Kërko

Kardinali Konrad Krajewski Kardinali Konrad Krajewski 

Kard. Krajewski: e lidha dritën për mbijetesën e familjeve dhe të fëmijëve

Lëmoshtari apostolik shpjegon arsyet, që e detyruan të riaktivizonte energjinë elektrike në një ndërtesë të zënë nga të varfërit në Romë. Gjest i dëshpëruar dhe humanitar për të ndihmuar familjet, që mezi mbijetojnë.

R.SH. - Vatikan

Pas vizitës baritore në Lesbos për të çuar solidaritetin e Papës Françesku tek emigrantët dhe refugjatët në kampet e ishullit grek, Lëmoshtari Apostolik, kardinali Konrad Krajewski u informua për situatën serioze, në të cilën jetojnë mbi 400 vetë, përfshirë fëmijët e shumtë, në një pallat të zënë nga të varfërit, në Romë. Ndërtesa mbeti pa energji elektrike dhe ujë të nxehtë për ditë të tëra. Këto shërbime u pezulluan nga kompania, që furnizon me energji pallatin, pasi nuk ishte paguar fatura për një shumë prej rreth 300 mijë eurosh. Prelati e ndjeu për detyrë të kryejë një gjest humanitar e, pasi paralajmëroi disa herë komunën dhe policinë, i lidhi vetë telat, që çojnë energji elektrike në ndërtesë. Kardinali, i bindur për nevojën e këtij gjesti për të mirën e familjeve, është më se i vetëdijshëm për pasojat e mundshme ligjore.

Gjest i dëshpëruar

“Ndërhyva personalisht – pohon Lëmoshtari Apostolik për agjencinë italiane të lajmeve ANSA - për t’i lidhur sahatët. Ishte gjest i dëshpëruar. Më se 400 vetë ishin pa energji elektrike… familje, fëmijë… pa mundësinë për të përdorur frigoriferët”. Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, prelati nënvizon se i njeh prej kohësh vështirësitë e mëdha të njerëzve, që jetojnë në atë pallat. “Nga Vatikani – tregon ai - kemi dërguar ambulancën, mjekët, ushqimin. Po flasim për jetë njerëzore”.

Familje të braktisura

“Gjëja më absurde – thekson Lëmoshtari Apostolik për gazetën italiane - është se jemi në zemër të Romës. Gati pesëqind vetë janë lënë pas dore”. “Janë familje - shton kardinali – që nuk kanë ku të shkojnë, janë njerëz, që luftojnë për të mbijetuar”. Problemi i parë, nënvizon ai, nuk është ai i parave. Pasi kujton se ndër njerëzit në ndërtesë ka shumë fëmijë, kardinali fton që secili t’i bëjë vetes këto pyetje: “Pse janë atje, për ç’arsye? Si është e mundur që familjet të ndodhen në një gjendje të tillë?”. Së fundi, Lëmoshtari Apostolik thekson se merr përsipër gjithë përgjegjësinë: “Nëse ma çojnë, paguaj edhe gjobën”.

13 maj 2019, 17:09