Kërko

Vatican News
Kardinali Elio Sgreccia Kardinali Elio Sgreccia 

Vdiq kard. Elio Sgreccia. Telegram i Papës: mbrojti jetën me zell ungjillor

Kardinali Elio Sgreccia, president nderi i Akademisë Papnore për Jetën, ndërroi jetë sot në Romë. “Kujtoj me mirënjohje – shkruan Papa në telegramin e ngushëllimit - shërbimin e tij bujar për Kishën, veçanërisht punën e çmuar dhe të zellshme në mbrojtjen e vlerës themelore të jetës njerëzore, përmes impenjimit kapilar në studim, formim dhe ungjillëzim”.

R.SH. - Vatikan

Kardinali Elio Sgreccia, kryetar nderi i Akademisë Papnore për Jetën, ndërroi jetë sot në Romë. I lindur në Nidastore di Arcevia të Italisë, më 6 qershor 1928, pra nesër, ai do të kishte mbushur 91 vjeç. Ia kushtoi jetën çështjeve të rëndësishme të bioetikës.

Telegrami i Papës Françesku

         Në telegramin për të mbesën, profesoreshën Palma Sgreccia, Papa Françesku shpreh ngushëllimet për të gjithë familjarët dhe për të gjithë ata, që e donin dhe e nderonin kardinalin e ndjerë. “Kujtoj me mirënjohje – shkruan Papa në telegram - shërbimin e tij bujar për Kishën, veçanërisht punën e çmuar dhe të zellshme në mbrojtjen e vlerës themelore të jetës njerëzore, përmes impenjimit kapilar në studim, formim dhe ungjillëzim”. Ati i Shenjtë ia beson Zotit e ndërmjetësimit të Virgjërës Mari shpirtin e kardinalit, “këtij shërbëtori të zellshëm të Ungjillit”, dhe u dërgon bekime apostolike atyre, që ndjejnë dhimbje për vdekjen e tij.

Një jetë, në mbrojtje të jetës

         Pas një jete kushtuar temave të bioetikës e impenjimit në Komitete e institucione të ndryshme të kësaj fushe, në bashkëpunim edhe me organizma ndërkombëtare, kardinali Elio Sgreccia, në vitin 2005, caktohet kryetar i Akademisë Papnore për Jetën, detyrë, që e mban deri në vitin 2008. Pyetjes së atëhershme të Radio Vatikanit për përparësitë e misionit të tij, iu përgjigj kështu: “Plaga e abortit, të cilën Kisha nuk mund as ta pranojë, as të heshtë e as të bëjë kompromise. Por ka edhe të tjera, si lindja në epruvetë, klonimi, abuzimi i jetës njerëzore dhe i fëmijëve, eutanazia. Ne shpresojmë gjithnjë që ndërgjegjet të mos shkrehen e që mund të riafirmohet e drejta për jetën, të njihet dinjiteti i njeriut, të pranohet i sëmuri dhe njeriu që vuan, në prag të vdekjes”. Impenjim, ky i kardinalit Sgreccia, në mbrojtje të shenjtërisë së jetës nga fillimi deri në përfundimin e saj të natyrshëm.

05 qershor 2019, 19:34