e Shenjtë konfirmon afërsinë e saj me viktimat e abuzimit seksual, si edhe impenjimin për t’i hedhur në gjyq anëtarët e klerit përgjegjës për abuzimet, përmes autoriteteve përkatëse kishtare”. Përsa i përket një procesi të mundshëm kanonik për kardinalin Pell, natyrisht, i pavaruar nga drejtësia australiane, “Kongregata për Doktrinën e Fesë do të presë vendimin dhe përfundimin e të gjitha shkallëve të gjykimit, para se të merret me këtë çështje.

Deklarata e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni

Kardinali Pell kthehet në burg

Ish-prefekti i Sekretarisë së Vatikanit për Ekonominë u rikthye në burg, ku do të vazhdojë të vuajë dënimin 6-vjeçar, dhënë në shkallën e parë të gjykimit. Liria me kusht do të jetë e mundur pas tre vitesh e tetë muajsh. Avokatët e tij ka të ngjarë të apelojnë në Gjykatën e Lartë, shkalla supreme e drejtësisë australiane. Sipas shtypit, ky ankimim i fundit nuk është automatik por, duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes, është i mundshëm. Vetë kardinali Pell, natyrisht, “është i zhgënjyer nga vendimi” deklaroi një zëdhënës i kryedioqezës së Sidnejt. “Sidoqoftë, avokatët e tij do ta shqyrtojnë me kujdes vendimin për të kuptuar nëse mund të kërkojnë ndonjë leje të veçantë nga Gjykata e Lartë. Duke vënë në dukje se vendimi është marrë me vetëm dy vota kundrejt njërës kundër tij, kardinali Pell vazhdon të deklarohet i pafajshëm”.

21 gusht 2019, 12:42