Cerca

Vatican News
Imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot, Sekretari i dikasterit vatikanas për dialogun ndërfetar Imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot, Sekretari i dikasterit vatikanas për dialogun ndërfetar 

Edukimi për paqen në perspektivën e krishterë

U paraqit në Gjenevë, një dokument i përbashkët i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe i Këshillit Ekumenik të Kishave, me temë “Edukimi për paqen në një botë shumëfetare: perspektiva e krishterë”. Qëllimi është të inkurajohen Kishat dhe organizatat e krishtera të reflektojnë mbi rrënjët strukturore, që kanë çuar në cënimin e paqes në botë.

R.SH. - Vatikan

Dokumenti u paraqit gjatë konferencës “Ta promovojmë paqen së bashku”, ku u ndez edhe një llambë ekumenike nga liderët fetarë të pranishëm, për të simbolizuar dritën e paqes, që duhet rrezatuar në gjithë botën.

Reflektim mbi dokumentin e Abu Dabit kushtuar Vëllazërimit Njerëzor

         Të pranishmit reflektuan edhe mbi dokumentin e nënshkruar nga Papa e Imami i madh i Al-Azharit në Abu Dabi, kushtuar Vëllazërimit Njerëzor për paqen. Sekretari i dikasterit vatikanas për dialogun ndërfetar, imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot, nënvizoi faktin se jetojmë në një botë të fragmentuar, në të cilën popullsia shtohet vazhdimisht. Përveç krizës ekologjike, paqëndrueshmëria politike, ekonomike dhe sociale vazhdon të kërcënojë mirëqenien e, madje, edhe ekzistencën e vetë planetit. Terrorizmi, aktet e dhunës të motivuara nga feja, radikalizimi ose vetë-radikalizmi përmes mediave shoqërore, gjuha e urrejtjes, si dhe predikuesit ekstremistë, që mbjellin fara dhune, janë plagë shoqërore që duhen përballuar. Prandaj, theksoi ipeshkvi kombonian, dokumenti “bazohet në bindjen e përbashkët se edukimi ka rol jetësor, madje thelbësor, në zgjidhjen e konflikteve, në parandalimin e përsëritjes së tyre, në shërimin e plagëve, rivendosjen e drejtësisë dhe në sigurimin e dinjitetit të barabartë për të gjithë”. Vërtet, shtoi ai, “megjithëse ky dokument është shkruar nga të krishterët dhe u drejtohet kryesisht atyre”, në të “pohohet se arritja e paqes duhet t’i përfshijë të gjithë”.

Shtatë arsye që të krishterët të impenjohen për paqen

Dokumenti ndahet në tre seksione. I pari përmban shtatë arsye që të krishterët të angazhohen në edukimin për paqen: Krishti është paqja jonë (shih Efesianët 2,14); si përfitues të dhuratës së paqes së Krishtit, dishepujt e tij janë thirrur të jenë zejtarë të paqes; ajo është e lidhur ngushtë me drejtësinë; kujdesi dhe vlerësimi për edukimin janë thelbësore në traditën dhe praktikën e krishterë dhe i detyrohen shumë urtisë e dijes biblike; paqja, e kuptuar edhe si rivendosje marrëdhëniesh të drejta, nxjerr në pah lidhjet themelore ndërmjet mëkatit, faljes dhe pajtimit; procesi i paqes kërkon t’i kushtohet vëmendje si të kaluarës, ashtu edhe së ardhmes; feja e krishterë në Zotin, njini e trini, na mëson se Vetjet hyjnore janë vërtet të dallueshme e megjithatë, të lidhura me njëra-tjetrën.

Të arrihet paqja përmes edukimit

Pjesa e dytë e dokumentit paraqet një sërë fushash dhe strategjish për të arritur paqen përmes edukimit, duke përfshirë të gjitha moshat dhe të gjithë sektorët e shoqërisë, disa prej të cilëve janë më të përshtatshëm për fëmijët, të tjerë për të rinjtë dhe të tjerë për të rriturit. Ndër ta, e drejta për arsimim sipas moshës; edukimi holistik; edukimi për qeniet njerëzore të krijuara në përngjasim me Zotin; modeli i Jezusit si mësues; mësimi gjatë gjithë jetës, për të gjithë; paqja dhe pushteti; njohja, mbrojtja dhe afirmimi i “tjetrit”; përdorimi i mediave në edukimin për paqe; mësimi nga dhe me Shkrimin Shenjt; kulti, përshpirtëria dhe edukimi për paqe; parandalimi dhe pajtimi; integrimi i perspektivave të zhvillimit me ekologjinë.

Lutja e Kishave si mjet edukimi për paqen

Së fundi, pjesa e tretë e dokumentit të paraqitur sot në Gjenevë, jep dhjetë këshilla për reflektim e lutje në Kishat, në institucionet arsimore të krishtera dhe në organizmat ekumenike kombëtare dhe rajonale: të studiohet dokumenti dhe të reflektohet për metodat më të frytshme edukative arsimore të lidhura ngushtë me paqen; të gjenden fonde për arsimin dhe të mbahen kurse studimore; të identifikohen bashkëbiseduesit e mundshëm me të cilët të gjenden mjete krijuese dhe ndërvepruese për edukimin, duke pasur parasysh nivelet e ndryshme të nxënësve; të shqyrtohen dhe të sfidohen faktorët strukturorë të së kaluarës dhe të së tashmes, që kanë kontribuar në rritjen e dhunës e shumë këshilla të tjera, që synojnë nxitjen e solidaritetit njerëzor dhe ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më paqësore. Por sidomos, nxiten të gjithë të krishterët të luten për paqen e të reflektojnë mbi vetë dokumentin, duke u lutur.

23 maj 2019, 14:57