Cerca

Vatican News
Notre Dame e Parisit gjatë dhe para zjarrit të 15 prillit 2019 Notre Dame e Parisit gjatë dhe para zjarrit të 15 prillit 2019  (ANSA)

Restaurimi i Notre Dame. Imzot Follo: përmasa e kultit, qendrore

Ndërhyrje e imzot Francesco Follo-s, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Unesco, për restaurimin e katedrales Notre Dame. Kryeipeshkvi i Parisit njofton: deri tani, janë mbledhur 38 milionë euro, vetëm rreth 5% e shumës së premtuar nga donatorët.

R.SH. - Vatikan

Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë në UNESCO tërheq vëmendjen për frymën, që duhet të udhëheqë punën e restaurimit në katedralen Notre Dame të Parisit, pas dëmtimit nga zjarri i 15 prillit, dokumentuar në mediat e gjithë botës.

Të ruhet përmasa fetare

         Imzot Francesco Follo foli dje, gjatë punimeve të Komitetit për trashëgiminë kulturore dhe natyrore botërore, që mbahen në Baku të Azerbajxhanit. Selia e Shenjtë shpreson që katedralja Notre Dame de Paris t’u kthehet besimtarëve, jobesimtarëve dhe brezave të ardhshëm, – nënvizoi ai – “sipas parimeve për të cilat ruajtja e trashëgimisë kulturore, përfshirë përmasën e saj themelore fetare, është kusht thelbësor vlerësimi”.

Pasuri e Kishës, e Francës dhe e njerëzimit

         Vetë Papa Françesku, kujtoi prelati, në mesazhin, që i pati dërguar menjëherë kryeipeshkvit të Parisit, imzot Michel Aupetit, e pati bërë të qartë këtë kërkesë, që “katedralja e Notre Dame, falë restaurimit dhe mobilizimit të të gjithëve, të bëhet sërish peshtafi i bukur në zemër të qytetit, shenjë e fesë së atyre që e ndërtuan, kisha-nënë e dioqezës, pasuri arkitektonike dhe shpirtërore e Parisit, Francës dhe njerëzimit”.

Të shihet qartë identiteti kishtar

         Që këndej, nevoja që restaurimi ta ruajë karakterin qendror të përmasës së kultit e të shenjtërisë së vendit. Prandaj duhet “të merren parasysh me përparësi nevojat e kultit dhe praktikat e lidhura me të, të cilat duhet të vazhdojnë të ushtrohen. Është thelbësore - shtoi imzot Follo – ta mbrojmë këtë përmasë”, pasi “jeta fetare dhe format me të cilat shprehet janë të lidhura dhe të ndërvarura nga katedralja”. Elementet e restaurimit, kërkoi imzot Follo, duhet t’i përgjigjen qëllimit, për të cilin u ndërtua kisha dhe, identitetit të saj fetar. Ndërhyrja e vëzhguesit të Selisë së Shenjtë në UNESCO u bë e nevojshme pas lajmeve të ditëve të fundit, që paraqisnin projekte me pak si tepër fantazi për restaurimin e katedrales së Notre Dame, si për shembull, ndërtimi i një serre në çati.

Janë mbledhur 38 milion euro

         Ndërkaq, shuma e mbledhur për restaurimin, sipas kryeipeshkvit të Parisit, ka arritur në 38 milionë euro, por është shumë më e vogël se 850 milionë eurot e premtuara, njoftuar në maj nga ministri francez i kulturës, Frank Riester. Megjithatë, kryeipeshkvi Aupetit u shpreh me besim në të ardhmen, duke shpjeguar se për të marrë donacione të mëdha duhen kohë të gjata teknike. Vend kryesor i kultit për Kishën Katolike në Paris, ndër ndërtesat gotike më të famshme në botë, e shpallur në vitin 1991 nga UNESCO pjesë e Trashëgimisë Botërore, katedralja e Notre Dame është juridikisht pronë e shtetit francez.

09 korrik 2019, 12:51