Kërko

2019.01.30 Amazzonia, progetto Nuovo Mosè p. Mometti 2019.01.30 Amazzonia, progetto Nuovo Mosè p. Mometti 

Vatikan: një seminar shkencor në funksion të Sinodit mbi Amazonën

Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit organizon një seminar shkencor nga 25 deri më 27 shkurt 2019 pranë Institutit ‘Maria Santissima Bambina’ në Romë: "Drejt Sinodin të Veçantë për Amazonën: dimensioni rajonal dhe universal".

R.SH. - Vatikan

Në kuadrin e Asamblesë së veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve mbi temën: "Amazona: shtigje të reja për Kishën dhe për një ekologji integrale", programuar për në tetor ardhshëm, Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit organizon një seminar shkencor.

Tema e takimit, që do të zhvillohet nga 25 deri më 27 shkurt 2019 pranë Institutit ‘Maria Santissima Bambina’ në Romë, është: "Drejt Sinodin të Veçantë për Amazonën: dimensioni rajonal dhe universal". Kështu njofton në një deklaratë për shtyp Sekretaria e përgjithshme e Sinodit të Ipeshkvijve.

Në ditën e parë do të shqyrtohen disa aspekte kishtare dhe baritore në dritën e Nxitjes Apostolike ‘Evangelii Gaudium’; në ditën e dytë do të trajtohen çështje që lidhen me promovimin e ekologjisë integrale në horizontin e Enciklikës ‘Laudato si’'; në ditën e fundit do të bëhet një sintezë e perspektivave që dalin nga punimet e asamblesë dhe një komunikim mbi udhën e përgatitjes për Sinod.

Në Asamblenë e veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve mbi Amazonën do të marrin pjesë kryetarët e Konferencave Ipeshkëvnore të rajonit të Amazonës, prelatë dhe ekspertë tjerë nga rajoni i Amazonës dhe nga zonat tjera gjeografike. Në këtë mënyrë do të jetë e mundur, ndër të tjera, të nxirret në pah situata kishtare dhe ajo e mjedisit amazonian, si dhe gjendja në kontekste të tjera të ngjashme territoriale.

Ndërkohë është krijuar një faqe e internetit www.sinodoamazonico.va kushtuar Asamblesë së Veçantë për Rajonin e Panamazonës.

Sekretari i Sinodit të ipeshkvijve, kardinali Lorenzo Baldisseri, e quajti Amazonën, kopsht me pasuri pa fund dhe me burime të mëdha natyrore, tokë amtare e popujve indigjenë, me historinë e vet dhe me fytyrë krejt të veçantë. Tokë e kërcënuar nga ambiciet pa kufi e nga padurimi i të pushtetshmëve për ta zotëruar.

Amazona, larmi e pasuri pa fund

Puerto Maldonado e popullsitë e Amazonës, në qendër të vizitës apostolike në Peru, në kuadrin e udhëtimit të 22-të apostolik ndërkombëtar, më 19 janar 2018, Papa Françesku kujtoi rajonet e mrekullueshme të Amazonës peruviane, me pyjet tropikale dhe me zonat e mbrojtura nga shteti. Në Koliseo Madre De Dios, një strukturë sportive, Ati i Shenjtë kremton Meshën me rreth 4 mijë besimtarë të popujve të ndryshëm të Amazonës, dhe gjatë homelisë përmendi  emrat e një e nga një, pasi dëgjoi këngët dhe pa vallet e tyre tradicionale e pas përshëndetjes, që i drejtoi një çift.

Papa Bergoglio e  lavdëroi “fytyrën plurale [të kësaj toke], me një larmi pa fund dhe me një pasuri të jashtëzakonshme biologjike, kulturore, shpirtërore. Të gjithë ne, që nuk banojmë në këto toka – thotë Françesku – kemi nevojë për urtinë dhe njohuritë tuaja, që të hyjmë, pa e shkatërruar, në thesarin e ruajtur në këtë rajon. E ritingëllojnë fjalët e Zotit për Moisiun: ‘Hiqi sandalet prej këmbëve të tua, sepse vendi në të cilin qëndron është tokë e shenjtë!’(Dal 3,5)”.

Amazona e shfrytëzuar pa kriter

 Por jo gjithnjë, njerëzit që kanë shkelur këto troje, i kanë hequr sandalet, madje jo vetëm nuk e kanë respektuar Amazonën, por e kanë shkelur me këmbë, duke e shpyllëzuar e duke i shfrytëzuar pa kriter pasuritë e saj, pa vetëdijen se po shkatërrojnë mushkëritë e botës. E pavarësisht nga ndërgjegjësimi për rëndësinë e rajonit, edhe sot ka njerëz, që e vijojnë këtë shfrytëzim, në mënyrë të paligjshme.

 “Nga njëra anë, - denoncon me forcë Papa Françesku - industria e re nxjerrëse dhe trysnia e fortë nga ana e interesave të mëdha ekonomike, që e drejtojnë lakminë e tyre kah nafta, gazi, ari, monokulturat bujqësore-industriale; nga ana tjetër, - u thotë ai popullsive indigjene – territoret tuaja kërcënohen edhe nga perversiteti i disa politikave, që promovojnë ‘mbrojtjen’ e natyrës, pa e pasur parasysh njeriun”.

“Jo” dhunës kundër adoleshentëve dhe grave

Kështu, vijoi ta ngrejë zërin Ati i Shenjtë Françesku, territori dhe pasuritë e tij bëhen të paprekshëm nga vetë banorët. Papa propozon që mbrojtja e tokës, e jetës dhe e kulturave vendore të bëhet përmes njohjes dhe dialogut me popujt indigjenë. “Ju – u drejtua atyre Bergoglio – jeni kujtesa e gjallë e misionit që Zoti na ka besuar të gjithëve: të kujdesemi për shtëpinë e përbashkët”. E Amazona, kjo shtëpi e madhe e përbashkët, si edhe banorët e saj kërcënohen vazhdimisht nga dalja e rrjedhja e hidrokarbuereve, nga nxjerrja e e paligjshme e mineraleve, nga trafiku i njerëzve, që nga krahu i skllavëruar i punës e deri tek abuzimi seksual. E këtu, Papa preku një temë, aktualisht, tepër të ndjeshme në gjithë botën.

“Dhuna kundër adoleshentëve dhe kundër grave është britmë, që ngjitet në qiell: ‘Më ka shkaktuar gjithnjë dhimbje gjendja e atyre, që bëhen objekt i formave të ndryshme të trafikut të njerëzve. Do të doja të dëgjohej thirrja e Zotit, që na kërkon të gjithëve: ‘Ku është vëllai yt?’ (Zan 4,9). Ku është vëllai yt skllav?”

Nuk mund t’i përdorim pasuritë me ritmin e lakmisë së konsumit

Papa përmendi shën Turibin, që në Koncilin III të Limës, ngrinte zërin kundër shtypjes së popujve amazonikë, pastaj flet edhe për ata, që quhen “Popuj Indigjenë në Izolim Vullnetar” (PIAV), të detyruar të fshihen pyjeve për t’i shpëtuar asimilimit. U bën të gjithëve thirrjen: “Vazhdoni t’i mbroni këta vëllezër më të brishtë. Prania e tyre na kujton se nuk mund t’i përdorim të mirat e përbashkëta me ritmin e lakmisë së konsumit. Është e nevojshme të vihen kufizime, që të na ndihmojnë të mbrohemi nga çdo përpjekje për shkatërrimin masiv të vendit”.

Popujt indigjenë kanë të drejtë për edukim në gjuhën e tyre

Popujt e Amazonës, vijoi Papa  Françesku, nuk janë pakicë. Kultura e tyre është e rëndësishme për shoqërinë. “Amazona, përveçse rezervë biolarmie, është edhe rezervë kulturore, që duhet ruajtur, para kolonializmave të reja”. Familja, të moshuarit, sipas Papës Bergoglio janë shtyllat e jetës së indigjenëve, të cilët kanë nevojë të ruajnë traditat e gjuhën e tyre. “Shkolla dhe edukimi i popujve autoktonë – thekson Françesku – duhet të jenë përparësi dhe impenjim i shtetit, impenjim i integruar dhe i rrënjosur në kulturë, që përvetëson, respekton dhe integron si pasuri për gjithë kombin, urtinë dhe dijen e tyre të lashtë… U kërkoj vëllezërve të mi ipeshkvij – nënvizon Papa – të vazhdojnë të promovojnë hapësira edukimi ndërkulturor e dygjuhësh në shkollat e në institutet pedagogjike dhe universitare”.

“Është mirë, që ju vetë të përcaktoni e të dëshmoni identitetin tuaj”

Papa Françesku përmendi edhe disa nga qendrat e popullsive amazonike, që kontribuojnë në promovimin e kulturës së tyre, por edhe shkrimet e veprat e artit e të zejtarisë, që flasin për indigjenët, duke i bërë të njohur në botë. Gjithsesi, “është mirë, që ju vetë të përcaktoni e të dëshmoni identitetin tuaj”, u tha Françesku, i cili vë theksin edhe në ruajtjen e fesë së krishterë ndër këta popuj.

“Mos u mposhtni para përpjekjeve për ta çrrënjosur fenë katolike të popujve tuaj. Çdo kulturë e çdo botëkuptim, që e pranon Ungjillin e pasuron Kishën me vizionin e një aspekti të ri të fytyrës së Krishtit… Kemi nevojë që popujt autoktonë ta plazmojnë me kulturën e tyre, Kishën lokale amazonike… Me këtë frymë, kam thirrur një Sinod për Amazonën, në vitin 2019” .

20 shkurt 2019, 14:53