Kërko

Amazona Amazona 

Ndihma konkrete e Kishës për indigjenët e Amerikës Latine

138 projekte zhvillimi në 17 vende të Amerikës Latine dhe në Karaibe. Këto përmasa ka impenjimi i ri i Fondacionit “Populorum Progressio”, për të cilin u vendos në takimin e fundit vjetor të Këshillit të tij Drejtues, që u mbajt në kryedioqezën e Bogotasë, Kolumbi, nga 24 deri më 26 qershor.

R.SH. - Vatikan

Mbledhja vjetore e Fondacionit Populorum Progressio, në mbrojtje të bashkësive të lashta vendase të Amerikës Latine, u mbjat  pranë Kryedioqezës së Bogotà-s në Kolumbi, nga 24 deri më 26 qershor,  organizuar nga Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm njerëzor. Gjatë takimit u miratua financimi i projekteve te ndryshme në favor të komuniteteve indigjene.

Vëmendja e vazhdueshme e Selisë Apostolike

“Është një pikë uji në oqean – pohon zv.sekretari i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, imzot Segundo Tejado Muñoz, ish-drejtor i Karitasit të Shqipërisë. - Por, kjo do të thotë që Ati i Shenjtë i kushton vazhdimisht vëmendje kësaj zone dhe gjithë Amerikës së Jugut”. Kujtojmë se Fondacioni “Populorum Progressio” varet nga ky Dikaster i Vatikanit.

Programet e reja në favor të popullatave më të ligshta parashikojnë ndërhyrje për rritjen e prodhimit bujqësor e blegtoral, si edhe të atij zejtar e tregtar; projekte për formimin e mikro-ndërmarrjeve; për krijimin e infrastrukturave, si ujësjellës, kanalizime dhe rrjete energjitike; punë për përmirësimin e standardeve shëndetësore dhe të arsimit. “Fondacioni ynë – nënvizon imzot Muñoz – është i gatshëm për iniciativa të shumta, pa përjashtime”.

Kujtojmë se Fondacioni Populorum Progressio lindi me Papën Palin VI por qe Papa Gjon Pali që më 1992, me rastin e pesëqind vjetorit të ungjillëzimit të Amerikës Latine, ai që i dha një hov të madh. Qëllimi kryesor është ndihma popullsive e bashkësive vendore të pambrojtura. Kisha katolike duke njohur realitetin e shumë popujve të kashtë vendas, është e angazhuar në mbrojtje e ndihmë të këtyre popujve e bashkësive që jetojnë në tërë Amerikën Latine. Në 27 vitet e veprimtarisë, fondacioni ka financuar 638 projekte në rajonin panamazonik, që do të jetë  në qendër të asamblesë së veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve në tetor.

Në çdo të përjashtuar, fytyra e Krishtit

Situata në Amerikën Latine kërkon angazhim më të madh, me qëllim që të përmirësohen kushtet e jetesës së të gjithëve, pa përjashtuar asnjeri, duke luftuar kundër padrejtësive e korrupsionit, për të arritur rezultate sa më të mira, si fryt i përpjekjeve të bëra”.  Fondacioni Populorum Progressio per Amerikën Latine, ndihmon popullsitë e kёtij kontinenti qё 27-vjet të themelimit ku qe themeluar. Me gjithë mundësitë e vendeve latinoamerikane kriza aktuale ekonomiko-shoqërore, rënduar edhe më shumë nga borxhi i jashtëm, që paralizon zhvillimin, e  dëmtoi rëndë popullsinë, duke thelluar më tej varfërinë, papunësinë e pabarazinë shoqërore e, njëkohësisht kontribuoi për shfrytëzimin dhe shpërdorimin e shtëpisë sonë të përbashkët, në një nivel, që  nuk e kemi përfytyruar kurrë më parë

07 korrik 2019, 09:54