Kërko

Vatican News
Konferenca e shtypit për paraqitjen e Nxitjes Apostolike "Christus vivit" Konferenca e shtypit për paraqitjen e Nxitjes Apostolike "Christus vivit" 

“Christus vivit”: hap përpara në qëndrimin e Kishës ndaj të rinjve

Dje, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, u paraqit Nxitja Apostolike pas-sinodale “Christus vivit”. U dëgjua dëshmia e një të reje, që mori pjesë në Sinodin e tetorit 2018, dhe ajo e një mësuesi. Për kardinalin Baldisseri, dokumenti e rinon Kishën.

R.SH. - Vatikan

“Gur kilometrik në udhën sinodale”, “Magna Charta e baritorisë rinore dhe asaj të thirrjeve”: kështu e përshkruan Sekretari i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, kardinali Lorenzo Baldisseri, Nxitjen Apostolike pas-sinodale të Papës Françesku, “Christus vivit” (Krishti jeton). Dokumenti u paraqit dje në Sallën e Shtypit të Vatikanit e, duke folur për të, prelati i lartë vuri në dukje stilin e përdorur nga Ati i Shenjtë, i cili e ka për zemër rinimin e Kishës, pikërisht, përmes të rinjve. Ja komenti i kardinalit Baldisseri, në mikrofonin tonë:

         Është dokument, që e rinon vërtet Kishën, sepse kur flitet për të rinj, zakonisht, mendohet se janë njerëz, që kanë nevojë për kujdes, për formim e për t’u rritur. Por, Papa ka një këndvështrim tjetër. Me këtë dokument, u flet të rinjve sy më sy. Është një i moshuar, një “gjysh”, siç thotë vetë, që u drejtohet adoleshentëve e të rinjve, duke pohuar: “Nuk jam këtu për t’u imponuar, ose për t’ju thënë ç’duhet të bëni… Jam këtu për t’iu dhënë disa këshilla të urta e për t’ju thënë: ‘Po ju shoqëroj, më bëni pyetje e unë do t’ju përgjigjem’…”. E bën këtë me një stil bisede, afërsie, që kuptohet fare mirë e të çarmatos krejtësisht: të rinjve, që e lexojnë dokumentin, u bën përshtypje. E cila është figura qendrore e gjithë kësaj? Është figura e Jezusit, i ri në amshim, i gjallë në amshim. Ja si fillon “Christus vivit”, që unë po e përkthej menjëherë “Krishti është gjallë”, “Krishti jeton”. Për të rinjtë, që kanë vështirësi në rritje, që u duhet të përballen me familjen, me kundërshtitë e jetës, në shkollë, por edhe kur kërkojnë punë… për ta, ka një rrugëdalje. Ka shpresë për të riun e droguar, për atë që përdor pornografinë, pra, që është shthurur… Ka, e Papa Françesku jep koordinata, i thotë të riut: mos u dëshpëro, sepse ke një shok e, para së gjithash, një mik.

         Papa Françesku shpreh besimin e tij të madh tek të rinjtë edhe në tema të vështira, si ajo e abuzimeve seksuale. Ati i Shenjtë u jep atyre mundësinë të bëhen protagonistët e rilindjes për njerëzit e Kishës…

         E vërtetë, kjo. Është aspekt i ri. Papa u thotë të rinjve: bashkëpunoni, bëni punën tuaj si të rinj që jeni. E nëse është dikush, që pëson, si në rastin e abuzimeve, ju mund t’i flisni, ta inkurajoni… Kështu, vihen njerëzit në të njëjtin plan, jo mbi bazën e moshës e as të formimit, por mbi bazën e vlerave. Disa shenjtorëve për të arritur në shenjtëri u janë dashur 80 vjet… Ka shenjtorë për të cilët duhen 5, 7, 10, 12, 15 vjet… Kjo, për të thënë se është bukur që të rinjtë ndihen të impenjuar… Sot, ne e kuptojmë se të rinjtë, që e kanë mendjen të hapur, kanë njohuri, që në të kaluarën nuk ekzistonin e, kanë kontakte me të gjitha realitetet, mund t’u japin këshilla edhe më të moshuarve.

03 prill 2019, 11:56