Kërko

PALLIO ARCIVESCOVILE PALLIO ARCIVESCOVILE 

Në festën e Shën Pjetrit e Palit Papa do t’u dorëzojë palion kryeipeshkvijve metropolitë

Palio u dorëzohet nga Papa kryeipeshkvijve metropolitë, dhe shumica e marrin më 29 qershor, në solemnitetin e Apostujve Pjetër e Pal, pikërisht për të nënvizuar lidhjen e atij kryeipeshkvi që e merr palion me Selinë Apostolike të Romës. Palio ka edhe domethënie kristologjike, prandaj është simbol i Krishtit, Bariut të mirë.

R.SH. - Vatikan

Nesër paradite, duke filluar nga ora 9. 30, Papa do të kryesojë, në bazilikën e Vatikanit, Meshën shenjte në solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, në bashkëkremtim me 31 kryeipeshkvijtë e ri metropolitë, të cilëve do t’u vendosë mbi supe simboli i palios. Flasim për bashkëkremtimin liturgjik të Eukaristisë të kryesuar Papa, në të cilin marrin pjesë kryeipeshkvijtë e rinj metropolitë, e në kremtimin e liturgjisë, kemi edhe ritin tradicional të liturgjisë papnore, ritin e dorëzimit të palios.

Ndalemi te simbolika e palios

Palio, është një lloj shalli i bardhë, që i vihet mbi supe çdo kryeipeshkvi metropolit, si një shenjë e lashtë, sidomos në Perëndim, ku ka qenë karakteristike për Papën. E dimë nga të dhënat historike se Papa e përdorte palion që në shekullin IV. Ka shumë mundësi të jetë simbol dinjiteti, që u dorëzohej perandorëve e që, pastaj, u kaloi ipeshkvijve. Më vonë Roma nisi t’ua japë vetëm kryeipeshkvijve metropolitë, posaçërisht në kohën e Papës Gregorit VII, menjëherë pasi kaloi viti njëmijë, kur ndjehej nevoja të kontrollohej zgjedhja e ipeshkvijve.

Që nga kjo periudhë, ipeshkvijtë filluan të vijnë në Romë për ta marrë simbolin e palios. Më vonë palio nisi t’u jepej edhe atyre që nuk ishin metropolitë, si shenjë nderimi. E kohët e fundit, flasim për fundin e viteve ’70, u bë reforma e palios, sipas vendimit të Papës Palit VI. Që atëherë palio u dorëzohet vetëm kryeipeshkvijve metropolitë, dhe shumica e tyre e marrin më 29 qershor, në solemnitetin e Apostujve Pjetër e Pal, pikërisht për të nënvizuar lidhjen e atij kryeipeshkvi që e merr palion me Selinë Apostolike të Romës.

Po çka simbolizon palio për ditët tona?

Simbolika e palios ka ardhur duke u pasuruar në rrjedhë shekujsh. Në fillim palio kishte simbolikë thjeshtë kishtare, tregonte delen e humbur, ose më mirë të themi, bariun që e mban delen e humbur mbi supin e majtë. Kjo palio jepet edhe tani nga Papa. Pra, është palio që e gjejmë në gjithë ikonografinë, në të gjithë mozaikët e mijëvjeçarit të parë.

Më pas, si kaloi mijëvjeçari i parë, simboli i palios ndërroi formë; kuptimi i deles së humbur u zbeh deri në harresë e nisi të vihet në formë ypsiloni mbi personin që e mbante, duke fituar një kuptim të ri. Kryqat që e stolisin palion, morën kuptimin e plagëve të Zotit, kryqat e kuq. Karficat morën kuptimin e tri gozhdave të kryqëzimit. Kështu palio mori kryesisht domethënie kristologjike, u bë simbol i Krishtit, Bariut të mirë.

Tani i kemi të dy këto elemente së bashku. Palio endet me lesh qengji dhe vijon të simbolizojë delen e humbur; ka tri karfica si dhe kryqat. Të gjitha këto shenja tregojnë se Bariu i mirë e jep edhe sot jetën për delet e veta.

28 qershor 2019, 11:42