Cerca

Vatican News
L'Osservatore Romano L'Osservatore Romano 

“Speciale Evropa”, rubrikë e re e “L’Osservatore Romano”, para zgjedhjeve

Filloi sot, në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, një rubrikë e re me artikuj e intervista, që do t’i shoqërojë lexuesit deri në zgjedhjet evropiane të majit. Ne do të bëjmë një përmbledhje në shqip, çdo të premte, duke u përpjekur të nxjerrim në pah vlerat kulturore të së kaluarës, për të analizuar të tashmen e për ta hedhur vështrimin drejt së ardhmes.

R.V. - Vatikan

“Speciale Evropa”, një rubrikë e re e gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, në përgatitje të zgjedhjeve evropiane të majit. Qëllimi i saj shpjegohet në numrin, që mban datën e sotme, 11 mars: “Të shpaloset qielli mbi Evropë, të rizbulohen thesaret e së kaluarës, ta shikojmë si protagonistë të ardhmen”.

Përmbajtja e “Speciale Evropa”

Fushata zgjedhore për votimet evropiane ka filluar tashmë e, përveç ndjekjes së lajmeve politike dhe çështjeve kryesore të debatit, fleta e veçantë “Speciale Evropa”, e cila do të publikohet çdo të shtunë për të paktën 9 javë, do të propozojë disa nga kontributet kryesore të intelektualëve dhe të burrave të shtetit, që vendosën bazat në projektin e bashkësisë evropiane. “Kemi bindjen se Evropa merr jetë të re nëse rigjen frymën e vet ­- shkruan gazeta e Vatikanit – frymën e atyre, që ditën të ëndërrojnë dhe të planifikojnë integrimin e popujve e që, pas tragjedisë së dy konflikteve botërore, qenë në gjendje të kapërcejnë individualizmin, banalitetin e grindjeve, zhurmën dhe honin ku çonin deklaratat boshe”.

Nga mendimi i Themeluesve tek debati aktual politik

         Rubrika do të ofrojë pjesë nga fjalimet e “Etërve Themelues” të Bashkimit Evropian: Alcide De Gasperi, Robert Schumann dhe Konrad Adenauer. Do të nisë me një mendim të diplomatit, historianit e shkrimtarit spanjoll, Salvador De Madariaga, pasuar nga vizioni poetik i Thomas Eliot-it, dhe pastaj, njëri pas tjetrit, reflektimet e Altiero Spinelli-t, Luigi Sturzo-s, Luigi Einaudi-t, Jean Monet-së, Paul Henry Spaak-ut dhe të tjerë. Tre studiues bashkëpunojnë për suksesin e rubrikës: Dario Antiseri, Enzo Di Nuoscio dhe Flavio Felice. Ne të redaksisë shqipe do t’i bëjmë një përmbledhje artikujve çdo të premte, në emisionin tonë të zakonshëm, me bindjen se mund të japin një kontribut të vyer për njohjen e Evropës dhe të rrënjëve të saj nga populli shqiptar.

Papa: Evropa të rizbulojë shpirtin e vet

Të çmuara, fjalët e Papës Françesku për Evropën, veçanërisht me rastin e vizitës në institucionet e saj në Strasburg, më 25 nëntor 2014. Ati i Shenjtë nënvizoi se kontinenti i vjetër mund të jetë pikë referimi për gjithë njerëzimin, nëse rizbulon shpirtin e vet. Popujve evropianë, Papa u kujtoi detyrën për ta “rizbuluar dinjitetin e njeriut si të tillë e jo vetëm si qytetar apo subjekt ekonomik”. Ati i Shenjtë theksoi disa nga temat në qendër të debatit për zgjedhjet e majit: puna, migrimi, persekutimi fetar, por edhe rreziqet konkrete për demokracinë.

11 mars 2019, 12:55