Cerca

Vatican News
Murgeshat në lutje për solidaritet me viktimat e abuzimeve, Quezon City Murgeshat në lutje për solidaritet me viktimat e abuzimeve, Quezon City 

Deklaratë e murgeshave dhe e rregulltarëve mbi abuzimet: kërkojmë falje për dështimet tona

“Abuzimi me fëmijët është një e keqe e madhe, kudo dhe kurdo”. Kjo është bindja e murgeshave dhe e rregulltarëve, që vërejnë brishtësinë e fëmijëve në gjithë botën. Prandaj, në një deklaratë, impenjohen të punojnë që kjo gjendje të ndryshojë.

R.SH. - Vatikan

“U kërkojmë falje të gjithëve për dështimet tona dhe ripohojmë se i qëndrojmë pranë Atit të Shenjtë. Angazhohemi të punojmë me të që Kisha të shkojë me koherencë, me bindje dhe me unitet” drejt shërimit të vërtetë. Dy ditë para Takimit mbi Mbrojtjen e të Miturve, kërkuar nga Papa Françesku, Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme, UISG dhe Bashkimi i Eprorëve të Përgjithshëm, USG, botojnë një deklaratë të përbashkët, me të cilën shprehin mbështetjen e tyre të plotë për këtë nismë papnore.

Fëmijët janë më të brishtët e shoqërisë

         Përmes përvojës së tyre në çdo anë të botës, murgeshat dhe rregulltarët e dinë mirë se, në situata e forma të ndryshme, “fëmijët janë shpërdoruar, shpërfillur, keqtrajtuar dhe mënjanuar”, sepse “janë më të brishtët e shoqërisë” dhe e kanë më të vështirë të reagojnë. Në deklaratë shkruhet: “Si të rritur, si të krishterë e si rregulltarë, duam të impenjohemi që jetët e tyre të ndryshojnë”.

Abuzimet brenda Kishës

Takimi, që fillon të enjten e do të përfundojë të dielën, do të përqëndrohet në abuzimin e fëmijëve nga njerëz, që kanë autoritet në Kishë, veçanërisht nga ipeshkvijtë, meshtarët dhe rregulltarët - histori e dhimbshme “që ka vazhduar për dekada”, pa gjetur përgjigjen e duhur. “Ulim kokën me turp – shkruajnë murgeshat dhe rregulltarët - kur shohim se abuzime të tilla kanë ndodhur edhe në Urdhërat dhe në Kongregatat tona, në Kishën tonë”. E, më pas: “Turpi ynë është edhe më i madh, sepse nuk e patëm kuptuar ç’po ndodhte” e ata, që kishin autoritet ndër ne, “nuk i panë shenjat e alarmit, ose nuk arritën t’i merrnin ato seriozisht”.

Tri, fushat e impenjimit

Duke ndjekur shembullin e Papës Françesku, Deklarata shpreh angazhimin për të “pranuar me përulësi gabimet e bëra; për të mbështetur viktimat”, duke mësuar si të dëgjohen ato. Nevojitet një “kulturë e ndryshme në Kishë dhe në shoqëri”, tek e cila mund të arrihet përmes impenjimit në tri fusha: arsimi dhe kujdesi shëndetësor, përmes shkollave dhe spitaleve, administruar nga rregulltarët; formimi me programe të përshtatshme arsimore dhe; së fundi, përshpirtëria, në kuadër të së cilës duhen menduar “programe të veçanta për shoqërimin e çdo viktime të abuzimit, që dëshiron të ndihmohet në vështirësitë për të rigjetur fenë dhe kuptimin e jetës”. Fjala kyçe, e përsëritur disa herë, është përvujtëria.

Nevojitet kthesë e vërtetë

Murgeshat dhe rregulltarët nënvizojnë se nevojitet një kthesë e vërtetë brenda Kishës. “Duam t’i shohim pikat tona të errta – thuhet në Deklaratë. - Duam ta denoncojmë çdo abuzim me pushtetin. Impenjohemi të vihemi për udhë me ata, të cilëve u shërbejmë, duke ecur me transparencë dhe fe, me ndershmëri dhe pendesë të sinqertë”. Deklarata nënvizon kontributin, që mund të jepnin gratë, sidomos nënat e të miturve, nëse do të ishin pyetur. “Është e drejtë të themi – shkruhet në dokument - se nëse grave do t’u ishte kërkuar mendimi dhe ndihma në vlerësimin e rasteve, do të kishim pasur një reagim më të fuqishëm, më të shpejtë dhe më të frytshëm”.

Shqetësim për shpërdorimin e murgeshave dhe të seminaristëve

Deklarata përfundon duke iu drejtuar viktimave të abuzimit, të cilëve u duhet kërkuar akoma falje me sinqeritet, jo vetëm për shpërdorimet e pësuara, por edhe për “paaftësinë e turpshme për t’ua kuptuar dhimbjen”. Megjithëse Takimi përqëndrohet në mbrojtjen e të miturve, murgeshat dhe rregulltarët përmendin edhe një çështje tjetër, që shkakton “shqetësim të thellë”, rastet e “shpërdorimit dhe të shfrytëzimit të murgeshave, seminaristëve dhe kandidatëve për meshtarë e rregulltarë gjatë noviciatit”. Nënshkruesit e Deklaratës impenjohen të bëjnë ç’është e mundur për të gjetur përgjigjen e duhur edhe ndaj këtij problemi. Pra, për rehabilitimin e Kishës, Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme, UISG dhe Bashkimi i Eprorëve të Përgjithshëm, USG, urojnë një udhë koherente “vërtet të rinovuar, me sy të rinj për të parë dhe veshë të rinj për të dëgjuar”.

19 shkurt 2019, 15:48