Kërko

Vatican News
 Papa në spitalin e Bangui Papa në spitalin e Bangui 

Krajewski në Bangui, për qendrën shëndetësore të Krishtit Fëmijë

Lëmoshtari papnor, kardinal Konrad Krajewski, u nis për në Bangui, në Afrikën Qendrore ku nesër, 2 mars, do të përurojë strukturën e re shëndetësore pediatrike, rindërtuar e zgjeruar me dëshirën e Papës Françesku, me një ndërhyrje, financuar nga Selia e Shenjtë, besuar projektimit dhe kujdesit të Spitalit të Krishtit Fëmijë.

R. SH. - Vatikan

Me të dërguarin papnor, kardinalin Konrad Krajewski, në Republikën Qendrafrikane do të jenë të pranishëm drejtoresha e spitalit romak, Mariella Enoc dhe komandanti i Trupit të Xhandarmërisë vatikanase, Domenico Giani, i cili këto vite ka promovuar një sërë nismash  solidariteti, duke mbledhur fonde në favor të Qendrës së Afrikës. Kulmor, për këto fonde, organizimi i koncertit të Cladio Baglioni-t, dhënë më 17 dhjetor 2016, në Sallën Pali VI.

Papa e mban premtimin dhënë fëmijëve të Bangui: “Nuk do t’ju harroj”

2015-2017-2019: kjo, kronologjia e historisë së një miqësie të thellë. Miqësisë së Papës me fëmijët e Bangui. Më 29 nëntor 2015, para se të përuronte Jubileun e mëshirës në kryeqytetin e Republikës Qendrafrikane, Françesku shkoi të vizitojë kompleksin pediatrik të qytetit. Ishte i ngarkuar me ilaçe, dhuratë e Spitalit romak të Krishtit Fëmijë, me buzëqeshje, me fjalë ngushëllimi, me ledhatime. E, sidomos, me një premtim: “Nuk do t’ju harroj!”.

Realizim i premtimit, që hap udhë të reja drejt së ardhmes

Dy vjet më pas, më 12 korrik 2017, në themelet e spitalit të premtuar, do të vihej guri i parë, me të cilin do të niste rindërtimi i lokaleve ekzistuese  dhe realizimi i qendrës mjekuese kushtuar fëmijëve të kequshqyer. Me fillimin e punimeve - falë marrëveshjeve me qeverinë qendrafrikane - nisi edhe një projekt, që ka të bëjë jo vetëm me mbështetjen materiale, por edhe me nisma për formimin dhe përditësimin e mjekëve dhe të infermierëve vendas e, sidomos, me edukimin e familjeve. Sot, në një vend ku akoma nuk ka paqë, realizohet një premtim, që hap udhë të reja drejt ardhmërisë!   

01 mars 2019, 12:44