Kërko

Vatican News
 E Lumja Maria Carmen Lacaba Andia me motrat, martire E Lumja Maria Carmen Lacaba Andia me motrat, martire 

Kard. Becciu për Koncepsionistet e Lume: dëshmitare të shpresës

Sot paradite, në Madrid, u kremtua Mesha Shenjte me ritin e Lumnimit të 14 rregulltareve Koncepsioniste Françeskane, të vrara “in odium fidei” - nga urrejtja për fenë - gjatë Luftës civile në Spanjë, ndërmjet viteve 1936-1939. Në kremtim Papa përfaqësohej nga Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Becciu

R. SH. - Vatikan

Ishte data 22 gusht e vitit 1936, kur i morën nga kuvendi i El Pardo, në Madrid, abateshën, Nënën Inés de San José dhe Motrën María del Carmen  de la Purísima Concepción. Të dyja derdhën gjakun për Krishtin. Pa kaluar mirë as një muaj, më 17 shtator, nga kuvendi i Escalonës, pranë Toledos, u zhdukën eprorja, Nënë Maria de San José dhe Motër Maria de la Asunción. Askush nuk e mori vesh si përfunduan. Më 8 nëntor të të njëjtit vit, u martirizuan 10 murgesha të së njëjtës Kongregatë, Koncepsioniste françeskane, por të manastirit të Madridit. Duke ndjekur shembullin e  eprores së tyre guximtare, Nënë María Carmen Lacaba Andia, u pushkatuan njëra pas tjetrës Motër María del Pilar de los Desamparados,  Motër María de la Asunción, Motër María del Santísimo Sacramento, Motër María Balbina de San José, Motër María Guadalupe de la Ascensión, Motër María del Pilar, Motër María de Jesús, Motër María Juana de San Miguel, Motër María Beatriz de Santa Teresa. Tingëllon si buletin lufte, e ashtu edhe është. Madje, diçka më shumë: "një plan i mirëfilltë për çkristianizimin e plotë të Spanjës” - siç e quajti kardinali Angelo Becciu.

I krishteri, armik për t’u shkulur me gjithë rrënjë!

Nuk kishte pikë rëndësie cila ishte dora vrastare, që zhdukte pa ngurrim besimtarët katolikë: dorë komuniste, anarkike, apo kush e di e ç’rryme tjetër. Dorë spanjolle, franceze apo shqiptare… Ishte dorë që kryente krime e mbillte tmerr, që ushqente zjarrin e luftës civile e i rrënonte Spanjës  gjashtëmijë jetë. Gjashtëmijë të krishterë, të kushtuar e laikë. Për Frontin Popullor, kush kishte fe, ishte armik i betuar, që duhej zhdukur fizikisht! Nuk kishte pikë rëndësie nëse para plotoneve të pushkatimit radhiteshin grupe të tëra murgeshash, të veshura me zhgune, të armatosura me Rruzare, bamirësi e lutje. Këto, edhe armët e Koncepsionisteve françeskane, urdhër kundrues vashash, të mbyllura në klauzurë, pasi kishin bërë kushtet e bindjes, të varfërisë, të pastrisë. Si mund të mos ndalet mëshira njerëzore as përballë një murgeshe të motuar, në karrikë me rrota, sepse nuk mund të ecë më? E si mund të arrijë njeriu deri atje, sa t’i drejtojë pushkën, duke e konsideruar të rrezikshme për regjimin e ri?  E pra, kjo ndodhi. E mund të ndodhë përsëri! Nga njëra anë - pafajnia e butësia e njeriut, që e lë tjetrin ta vrasë e bie me fjalë faljeje në buzë - nga ana tjetër, mizoria më e egër, më e etur për gjak. Ç’mister, zemra njerëzore! Të duket si e pamundur të ketë antipode kaq të theksuara! Të duket - po ishin. E mbeten të shkruara me gjak në histori.

Martirizimi i tyre, Pagëzim i ri

Kur situata në Spanjë u bë tepër e rrezikshme, eprorët i këshilluan motrat  të ikin, të lënë kuvende e manastire e të strehohen në banesa qytetare, për të mos rënë në sy. Po ishin edhe motrat e motuara, të sëmurat... Nuk mund të iknin kështu, nga një ditë në tjetrën. Prej këndej, shumë prej tyre mbetën aty ku ishin. Posaçërisht Nënat - Nëna deri në fund të fundit. Një dëshmitare tregon se Nëna Carmen dhe 9 rregulltaret e tjera  të kuvendit të saj u zvarrisën jashtë e u vranë njëra pas tjetrës. Eprorja i shihte bijat si binin, të lara në gjak e u jepte zemër, duke u kujtuar se po niseshin për udhë drejt vendit, ku i priste Dhëndri Hyjnor, të cilit ia kishin kushtuar gjithnë jetën e tyre mbi dhe! E ky është edhe kuptimi i martirizimit: një sekond Pagëzimi, i aftë për t’i larë me gjak të gjitha mëkatet, duke  i dhuruar martirit një vdekje të pafaje, të denjë për kë i fal e i do edhe persekutorët, që ia marrin mizorisht jetën!  

 

22 qershor 2019, 12:13