Imzot Paglia: dialogu mbi sfidat teknologjike të bioetikës globale
R.SH. - Vatikan
Asambleja e 25-të e Përgjithshme e Akademisë Papnore për Jetën i kushtohet temës 'Roboetika: njerëzit, makinat dhe shëndeti'. Asambleja do të zhvillohet në Vatikan nga data 25 deri më 27 shkurt, në të cilën do të marrin pjesë 155 akademikë të ndarë në kategoritë e ordinarëve, korrespondentëve, të rinjve, të pensionuarve, ndërsa 220 të tjerë janë regjistruar në workshop-in e hapur për publikun.
"Formula e dyfishtë, një pjesë e punimeve rezervuar për akademikë dhe një workshop i hapur, për çka duhet bërë paraprakisht regjistrimi, mundëson një hapësirë mjaft të rëndësishme për reflektime dhe debat", thekson e përditshmja e Vatikanit l’Osservatore Romano.
Lidhur me zgjedhjen e temës, presidenti i Akademisë Papnore për Jetën, Imzot Vincenzo Paglia shpjegon se "ne i përgjigjemi një mandati të veçantë që kemi nga Papa Françesku, i cili kërkon nga Akademia për Jetën t’i përshkojë rrugët e dialogut e të ballafaqimit mbi sfidat teknologjike dhe etike, në kuadrin e bioetikës globale".
Për gazetën e Vatikanit l’Osservatore Romano, "perspektiva e bioetikës globale, me vizionin e saj të gjerë dhe vëmendjen ndaj ndikimit të mjedisit mbi jetën dhe shëndetin, përbën një mundësi të konsiderueshme për të thelluar besëlidhjen e re të Ungjillit dhe të krijimit".
Akademia Papnore për Jetën ka si detyrë të vihet në shërbimin e jetës njerëzore në të gjitha fazat e saj, e njëkohësisht edhe t’i zgjerojë temat e trajtuara dhe kompetencat përkatëse. “Presim fjalët e Papës Françesku si një ‘magna carta’ për ne, tha imzot Paglia gjatë një konference shtypi me rastin e paraqitjes së Asamblesë që ka për temë ‘Roboetika: njerëzit, makinat dhe shëndeti'”.