Kërko

Dialog ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve Dialog ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve 

Të krishterë e myslimanë, ora e vëllazërimit

Siç është traditë, në fillim të muajit të Ramazanit, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar i çon një mesazh urimi gjithë botës islamike. Frika dhe injoranca, lexohet në të, munden me dialog dhe respekt për lirinë e mendimit dhe të fesë. Nuk mjafton toleranca, nevojitet “bashkëjetesa e vërtetë paqësore”.

R.SH. - Vatikan

Të ndërtohen “ura miqësie” për “të shembur muret e ngritura nga frika dhe injoranca”. Të promovohet “kultura e dialogut, si mjet bashkëpunimi dhe si metodë për t’u njohur më mirë reciprokisht”. Ky është thelbi i Mesazhit të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, dërguar bashkësive myslimane, për fillimin e Ramazanit dhe për Id al Fitr, festën e gëzimit, që e mbyll muajin, të cilin feja islamike ia kushton agjërimit, lutjes dhe lëmoshës.

Tri rrugët e dialogut

         Mesazhi pasqyron që në titull (“Të krishterë e myslimanë: të nxitim vëllazërimin njerëzor”) temat e Dokumentit të nënshkruar nga Papa më 4 shkurt në Abu Dabi. Sekretari i Dikasterit vatikanas, imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot, autor i tekstit, citon si Deklaratën e nënshkruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, ashtu edhe fjalimin e vitit 2017 për pjesëmarrësit në Konferencën Ndërkombëtare për Paqen, mbajtur në Universitetin e Al-Azharit, ku Papa Françesku vinte në dukje “tre boshte themelore për të dialoguar e për të njohur njerëzit me fe të ndryshme: “detyrën për ta njohur e forcuar identitetin personal, guximin për ta kuptuar tjetrin dhe sinqeritetin e qëllimeve dhe të objektivave”.

Vëllezër e motra

         Ne, të krishterë e myslimanë, shkruhet në mesazhin e Selisë së Shenjtë, “jemi të thirrur t’ua hapim zemrën të tjerëve, duke i njohur dhe duke i pranuar si vëllezër e motra. Në këtë mënyrë, mund t’i shembim muret e ngritura nga frika dhe injoranca dhe të përpiqemi së bashku për të ndërtuar ura miqësie, themelore për të mirën e gjithë njerëzimit”, si në sferën civile, ashtu edhe në atë fetare. Kështu, mund të favorizohet “një stil i ri jetese, ku dhuna të refuzohet e njeriu të respektohet”.

Bashkëjetesa është më shumë se tolerancë

Ky objektiv, vijon mesazhi, mund të arrihet përmes “kulturës së dialogut, si mjet bashkëpunimi dhe si mënyrë për t’u njohur”. Dialog, me të cilin të promovohet “e drejta për jetën, integriteti fizik dhe liritë themelore të njerëzve, si liria e ndërgjegjes, e mendimit, e shprehjes dhe e fesë”, pa dallim ndërmjet sferës private dhe sferës publike. Ky mesazh, uron Dikasteri vatikanas për dialogun ndërfetar, jehoftë në zemrat e përgjegjësve shoqërorë e civilë, që të punojnë jo thjesht për tolerancë, por për “bashkëjetesën e vërtetë paqësore”.

10 maj 2019, 13:50