Cerca

Vatican News
Imzot Bernardito Cleopas Auza Imzot Bernardito Cleopas Auza 

Imzot Auza: të kapërcehen pabarazitë shoqërore, duke ndihmuar familjet dhe gratë

Ndërhyrje e Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB mbi temën e pabarazive dhe të sfidave për përfshirjen shoqërore, duke synuar reduktimin e hendekut ndërmjet të pasurve dhe të varfërve.

R.SH. - Vatikan

Hendeku ndërmjet të pasurve dhe të varfërve “vazhdon të shtohet”. Nisi nga ky fakt, reflektimi i Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Bernardito Auza, në sesionin e 57-të të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Shoqëror, që po mbahet në Nju Jork, deri më 21 shkurt. Duke u ndalur në temën e takimit: “Përballimi i pabarazive dhe i sfidave të përfshirjes shoqërore përmes politikave fiskale, pagave dhe mbrojtjes shoqërore”, nunci apostolik vuri në dukje se nivelet globale të pabarazisë mbeten “shumë të larta”. Këto pabarazi, shtoi ai, minojnë “kohezionin shoqëror dhe besimin në sistemet shoqëroro-politike, duke sjellë shkëputjen e qeveritarëve nga qytetarët”, duke krijuar pasiguri për të sotmen e për të ardhmen, veçanërisht tek të rinjtë, të kërcënuar nga “papunësia e vazhdueshme”.

T’u hapet të rinjve rruga e së ardhmes

Imzot Auza kujtoi fjalimin e fundit të Papës për Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, në të cilin Françesku theksoi se të rinjtë janë “e ardhmja”, i kërkoi politikës t’i hapë udhën kësaj së ardhmeje, që brezat e rinj “të gjejnë punë, të formojnë familje dhe të rrisin fëmijët”. Selia e Shenjtë, nënvizoi ai më pas, thekson se “arsimimi cilësor e gjithëpërfshirës”, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë në gjendje jo të mirë shoqëroro-ekonomike, është “mjet kryesor për të zhdukur pabarazitë dhe katalizator i fuqishëm”, që u lejon familjeve dhe individëve t’i ngjisin ndershmërisht shkallët e shoqërisë.

Të investojmë në favor të familjeve e të grave

Të investosh në të ardhmen e të rinjve, shtoi ai, do të thotë “të investosh në familje”: forcimi i familjes është ndoshta “politika më e frytshme për mbrojtjen sociale të të gjithëve, sepse familja e fuqishme krijon një rrjet të shëndoshë sigurie”. Prandaj, politikat e bazuara në përkrahjen e fëmijëve dhe të familjes, politikat fiskale në favor të bërthamave familjare e programet për mbrojtjen e tyre, janë “investime”, që i ndihmojnë brezat e ardhshëm dhe anëtarët më të brishtë të shoqërisë. Duke ripohuar centralitetin e njeriut në çdo plan për zhvillim, siç ka nënvizuar shpesh Papa, imzot Auza vuri në pah se është “themelore” të njihet “kontributi i shquar” i grave për zhvillimin, duke uruar “barazi më të madhe” ndërmjet tyre dhe burrave. E këtu, përfshihet “paga e barabartë për punë të barabartë, drejtësi në karrierë, si edhe mbrojtja e nënave me fëmijë”.

Një botë tjetër është e mundur

         Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB bëri të vetin urimin e Papës në DBR-në e Panamasë – “Një botë tjetër është e mundur” – duke nxitur të vijohet promovimi i parimeve të drejtësisë, të solidaritetit dhe të së mirës së përbashkët, si edhe mbrojtja e dinjitetit të çdo njeriu.

15 shkurt 2019, 15:10