Kërko

Vatican News
Paolo Ruffini, prefekti i Dikaterit vatikanas për Komunikimin Paolo Ruffini, prefekti i Dikaterit vatikanas për Komunikimin 

Ruffini: “interneti të jetë hapësirë dialogu, njohjeje, marrëdhëniesh”

Prefekti i Dikaterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini, mori pjesë, dje, në konferencën mbi bashkësitë e krijuara në rrjetet shoqërore, organizuar nga kryedioqeza e Firences, në përgatitje të Ditës së 53-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, që Kisha e kremton më 2 qershor

R.SH. - Vatikan

“Shoqëria e sotme karakterizohet nga tepria e informacionit. Problemi është interpretimi i tij”: kështu pohoi dje në Firence, prefekti i Dikaterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini, sipas të cilit “komunikimi mund të përdoret për të bashkuar, ose për të ndarë, për të liruar, ose për të nënshtruar. Ne  - nënvizoi ai në konferencën mbi bashkësitë e krijuara në rrjetet shoqërore - mund të ushqejmë një lidhje të shterpët në rrjet, pa përpjekjen për të kuptuar, për solidaritet, ose për të zbuluar ç’na bashkon”. Takimi u organizua nga kryedioqeza e Firences, në përgatitje të Ditës së 53-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, që Kisha e kremton më 2 qershor. Tema e zgjedhur nga Papa Françesku për këtë vit është: “Jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit” (Ef 4,25). Nga ‘community’(komunitetet në rrjet) në bashkësi”.

T’i kthejmë rrjetit kuptimin më të bukur të tij

“Mendoj se mesazhi i Atit të Shenjtë - komentoi Ruffini - na fton të reflektojmë për nevojën që t’i kthejmë rrjetit kuptimin më të bukur të tij: atë të një hapësire dialogu, njohurish, marrëdhënieje, bashkëndarjeje. Është thirrje drejtuar të gjithëve, për ta marrë përsipër këtë përgjegjësi, është sfidë për aftësinë tonë që të jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit, si në përmasën reale, ashtu edhe në atë dixhitale. Në të vërtetë, bota virtuale dhe ajo reale nuk janë fort të ndryshme”.

Komunikimi katolik është histori njerëzish

“E ardhmja e komunikimit katolik - përfundoi ai – është në historitë e njerëzve, në tregimin e jetës së tyre. Kjo është pika e takimit ndërmjet mishërimit dhe komunikimit dixhital. Ku, të takohemi do të thotë të ndajmë dhe të dëshmojmë së bashku, njëri me tjetrin, të vërtetën në të cilën besojmë dhe jetën tonë”.

30 maj 2019, 13:58