Kërko

Vatican News
Gra në punë Gra në punë 

Osservatore Romano: Rita Pinci, në krye të së përmuajshmes “Gratë, Kisha, bota”

Falë formimit të Komitetit të ri Drejtues, koordinuar nga Rita Pinci, revista mujore e gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, lindur shtatë vjet më parë, do të dalë në maj me një botim të ri. Njoftimi jepet nga vetë gazeta.

R.SH. - Vatikan

“L’Osservatore Romano” njoftoi sot se është formuar Komiteti i ri Drejtues i revistës mujore “Gratë, Kisha, bota”, që do të rifillojë publikimin në maj. Koordinatorja, pjesë e grupit të punës, është Rita Pinci, gazetare, e diplomuar në Sociologji, ish-korrespondente dhe pastaj zv.drejtoreshë e së përditshmes italiane “Il Messaggero”. Më pas, në krye të revistës “Specchio” të gazetës “La Stampa” dhe më tej, me detyra të rëndësishme në të përjavshmet “Panorama” dhe “Chi”, përveç bashkëpunimit me “Huffington Post Italia”, me Rai-n dhe, së fundi, me TV 2000.

Punë kolegjiale, në liri të plotë

Në një deklaratë në fillim të detyrës, Pinci tregohet e befasuar nga vendimi i drejtorit Andrea Monda, por edhe e falenderon atë për besimin. Ajo nënvizon “lirinë e plotë”, që i është siguruar Komitetit Drejtues, me bindjen se Kisha ka nevojë për “këndvështrimin dhe zërin e grave, të cilat përbëjnë më shumë se gjysmën e besimtarëve”. “Më kërkohet ta vë në dispozicion përvojën time për një bashkësi e për një gazetë, që e kam lexuar gjithnjë me interes – thekson ajo. – Më jepet një mundësi e madhe njerëzore, edhe më parë se profesionale, për t’u bashkuar me këtë projekt”. Duke folur për punën e Komitetit, Rita Pinci nënvizon aspektin “kolegjial” dhe “frymën e bashkëpunimit, sipas talenteve dhe aftësive të grave, që marrin pjesë në të”.

Komiteti dhe anëtaret e saj

Anëtaret ndërkombëtare të zgjedhura për Komitetin, janë profesoresha universiteti si Francesca Bugliani Knox, Yvonne Dohna Schlobitten, Chiara Giaccardi, Shahrzad Houshmand Zadeh, Giorgia Salatiello dhe Amy-Jill Levine; Elena Buia Rutt është poeteshë dhe përkthyese, ish-bashkëpunëtore në faqet kulturore të “L’Osservatore Romano”, ashtu si Silvia Guidi dhe Giulia Galeotti, shkrimtare e që nga vitit 2014, përgjegjëse për faqet kulturore të gazetës së Selisë së Shenjtë. Plotësojnë grupin Carola Susani, shkrimtare dhe mësuese, Valeria Pendenza, që prej 20 vitesh në “L’Osservatore Romano” e që prej 11, arkiviste; Silvina Pérez, gazetare dhe autore televizive, në krye të edicionit spanjoll të gazetës së Vatikanit dhe Marta Rodríguez Diaz, e cila drejton Institutin e Studimeve të Larta për Gratë në Universitetin Papnor Regina Apostolorum. Që prej vitit 2010, ajo është edhe përgjegjëse për Zyrën e Grave në Dikasterin për Laikët, Familjen dhe Jetën.

30 prill 2019, 16:29