Kërko

 Imzot Kodithuwakku Kankanamalage Imzot Kodithuwakku Kankanamalage 

Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar ka një sekretar të ri

Papa Françesku emëroi imzot Janakaratne Kodithuwakku Kankanamalage sekretar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar. Prelati 53 vjeçar i dioqezës së Badullës, në Sri Lanka, ishte deri tani zëvendës-sekretar i të njëjtit dikaster.

R. SH. - Vatikan

Dialogu ndërfetar “është pjesë përbërëse” e misionit të Kishës, jo vetëm për bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve, por edhe për ta thelluar  më tej “misterin e Zotit”, duke u bërë kështu ndërmjetës në dialogun e shëlbimit. Në një intervistë dhënë agjencisë Ucanews më 2012, imzot Janakaratne Kodithuwakku Kankanamalage e përshkruan kështu rëndësinë e ballafaqimit konstruktiv ndërmjet konfesioneve të ndryshme fetare. Sot  prelati, i klerit të dioqezës së Badullës, në Sri Lanka, u emërua nga Papa Françesku, sekretar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar.

Portret, me dy fjalë

I lindur më 1966, nga një nënë budiste e kthyer më pas në katolicizëm, më 2012 erdhi në Romë, ku nisi të punojë si pedagog  pranë fakultetit të Misiologjisë të Universitetit Papnor Urbanian. Më 12 qershor 2012 Benedikti XVI e emëroi zëvëndës-sekretar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, në vend të ipeshkvit spanjoll Miguel Angel Ayso Guixot, sot në krye të të njëjtit Dikaster, pas vdekjes së kardinalit Jean-Louis Tauran.

Dialogu, gurrë jete

Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar u themelua nga Papa Pali VI të dielën e Rrëshajëve 1964, me qëllim që të nxiste dialogun me njerëzit e feve të tjera, në përkim me frymën e Koncilit II të Vatikanit, posaçërisht të deklaratës “Nostra Aetate”. Bëhet fjalë për një dialog, që është dëshmi feje por, njëkohësisht edhe përpjekje për t’ia hapur zemrën tjetrit: nuk është tradhti ndaj misionit të Kishës, aq më pak metodë për kthimin në krishterim. E gjithë kjo shpjegohet qartë  në Letrën enciklike Redemptoris Missio” të Papës Gjon Pali II.

Edhe pse Këshilli Papnor është zyrë qëndrore për dialogun në Kishën katolike, kjo veprimtari kryhet kryesisht nga Kishat vendase. Shumë prej tyre kanë Komisionin për dialogun, në nivel rajonal e kombëtar e Dikasteri punon në bashkëpunim të ngushtë me këto komisione, duke inkurajuar edhe formimin, atje ku mungon.

Dikasteri vatikanas përbëhet nga anëtarët e Këshillit, rreth 30 kardinaj e ipeshkvij, nga vende të ndryshme të botës  e nga 50 këshilltarë, nga të pesë kontinentet. Ndërsa korpusi ekzekutiv përbëhet nga personeli i përhershëm në Romë, domethënë, nga Sekretari, zëvendës-sekretari, i ngarkuari për Islamin, Afrikën, Azinë, për lëvizjet e reja fetare si dhe asistentë të tjerë administrativë e teknikë.

Në Dikaster ekziston edhe një Komision për marrëdhëniet me myslimanët, i përbërë nga presidenti, zëvendës-presidenti e sekretari, së bashku me një grup prej tetë këshilltarësh.

Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar, ka themeluar edhe një Fondacion, “Nostra Aetate”, i cili  nxit dialogun e u jep bursa studimi edhe studiuesve të feve të tjera, që dëshirojnë të thellohen në njohjen e fesë së krishterë.

03 korrik 2019, 15:59