Kërko

Shkalla Shenjte Shkalla Shenjte 

Pas tre shekujsh e vetëm për dy muaj, Shkalla Shenjte pa mbulesën e drunjtë

Për gjashtëdhjetë ditë, shtegtarët do të mund të ngjiten në Shkallën Shenjte, në Romë, drejtpërdrejt në origjinalin e pambuluar nga listelat e drunjta (tani në restaurim), vendosur në kohën e Papës Inoçenci XIII, në vitin 1723. Gjithashtu, besimtarët mund të mahniten me afresket e mrekullueshme, restaurimi i të cilave sapo ka përfunduar.

R.SH. - Vatikan

Në Shkallën Shenjte, në Romë, ndihet thellësia e përkushtimit, që transmetohet me dashuri të madhe nga një brez shtegtarësh në tjetrin. Tashmë, ata që dëshironin ta shihnin sërish Shkallën origjinale - të pambuluar nga listelat e drunjta, vendosur në kohën e Papës Inoçenci XIII, në vitin 1723, që tani po restaurohen - mund ta bëjnë këtë. Sipas traditës, Shkalla Shenjte është ajo e Pallatit Pretorian të Poncit Pilat, ku u ngjit Jezu Krishti për t’u gjykuar. Ato shkallë u sollën në Romë, gjithnjë sipas traditës, nga shën Helena, nëna e perandorit Konstandin. Pas restaurimit, janë vënë edhe më tepër në pah shenjat e gjunjëve e të majës së këmbës të atyre, që vinin për ta ngjitur të penduar këtë Shkallë e për t’i kërkuar falje për mëkatet Atij, që i mori mbi vete të gjitha mëkatet. Binin në gjunjë e bënin presion me majën e këmbës, një shkallë më poshtë, siç tregojnë qartë shenjat. Dy muaj kohë, për ata që kanë mundësi e për ata, që ndoshta, kalojnë në Romë, që të ngjiten të penduar e me fe në këtë Shkallë, para se të rivendoset mbulesa e drunjtë e restauruar.

Me vështrimin lart

         E mund të shihen edhe afresket e ‘500-ës, me gjithë shkëlqimin e ngjyrave, sjellë në dritën e tyre të plotë nga restaurimi. Besimtarët hyjnë kështu, natyrshëm, në historinë e krishterimit, pasi kur shohin – për shembull – Jezu Krishtin, që i lan këmbët shën Pjetrit, nuk kundrojnë vetëm veprën e piktorit, por edhe një ngjarje të rëndësishme të krishterë, që e përsërisim çdo të Enjte të Madhe të Pashkëve. E jo më pak e rëndësishme, kapela e Sancta Sanctorum (sende të shenjta ndër të shenjtat), në majë të shkallëve, ku ndodhet ikona Akeropite, që do të thotë “e realizuar jo nga dorë njeriu”, një punim prej dylli mbi kanavacën e linit, ngjitur në dru arre. Figura e Krishtit, që ndoshta, daton në shekullin VIII, ka një mbulesë argjendi, edhe ajo, dashur nga Papa Inoçenci III (1198-1216). Për të mos folur, pastaj, për reliket e për afresket e tjera të çmuara, që dëshmojnë fenë e të krishterëve në shekuj.

12 prill 2019, 13:00