Kërko

2019.06.26 Giornate editoria Cattolica 2019.06.26 Giornate editoria Cattolica 

Ditët e Botuesve Katolikë: Ruffini, së bashku për një udhëtim të ri

“Të hidhen bazat për një rrjet shoqëror global të botuesve katolikë”. Kështu u shpreh drejtori i Shtëpisë Botuese të Vatikanit, Fra’ Cesareo, në Ditët ndërkombëtare të botuesve katolikë, në Romë, në të cilat marrin pjesë rreth gjashtëdhjetë përfaqësues të sektorit katolik ndërkombëtar, për reflektuar mbi sfidat që vijnë nga bota dixhitale. "Fillimi i një udhëtimi të ri së bashku". Kjo shpresa e Prefektit të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikim, Paolo Ruffini.

R.SH. - Vatikan

Mbi gjashtëdhjetë përfaqësues të shtëpive botuesve katolike nga mbarë bota, janë mbledhur në Romë, për të diskutuar rreth sfidave që sjell bota dixhitale. Takimi filloi dje me nismën e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikimin, në bashkëpunim me Zyrën për Komunikimet Shoqërore të Konferencës Ipeshkëvnore Italiane.

"Fillimi i një udhëtimi të ri së bashku". Kjo shpresa që shprehu sot në Romë, Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikim, Paolo Ruffini, në hapjen e punimeve të Ditëve Botuese Katolike Ndërkombëtare, që do të zgjasin deri më 29 qershor, pranë Qendrës së Kongreseve Auditorium Aurelia. Duke propozuar një reflektim mbi sfidat që paraqiten nga mjedisi digjital, përpara gjashtëdhjetë përfaqësuesve të sektorit katolik nga e gjithë bota, prefekti nuk mohoi se si sot jetojmë në "një kohë krize", "krizë ekologjike", "krizë humanitare" dhe, vuri në dukje, një krizë në fushën botuese e të mediave. "Por ndoshta kurrë më shumë se sot - tha Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikim, Paolo Ruffini – ne e ndjejmë sa e madhe është nevoja për të dhënë sërish kuptim kohës, një unitet në diversitetin e mjeteve". Nga ana tjetër, "krizat janë shenjë se nuk kemi ngecur, se nuk jemi të palëvizshëm" dhe rrugëdalja nga kriza është "përforcimi i qenurit tonë një rrjet".

"Ne si botues katolikë synojmë të jemi një urë ndërmjet Kishës dhe botës", tha një nga ligjëruesit kryesor të ditës së përurimit të punimeve, Jean-Marie Montel, president i Federatës së Mediave Katolike Franceze. "Mendoj se është shumë e rëndësishme që botuesit të propozojnë bindje, vlera që ne komunikojmë dhe që rrjedhin nga Shkrimet e Shenjta, nga Ungjilli, duke iu drejtuar një publiku të cilin duhet ta dëgjojmë. Të jesh botues katolikë - vuri në dukje Jean-Marie Montel - do të thotë të mos jesh vetëm për katolikët, por t’i drejtohesh botës, sepse katolik do të thotë të qesh universal. Pra, ne i drejtohemi të gjithëve, botës, duke gjetur autorë, profetë, duke i vlerësuar e ndihmuar të rritet, e në anën tjerë i bëjmë të njohur e përhapim, me të gjitha mjetet: me libra, me letër, përmes revistave, e edhe përmes veglës dixhitale. Sepse – përfundoi dixhitali nuk është armiku ynë, por një rast i volitshëm dhe i jashtëzakonshëm për të arritur tek një numër sa më madh njerëzish dhe në një kohë tejet të shkurt”.

“Nëse facebook do të ishte komb, do të kishte një popullsi shumë më të madhe se India” – pohoi drejtori i botimeve e Shtëpisë Botuese të Vatikanit (LEC) Fra’ Giulio Cesareo, duke  folur për vlerën e takimit, që po mbahet pranë Qendrës së Kongreseve Auditorium Aurelia. Botimet - shpjegon Fra’ Cesareo - “duhet t’i llogarisin mirë zhvillimet e vrullshme bashkëkohore, për ta përshtatur misionin e kumtimit, me frymën e kohëve”.

Po cili është, konkretisht, qëllimi i Ditëve ndërkombëtare të botimeve katolike?

“Qëllimi është për të krijuar një rrjet, duke e rimenduar vizionin – pohon Fra’ Giulio Cesareo. - Ideja është të reflektohet së bashku mbi  faktin se shërbimi ungjillor, që jemi të thirrur të kryejmë përmes librave tonë, nuk ka nevojë të rendë pas emergjencave, modave e zhvillimeve të vrullshme kulturore. Ndërsa duhen kuptuar më mirë këto procese, për t’u bërë, në një farë mënyre, protagonistë. Është fjala për ta vënë punën tonë në shërbim të njerëzimit, që ka ndryshuar shumë, në krahasim me dhjetëvjeçarët e kaluar, por duke e ruajtur gjithnjë dëshirën për takimin me fenë e me Zotin. Të gjithë e kemi parasysh këtë. Ashtu si dhe përhapjen e vazhdueshme të rrjeteve shoqërore dhe shembjen e kufijve ndërmjet mediave të ndryshme. Ndonëse e gjithë kjo i ka vënë në krizë modelet e vjetra të prodhimit e të konsumit, duhet të banojmë pa frikë në ambientin dixhital bashkëkohor, në kërkim të marrëdhënieve me tjetrin”.

Po për çfarë ka nevojë botuesi katolik?

“Mbi të gjitha - vijon drejtori i LEV Fra’ Giulio Cesareo - për vetëdije. Për vetëdijen e vizionin kishtar të epokës sonë. Duhen lexuar shenjat e kohëve, duke kujtuar se Zoti flet përmes  asaj që ndodh, e se, pas fakteve, është melodia që krijon Ai vetë. E kjo, edhe tema  që, dje paradite, u trajtua nga drejtori i Qendrës Aletti, teologu e artisti jezuit, Atë Marko Ivan Rupnik, i cili reflektoi posaçërisht për librin, duke i dhënë përgjigje pyetjes nëse mund të jetë akoma mjet i komunikimit të bukurisë, shpresës e fesë. Besojmë se kjo mund t’i ndihmojë të pranishmit, por e dimë mirë edhe se botuesi katolik ka nevojë t’i njohë me fund mjetet e kohës sonë si dhe mundësitë që kanë mediat për të qenë më të gjithanshme. Kjo ka rëndësi për sipërmarrjen, posaçërisht parë në dritën e kompleksitetit të tregut të sotëm. Shpresohet që takimet e shumta, do të shërbejnë për njohjen reciproke, gjë që do të mund të realizohet edhe përmes prodhimeve nga ana e të pranishmëve. Sepse është menduar të ketë edhe një ekspozitë të prodhimeve e botimeve, për ta njohur më mirë njëri-tjetrin edhe në planin më praktik”.  

Punimet, sot u moderuan nga Alessandro Zaccuri i së përditshmes së Kishës italiane Avvenire dhe mes shumë përfaqësuesve foli edhe drejtori i botimeve e Shtëpisë Botuese të Vatikanit (LEC) Fra’ Giulio Cesareo, vazhdojnë deri nesër. Të shtunën pjesëmarrësit e  Ditëve Botuese Katolike Ndërkombëtare do të marrin pjesë në Meshën që do të kremtohet nga Papa Françesku në bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, me rastin e festës së Shën Pjetrit e Palit.

27 qershor 2019, 15:16