Kërko

Sekretari i Shtetit të Vatikanit Kard. Parolin  Sekretari i Shtetit të Vatikanit Kard. Parolin  

Sekretari i Shtetit të Vatikanit Kard. Parolin në Kosovë të dielën e Rrëshajëve

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Hirësia Tij Kardinali Pietro Parolin shkon për një vizitë dyditore në Kosovë, më 9 e 10 qershor. Kremtimi i Meshëve në Prishtinë, Prizren, takimi me autoritetet e vendit dhe me klerin e Kishës dioqezane Prizren-Prishtinë.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Hirësia Tij Kardinali Pietro Parolin shkon, këtë të shtunë në mbrëmje, në Kosovë për një vizitë dyditore.  Është hera parë që një personalitet i lartë i Selisë së Shenjtë e viziton Kosovën, prandaj kjo vizitë e kardinalit Parolin ka një domethënie të veçantë për Kishën dioqezane Prizren-Prishtinës dhe për mbarë vendin. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, gjatë vizitës së tij në Kosovë do të shoqërohet nga Delegati Apostolik për Kishën katolike të vendit, Nunci Apostolik, kryeipeshkvi Imzot Jean-Marie Speich ( emëruar në këtë mision më 19 mars 2019).

Vizita e Sekretarit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin paraqet një rast të veçantë për komunitetin katolik të vendit, për të cilin do jetë një inkurajim për të ecur në rrugën e besimit e të dashurisë ndërvëllazërore, për të kontribuar për të mirën e mbarë shoqërisë së vendit, si dhe për t’u sjell të gjithëve qytetarëve të Kosovës afërsinë, dashurinë dhe bekimin e Papës Françesku.

Prandaj, komuniteti katolik i Kosovë e pret me gëzim e dashuri shtegtimin e Sekretarit të Selisë së Shenjtë Apostolike, kardinalit Pietro Parolin, ndërsa institucionet e vendit me një interes të veçantë. Po më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt....

Nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt.

Në vijim programi i vizitës së Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, sipas revistës fetaro-kulturore të dioqezës Prizren-Prishtinë “Drita”, botuar në faqen e saj të internetit:

Programi i Vizitës së Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, në Kosovë

Drita 2019 JUN 6 • KISHA NË KOSOVË http://www.drita.info/2019/06/06/programi-i-vizites-se-sekretarit-te-shtetit-te-vatikanit-kardinali-pietro-parolin-ne-kosove/

Dioqeza Prizren-Prishtinë, ka publikuar programin e plotë të vizitës së Sekretarit të Shtetit, Eminencës së Tij, Kard. Pietro Parolin, në Kosovë, të cilin revista jonë po e sjellë të plotë.

 ————-

Programi i Vizitës së Sekretarit të Shtetit të Vatikanit,

Eminencës së Tij, Kardinal Pietro Parolin,

në Dioqezën Prizren-Prishtinë

Prishtinë – Prizren, 8-10 qershor 2019

E SHTUNË, 8 qershor

23:20 – Arritja në Aeroportin e Prishtinës

E DIELË, 9 qershor

11:00 – Mesha e Shenjtë dhe krezmimi në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë

12:30 – Pritja solemne në nder të Kardinalit në Qendrën “BogdaniPolis”, që gjendet në përdhesen e Katedrales

18:00 – Mesha e Shenjtë dhe rishugurimi i Katedrales Zoja Ndihmëtare në Prizren.

E HËNË, 10 qershor

08:00 – Mesha e Shenjtë me mëngjesore në kapelën e Ipeshkvit

09:00 – 10:30 – Takimi me autoritetet

11:00 – Takimi me klerin dioqezan, rregulltarët dhe rregulltaret, katekistët dhe bashkëpunëtoret laikë, në Qendrën “BogdaniPolis”.

Kjo vizitë është historike për Kishën Katolike dhe Kosovën, pasi për herë të parë në historinë tonë vjen në vizitë një personalitet kaq i lartë i Selisë së Shenjtë. Prandaj, Kisha dhe populli ynë me gëzim dhe falënderim e pret Eminencën e Tij, Pietro Parolin, që do të na sjell edhe bekimin apostolik të Papa Françeskut./drita.info

07 qershor 2019, 14:23