Kërko

 Logoja e ditëve ndërkombëtare të  botimeve katolike Logoja e ditëve ndërkombëtare të botimeve katolike 

Lev. Fra’Cesareo: ndryshim i mendësisë, për botimet katolike

“Të hidhen bazat për një rrjet shoqëror global të botuesve katolikë”. Kështu shprehet drejtori i Shtëpisë Botuese të Vatikanit (Lev), Fra’ Giulio Cesareo, duke pasur parasysh Ditët ndërkombëtare të botuesve katolikë, që do të mbahen në Romë, nga 26 deri më 29 qershor.

R. SH. - Vatikan

Një numër i madh përfaqësuesish të botuesve katolikë, ardhur nga mbarë bota, do të mblidhen në Romë, për të diskutuar rreth sfidave dixhitale. Takimi do të fillojë të mërkurën e ardhshme me nismën e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikimin, në bashkëpunim me Zyrën për Komunikimet Shoqërore të Konferencës Ipeshkvnore Italiane. “Nëse facebook do të ishte komb, do të kishte një popullsi shumë më të madhe se India” – pohon Fra’ Giulio Cesareo, duke  folur për vlerën e takimit, që do të fillojë më 29 qershor, pranë Qendrës së Kongresve Auditorium Aurelia (për të marrë pjesë mjafton të regjistrohesh, duke dërguar një mail në gec@spc.va).

Botimet - shpjegon drejtori i botimeve të LEV (Shtëpia Botuese Vatikanase) - “duhet t’i llogarisin mirë zhvillimet e vrullshme bashkëkohore, për ta përshtatur misionin e kumtimit, me frymën e kohëve”.

Po cili është, konkretisht, qëllimi i Ditëve ndërkombëtare të botimeve katolike?

“Qëllimi është për të bërë rrjet, duke e rimenduar vizionin – pohon Fra’ Giulio Cesareo. - Ideja është të reflektohet së bashku mbi  faktin se shërbimi ungjillor, që jemi të thirrur të kryejmë përmes librave tonë, nuk ka nevojë të rendë pas emergjencave, modave e zhvillimeve të vrullshme kulturore. Ndërsa duhen kuptuar më mirë këto procese, për t’u bërë, në një farë mënyre, protagonistë. Është fjala për ta vënë punën tonë në shërbim të njerëzimit, që ka ndryshuar shumë, në krahasim me dhjetëvjeçarët e kaluar, por duke e ruajtur gjithnjë dëshirën për takimin me fenë e me Zotin. Të gjithë e kemi parasysh këtë. Ashtu si dhe përhapjen e vazhdueshme të rrjeteve shoqërore dhe shembjen e kufijve ndërmjet mediave të ndryshme. Ndonëse e gjithë kjo i ka vënë në krizë modelet e vjetra të prodhimit e të konsumit, duhet të banojmë pa frikë në ambientin dixhital bashkëkohor, në kërkim të marrëdhënieve me tjetrin”.

Po për çfarë ka nevojë botuesi katolik?

“Mbi të gjitha - vijon drejtori i LEV - për vetëdije. Për vetëdijen e vizionin kishtar të epokës sonë. Duhen lexuar shenjat e kohëve, duke kujtuar se Zoti flet përmes  asaj që ndodh, e se, pas fakteve, është melodia që krijion Ai vetë. E kjo, edhe tema  që, të mërkurën paradite, do ta trajtojë drejtori i Qendrës Aletti, teologu e artisti jezusit, Atë Marko Ivan Rupnik, që do të reflektojë posaçërisht për librin, duke i dhënë përgjigje pyetjes nëse mund të jetë akoma mjet i komunikimit të bukurisë, shpresës e fesë. Besojmë se kjo do të mund t’i ndihmojë të pranishmit, por e dimë mirë edhe se botuesi katolik ka nevojë t’i njohë me fund mjetet e kohës sonë si dhe mundësitë që kanë mediat për të qenë më të gjithanshme. Kjo ka rëndësi për sipërmarrjen, posaçërisht parë në dritën e kompleksitetit të tregut të sotëm.

Shpresohet se takimet e shumta, do të shërbejnë për njohjen reciproke, gjë që do të mund të realizohet edhe përmes prodhimeve nga ana e të pranishmëve. Sepse është menduar të ketë edhe një ekspozitë të prodhimeve, për ta njohur më mirë njëri-tjetrin edhe në planin më praktik”.  

24 qershor 2019, 16:58