Kërko

Vatican News
 Abacia e San Miniato al Monte Abacia e San Miniato al Monte 

Festival i Feve: priten nesër kardinali Parolin dhe Karekini II, Patrik i armenëve

U hap dje, në Firence, në San Miniato al Monte, edicioni IV i Festivalit të Feve. Nesër priten kardinali Parolin dhe Karekini II, Patrik e Catholicos i gjithë armenëve

U hap dje, në San Miniato al Monte të Firences, edicioni IV i Festivalit të Feve, në praninë e Ronald Lauder, president i World Jewish Congress dhe kryebashkiakut të Firences, Dario Nardella. Festivali nisi më 25 prill, festë kombëtare, që përkujton çlirimin e Italisë nga nazifashizmi, por edhe  periudhën kur hebrenjtë kremtojnë Pèsach, Pashkët hebraike, që përkujtojnë çlirimin e popullit të Izraelit nga skllavëria egjiptiane.

“Antisemitizmi - kujtoi Lauder - lidhet me dhunën, e sidomos, me indiferencën. E kemi parë çfarë ndodhi gjatë Luftës II Botërore, e dimë edhe kuptimin e fjalës Olokaust, apo shfarosje masive e hebrenjve: në përfundim të luftës nuk kishte më antisemitë, sepse askush nuk dëshironte t’i përkrahte nazifashistët. Popujt e kishin tashmë të qartë se kjo palë do të zhdukej. U mjaftonte të shikonin gërmadhat e, sidomos, varrezat e pafundme, që la pas lufta, për ta kuptuar. Po sot njerëzit i kanë harruar këto pamje, prandaj e vetmja rrugë për ta shmangur antisemizmin, apo urrejtjen kundër hebrenjve, është të edukohen breznitë e reja. Sot është mahnitëse ta kremtosh lirinë! Siç do të ishte e tmerrshme ta humbasësh. Nga mëngjesi, deri në darkë. E kjo mund të jetë pasojë e indiferencës. Ne -  hebrenj, të krishterë e myslimanë - duhet të përpiqemi që popujt t’i respektojnë fetë tona e të mos besojnë se liria u fitua një herë e përgjithmonë.  Mund ta humbasësh shumë shpejt!

Kryebashkiaku Nardella nënvizoi rëndësinë e dialogut ndërmjet feve. “Ka shumë rëndësi - pohoi - sepse shpesh herë në bazë të konflikteve shoqërore, luftërave e atentetave terroriste është pikërisht urrejtja fetare. Njohja e themelit të identitetit tonë, është parakusht për bashkëjetesën e vërtetë”.

Festivali i Feve do të vijojë deri të diel, 28 prill e do të mbyllet me kremtimet e organizuara me rastin e njëmijëvjetorit të San Miniato al Monte.

Nesër, në orën 10.30, do të flasin kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit si dhe Shenjtëria e Tij Karekini II, Kryepatrik e Catholicos i gjithë armenëve.

Në orën 17.30, në përfundimin zyrtar të kremtimeve  të Mijëvjeçarit të San Minatos al Monte, kremtimin liturgjik, me mbylljen e Portës Shenjte, do ta kryesojë kardinali Pietro Parolin.

26 prill 2019, 13:59