Kërko

Vatican News
2019.02.01 Presentazione al Tempio di Gesù Cristo, presentazione del Signore 2019.02.01 Presentazione al Tempio di Gesù Cristo, presentazione del Signore 

Paraqitja e Jezusit në Tempull, takim me Zotin

Kjo e kremte e vë në pah porosinë për të gjithë ne që është takimi me Zotin. Për t’ia arritur këtij qëllimi, duhet të dimë të kuptojmë e pranojmë dëftimin e Hyjit në të Njëlindurin Birin e Tij Jezu Krishtin.

R.SH. - Vatikan

Më 2 shkurt pasdite, Kisha kremton festën e Paraqitjes të Zotit Jezu Krisht në Tempull. Nё përkim me kёtё solemnitet Kisha katolike kremton edhe Ditën kushtuar Jetës Rregulltare.

Në festën e Paraqitjes së Jezusit në Tempull kremtojmë një mister të jetës së Krishtit, që lidhet me urdhrin e ligjit të Mosiut që parashikonte që prindërit, 40 ditë pas lindjes të parëlindurit, të ngjiteshin në Tempull të Jerusalemit për të ofruar djalin e tyre Zotit e për pastrimin ritual të nënës (krh Es 13,1-2.11-16; Lv 12,1-8).

Kjo e kremte e vë në pah porosinë për të gjithë ne që është takimi me Zotin. Për t’ia arritur këtij qëllimi, duhet të dimë të kuptojmë e pranojmë dëftimin e Hyjit në të Njëlindurin Birin e Tij Jezu Krishtin. Duke lexuar në thellësi, e kuptojmë se në atë moment është vet Zoti që njerëzimit i paraqet të Birin e vet Njëlindurin, përmes fjalëve të Simeonit plak e Anës profetesh. 

Duke u ndalur edhe fjalët e Simeonit plak: “Sytë e mi panë shëlbimin” e të Profeteshës Ana që u flet për fëmijën të gjithë atyre të cilët prisnin Mesinë në Jerusalem, kujtojmё se në këtë mënyrë na shpallet identiteti dhe misioni i Mesisë.  Në realitet, Simeoni e shpall Jezusin duke e paraqitur si “shpëtimin” e njerëzimit, si “dritën” e të gjithë popujve dhe “shenjë e kundërshtimit”, sepse do të zbulojë mendimet e zemrave”. (krh Lk 2,29-35).

Po kujtojmё se më 2 shkurt, në përkim me këtë festč liturgjike, Shёn Gjon Pali II, duke u sinur nga viti 1997, deshi që në mbarë Kishën katolike të kremtohet një Ditë e veçantë kushtuar Jetës Rregulltare. Në të vërtet, flijimi i Birit të Zotit - që simbolizohet përmes paraqitjes së tij në Tempull - është shembull për çdo burrë e për çdo grua që ia përkushton tërë jetën e vet Zotit.

Nё kёtё Ditё që Kisha ua kushton rregulltarëve e rregulloreve, e falënderojmë Zotin për dhuratën e çmuar të kësaj jete tё përkushtuar rregulltare dhe të të gjitha formave të saj që ekzistojnë në Kishë. Prandaj Kisha e fton mbarë popullin e Zotit t’i nderojë ata, të cilët ia kanë kushtuar tërë jetën e tyre Zotit me kushtin e pastërtisë, të dëgjesës e të varfërisë së plotë, duke dëshmuar kështu praninë e Zotit në çdo kohë e vend, deri në kohët tona. E ky është shërbimi i parë që i bëjnë Kishës rregulltarët e rregullaret, murgjit e murgeshat. Janë roje që shquajnë nga larg dhe që kumtojnë jetën e re shpirtërore, jetën e Zotit, e cila tashmë është e pranishme në histori.

02 shkurt 2019, 13:51