Kërko

Vatican News
 Atë Pasquale Borgomeo Atë Pasquale Borgomeo 

Atë Borgomeo: komunikimi i jetuar si mision

Atë Federico Lombardi kremtoi sot, në Kapelën e Radio Vatikanit, një Meshë, në dhjetëvjetorin e vdekjes të Atë Pasquale Borgomeo-s, të cilin e pasoi si drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit. Ndërmjet të pranishmëve, disa familjarë të Atë Borgomeos si dhe prefekti i Dikasterit për komunikimin, Paolo Ruffini.

R. SH. - Vatikan

“Nëse nuk e dëgjon e nuk komunikon me vëllain, që e shikon, si mund të komunikosh me Hyjin, që nuk e shikon?”. Ishte një kohë kur jezuitit  Pasquale Borgomeo i pëlqente ta përsëriste këtë, duke parafrazuar Ungjillin e Gjonit. E kujtoi atë Federico Lombardi, pasardhësi i tij në drejtimin e përgjithshëm të Radio Vatikanit, gjatë Meshës kremtuar, në Kapelën e Pallatit Pio, sot paradite, 24 korrik, në dhjetëvjetorin e vdekjes së Meshtarit napolitan.

“Komunikator i madh, i pasionuar pas jetës, plot entuziazëm e gjallëri” – kështu e pikturoi portretin e Atit Borgomeo kremtuesi. Ashtu si në Ungjillin e Mateut, ku tregohet shembëlltyra e talenteve, Atë Borgomeo ishte njeri i pasur me talente e dhanti të veçanta, dhuruar nga Zoti. Thoshte se fjala e ndërgjegjëson mesazhin e kalon para njerëzve, u prin në dëgjim, duke i bërë të zbulojnë brendinë e sendeve. Pasi kujtoi se atë Borgomeo qe për 35 vjet në shërbim të emitentes papnore e, nga viti 1985, edhe drejtor i përgjithshëm i saj, atë Lombardi theksoi edhe pasionin e tij të madh për Shën Agostinin.

Nga  ipeshkvi i Ipponës dëshironte të citonte konceptin e “rikthimit”, duke e jetuar komunikimin si mision. Kur u largua nga Radio Vatikani - shpjegoi atë Lombardi - ndërmjet ndjenjave që provoi ato çaste, ishte mrekullimi, para mirënjohjes, për mundësinë që iu krijua t’i shërbente Kishës e, më nga afër, Papës, në kohë vendimtare. Pati hirin ta shikonte duke u rritur mjetin e ungjillëzimit, që është Radioja e Papës. Prandaj atë Borgomeo - nënvizoi pasardhësi i tij - e jetoi shërbimin si mision, me pjesëmarrje plot gëzim e bindje! Ndjehej përgjegjës dhe i nderuar që i shërbente nga afër Pasardhësit të Shën Pjetrit. Prej këndej, synoi përherë një objektiv: të punonte, që zëri i Papës të dëgjohej në të katër anët e tokës. E këtë punë e bënte si komentues i madh i fakteve të aktualitetit si dhe i veprimtarive të Papës, në veçanti, në rastet e shtegtimeve ndërkombëtare të Gjon Palit II.

Pastaj atë Lombardi kujtoi edhe disa cilësi të tjera, njerëzore, të paraadhësit, ndërmjet të cilave, afërsinë me njerëzit, guximin, vëmendjen, por edhe hovet e entuziazmit. E krahasoi jetën me një bashkësi në ecje, një karvan drejtuar kah jeta e pasosur: “Atë Borgomeo  eci e shtegtoi me këtë karvan e arriti cakun, pasi jetoi nën shenjën e shpresës” – përfundoi atë Lombardi.

Ndërmjet të pranishmëve në rit, ishin edhe disa familjarë të atë Borgomeos, prefekti i Dikasterit për Komunikimin, Paolo Rufini e shumë punonjës të Radios, edhe pensionistë, që e njohën nga afër jezuitin napolitan, i cili ndërroi jetë më 2 korrik 2009, në moshën 76 vjeçare, në klinikën romake Annuziatella, ku qe shtruar prej kohe. Mesha e Dritës  u kremtua në Kishën romake të Shpirtit Shenjt në Sassia, e kryesuar nga kardinali Roberto Tucci, edhe ai jezuit e drejtor i Radio Vatikanit nga viti 1973 deri në vitin 1985.            

24 korrik 2019, 16:36