Cerca

Vatican News
Kardinali Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve Kardinali Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve  (AFP or licensors)

Kisha do të ketë 9 të Lumë dhe 5 Shërbëtorë të rinj të Zotit

Duke pritur sot në audiencë prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalin Angelo Becciu, Papa Françesku autorizoi nëntë Dekrete të reja, që do t’i japin Kishës 9 të Lumë të rinj dhe do t’u njohin virtytet heroike 5 Shërbëtorëve të rinj të Zotit.

R.SH. - Vatikan

Ndër të Lumët, edhe 7 ipeshkvij martirë nën regjimin komunist në Rumani.

9 të Lumët e rinj

Njihet mrekullia, që i atribuohet ndërmjetësimit të Shërbëtores së nderuar të Zotit, Maria Emilia Riquelme y Zayas, themeluese e Kongregatës së Motrave Misionare të të Shenjtnueshmit Sakrament dhe të Zojës së Papërlyer. U lind në Granadë (Spanjë) më 5 gusht 1847 dhe vdiq po atje më 10 dhjetor 1940.

Njihen si martirë nga Kisha, Shërbëtorët e Zotit Valerio Traiano Frenţiu, Vasile Aftenie, Giovanni Suciu, Tito Livio Chinezu, Giovanni Bălan, Alessandro Rusu dhe Giulio Hossu, të gjithë ipeshkvij, vrarë nga komunistët, për shkak të urrejtjes kundër fesë, në vende të ndryshme të Rumanisë, ndërmjet viteve 1950 dhe 1970.

Dekretohet martir edhe Shërbëtori i Zotit Alfredo Cremonesi, meshtar i Institutit Papnor për Misionet e Jashtme. U lind në Ripalta Guerina (Itali) më 16 maj 1902 dhe u vra, për shkak të urrejtjes kundër fesë, në fshatin Donoku (Mianmar) më 7 shkurt 1953.

5 Shërbëtorët e Zotit, që tani, mund të nderohen nga Kisha

Gjithashtu, i njihen virtytet heroike, Shërbëtorit të Zotit Francesco Maria Di Francia, meshtar dioqezan, themelues i Kongregatës së Motrave Kapuçine të Zemrës së Krishtit. U lind në Messina (Itali) më 19 shkurt 1853 dhe vdiq në Roccalumera (Itali) më 22 dhjetor 1913.

Virtytet heroike i njihen edhe Shërbëtores së Zotit Maria Hueber, themeluese e Kongregatës së Motrave Terciare të Shën Françeskut. U lind në Bressanone (tani Itali) më 22 maj 1653 dhe vdiq po atje, më 31 korrik 1705.

Njihen virtytet heroike të Shërbëtores së Zotit Maria Teresa Camera, themeluese e Kongregatës së Bijave të Zojës së Mëshirës. Murgesha, që tashmë mund të nderohet publikisht, u lind në Ovada (Itali) më 8 tetor 1818 dhe vdiq po aty, më 24 mars 1894.

Dekreti e shpall të nderuar edhe Shërbëtoren e Zotit Maria Teresa Gabrieli, bashkëthemeluese e Kongregatës së Motrave të të Varfërave – Instituti Palazzolo; lindur në Bergamo (Itali) më 13 shtator 1837 dhe vdekur më 6 shkurt 1908.

Njihen virtytet heroike të Shërbëtores së Zotit Giovanna Francesca e Shpirtit Shenjt (në shekull: Luisa Ferrari), themeluese e Institutit të Motrave Misionare Françeskane të Fjalës së Mishëruar. U lind në Reggio Emilia (Itali) më 14 shtator 1888 dhe ndërroi jetë në Fiesole (Itali) më 21 dhjetor 1984.

19 mars 2019, 16:39