Kërko

Vatican News
Konferenca e shtypit për paraqitjen e Forumit të të rinjve Konferenca e shtypit për paraqitjen e Forumit të të rinjve 

Filloi Forumi ndërkombëtar i të rinjve, vazhdimësi ideale e Sinodit

Filluan sot tri ditët e organizuara nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën, i cili mbledh të rinjtë në një Forum në Vatikan, duke u dhënë mundësinë të jenë edhe më tepër protagonistë në Kishë.

R.SH. - Vatikan

“Sinodi i të rinjve nuk ka përfunduar ende. Është në fazën e zbatimit”, prandaj, “ka shumë rëndësi që tani, t’i ndihmojmë të rinjtë t’i çojnë nëpër Konferencat Ipeshkvnore dhe në lëvizjet ku bëjnë pjesë si rezultatet e Sinodit, ashtu edhe përfundimet, që Papa i dhuron Kishës në ‘Christus vivit’, si fryt i pjekur sinodal”. Sekretari i Dikasterit për laikët, familjen dhe jetën, atë Alexandre Awi Mello, e paraqiti kështu, dje, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Forumin Ndërkombëtar të Rinisë, i cili filloi sot e do të vazhdojë deri më 22 qershor në Karmelin e Sassone-s, në Ciampino, pranë Romës.

Përfaqësohen 109 vende

Forumi, tema e të cilit është “të rinjtë në veprim në një Kishë sinodale” promovohet nga i njëjti Dikaster, prandaj është vazhdim ideal i Sinodit të ipeshkvijve të tetorit të kaluar, me temë “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”. Në takimet e këtyre ditëve marrin pjesë 246 të rinj të moshës nga 18 deri në 29 vjeç, që përfaqësojnë 109 vende dhe 37 bashkësi e lëvizje kishtare. 18 prej tyre patën marrë pjesë edhe në Sinodin e tetorit si dëgjues, ndërsa 15 të tjerë janë përgjegjës kombëtar të impenjuar në baritorinë rinore.

Mundësi për të qenë protagonistë

Pjesëmarrësit, shpjegon atë Mello, “ndihen shumë të lumtur, sepse e kuptojnë se Kisha e ka marrë seriozisht detyrën jo vetëm për t’i dëgjuar të rinjtë, por edhe për t’i shoqëruar dhe për t’i ndihmuar që të jenë protagonistë. Zbatimi i Sinodit varet drejtpërdrejtë prej tyre. Ata duhet të çojnë, në realitetin e tyre, në Kishat e veçanta, në universitet, në shkollë, aty ku jetojnë, mesazhin e Sinodit, mesazhin e Papës në ‘Christus vivit’. E ndjejnë se për ta, kjo është një mundësi më shumë për të qenë protagonistë në Kishë”.

Programi i Forumit

 Sot, gjatë Forumit, u fol për Sinodin dhe për ndikimin e tij mbi Kishat vendore, në praninë e kardinalit Kevin Farrell, prefekt i Dikasterit për laikët, familjen dhe jetën dhe të kardinalit Lorenzo Baldisseri, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve. Nesër, 20 qershor, do të diskutohet për Nxitjen post-sinodale “Christus vivit”, ndërsa pasnesër, të rinjtë do të dëshmojnë për kontributin e tyre konkret në jetën e Kishës. Forumi do të arrijë kulmin të shtunën, kur të rinjtë do të priten në audiencë nga Papa Françesku, në Vatikan.

19 qershor 2019, 14:49