Kërko

Roja Papnore Zvicerane zbulon detajet e shërbimit të nderit, në 513-vjetorin e themelimit

Si bëhet pritja e personaliteteve institucionale në audiencë tek Papa? Në videoklipin e parë të serisë “#1506, Roja Zvicerane rrëfen”, zbulohen të gjitha hollësitë e protokollit. Roja, që ka si mision garantimin e sigurisë së Atit të Shenjtë, mbush sot 513 vjet nga themelimi.

R.SH. - Vatikan

Bie sot, 513-vjetori i themelimit të Rojes Papnore Zvicerane (22 janar 1506). Anëtarët e Rojes, që kanë si mision garantimin e sigurisë së Atit të Shenjtë, festojnë, sipas traditës, me një meshë në kishën e Zojës së Mëshirës në varrezat teutonike të Vatikanit. Në përfundim të saj, rojet shkojnë drejt të ashtuquajturës “Lagje zvicerane”, duke dalë nga Harku i Këmbanave e duke kaluar nëpër Sheshin e Shën Pjetrit. Përkujtojnë kështu, mbërritjen në Sheshin e Shën Pjetrit të mercenarëve zviceranë, që në vitin 1506, u pritën dhe u bekuan nga Papa Juli II della Rovere, i cili themeloi këto Trupa ushtarake të Selisë së Shenjtë. Më pas, kthehen sërish në Lagjen Zvicerane, ku do të vënë për herë të parë, helmetat e reja në ngjyrë të zezë, prodhuar në Zvicër në material sintetik ASA, me printer 3D. Mbrëmja përfundon me një çast festiv, ku çdo vit ka të ftuar të veçantë. Kësaj radhe, të ftuar do të jenë punonjësit e Farmacisë së Vatikanit nga Fatebenefratelli, në kuadrin e një tradite, që synon konsolidimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit ndërmjet strukturave të Vatikanit.

Videoklipi mbi protokollin e pritjes së personaliteteve

         Po sot, u publikua në rrjetet shoqërore videoklipi i parë i serisë “#1506 – Roja Zvicerane rrëfen”. Pas klipit të Krishtlindjes, që zgjoi shumë interes, në këtë video zbulohen hollësitë protokollare të pritjes së personaliteteve institucionale, në audiencë tek Papa. Është zgjedhur përgatitja e pritjes së presidentit të Konfederatës Helvetike, zotit Alain Berset. Gjatë vitit, Roja Zvicerane do të botojë një klip çdo datë 20 të muajve në vijim, mbi një temë të veçantë.

22 janar 2019, 16:14