Kërko

Dijetarët e lindjes i ofrojnë dhuratat e tyre të çmuara Jezusit Foshnje Dijetarët e lindjes i ofrojnë dhuratat e tyre të çmuara Jezusit Foshnje 

Tweet i Papёs: O Zot, bëj të rizbuloj gëzimin e dhurimit

Papa Françesku në një tweet, botuar sot në faqen e internetit @Pontifex, pohon "Dijetarët e lindjes i ofrojnë dhuratat e tyre të çmuara Jezusit Foshnje. Sot t’i kërkojmë Hyjit: O Zot, bёj të rizbuloj gëzimin e dhurimit".

R.SH  - Vatikan

Papa Françesku në një tweet, botuar sot, në kremtimin e festës së Epifanise se Zotit, në faqen e internetit @Pontifex, pohon "Dijetarët e lindjes i ofrojnë dhuratat e tyre të çmuara Jezusit Foshnje. Sot t’i kërkojmë Hyjit: O Zot, bёj të rizbuloj gëzimin e dhurimit". (6 janar 2019).

“I drejtohen Zotit me gjuhën e dashurisë, e njëjta gjuhë që e flet edhe vetë Jezusi, akoma Foshnje. Mbretërit Dijetarë nuk shkojnë tek Zoti për të marrë, por për të dhuruar”, tha mes tjerash Papa Bergoglio nё homelinё e Meshës sё solemnitetit tё Dëftimit tё Zotit, kremtuar paradite nё Bazilikën e Shёn Pjetrit nё Vatikan.

Nё festёn e Dëftimit të Zotit, duhet theksuar se ky solemnitet vë në dukje shëlbimin universal, që solli Jezusi, e njëkohësisht dëfton lëvizjen e dyfishtë të Hyjit drejt botës dhe të mbarë njerëzimit, drejt Zotit.

Nё Episodin qё na rrёfen Ungjilli i kёtij solemniteti nga Mateu, shikojmë lëvizjen e dyfishtë, tërheqjen reciproke ndërmjet njeriut e Zotit. Kjo festë – pohon Papa - na bën të shikojmë një lëvizje të dyfishtë: nga njëra anë, lëvizjen e Zotit drejt botës, drejt njerëzimit; gjithë historinë e shëlbimit, që arrin kulmin në Jezusin; e nga ana tjetër, lëvizjen e njerëzve drejt Zotit, që të kujton fetë, kërkimin e së vërtetës, shtegtimin e popujve drejt paqes, paqes së shpirtit, drejtësisë, lirisë. Lëvizje e dyfishtë, e nxitur nga tërheqja reciproke”.

Fuqia tërheqëse e Atit drejt nesh, shpjegoi Papa, është dashuria që ka për ne, për secilin nga bijtë e Tij. Me këtë dashuri Ai kërkon të na çlirojë nga e keqja, nga sëmundjet, nga çdo formë e vdekjes. Por edhe ne kemi dashuri e dëshirë për gjithçka është mirësi, vërtetësi, bukuri, jetë. Kemi dashuri reciproke, pra, e hallka kryesore lidhëse e saj, është Jezusi, pa harruar se është Zoti ai, që na fton gjithnjë, na fton e na prin: Por kush e merr nismën? Zoti, gjithnjë. Dashuria e Zotit i paraprin gjithnjë dashurisë sonë. Ai e bën gjithnjë hapin e parë. Na pret, na fton, por nisma është gjithnjë e Tija”.

Prej këndej, ftesa, drejtuar edhe të largtëve, të vihemi për udhë, duke ndjekur dritën, në gjurmët e Mbretërve Dijetarë: “Kisha është e tëra brenda kësaj lëvizjeje të Zotit drejt botës: gëzimi i saj është Ungjilli, reflektimi për dritën e Krishtit. Kisha është populli i atyre, që e kanë provuar këtë tërheqje, e kanë në shpirt, në zemër, në jetë. Do të më pëlqente, sinqerisht e, do të më pëlqente t’u thosha atyre, që janë larg nga Zoti e nga Kisha, t’u thosha me respekt, atyre që janë të druajtur e indiferentë: Zoti të thërret edhe ty, të thërret të jesh pjesë e popullit të Tij, dhe e bën këtë me respekt e dashuri të madhe! Zoti të thërret. Zoti të kërkon. Zoti të pret, ty, që në këtë çast nuk beson ose je larg . Kjo është dashuria e Zotit” 

06 janar 2019, 16:02