Cerca

Vatican News

Lindja e DBR-së. Gjon Pali II ua beson Kryqin të rinjve

Historia e DBR-së nuk mund të kuptohet pa “Kryqin shtegtar”- Kryqin e madh, si e deshi Papa Gjon Pali II, gjatë Vitit Shenjt të Shëlbimit.

R. SH. - Vatikan

“Të dashur të rinj, në përfundim të Vitit Shenjt po ju besoj simbolin e këtij Viti Jubilar: Kryqin e Krishtit! Çojeni nëpër botë, si shenjë e dashurisë së Krishtit Zot për njerëzimin e kumtojuni të gjithëve se vetëm në Krishtin e vdekur e të ngjallur gjindet shpërblimi e shëlbimi!”.

Kryqi u dorëzohet të rinjve

Papa Gjon Pali II i shqiptoi këto fjalë më 22 prill të vitit 1984, nga tremja e  Bazilikës së Shën Pjetrit, pasi kishte mbyllur Portën Shenjte të Jubileut të Shëlbimit. Kryqi i madh prej druri, 3,8 metra i gjatë, vendosur pranë altarit të madh, ishte në të majtën e tij e, pasi qe fanar feje për një vit të tërë, Papa ua dorëzoi të rinjve të botës, përcjellë me fjalët: do të bëhet “Kryqi i DBR-së” e do të jetë “kumt” e “takim”.

Kryqi i Vitit Shenjt u vendos në Qendrën Shën Lorenci - vend për të rinjtë, themeluar nga Papa - ku pushon, pas shtegtimeve të gjata nëpër botë. Duke nisur që nga përfundimi i shtegtimit të parë. Kujtojmë se Kryqi shtegtoi për herë të parë në Gjermani.

300 mijë të rinj me Papën

Më 31 mars 1985, të Dielën e Larit, në Sheshin e Shën Pjetrit vërshoi  një turmë prej 300 mijë të rinjsh, armatosur me “Kryqin e Vitit Shenjt”. Erdhën për takimin e madh të të rinjve, me rastin e Vitit Ndërkombëtar  shpallur nga OKB-ja.  Gjon Pali II mbeti thellësisht i prekur.

Themelimi i DBR-së

dhjetor të të njëjtit vit, gjatë urimeve drejtuar Kuries Romake, me rastin e Krishtlindjes, Papa theksoi: “I kam akoma parasysh figurat e takimit të asaj asambleje të rinjsh nga të gjitha racat e viset e botës”. Pohoi, më pas, se nuk ishte turmë pa emër, as thjesht “numër”, por prani e gjallë e personale, që merrte pjesë me gëzim, në një akt të përbashkët dashurie e besimi në Krishtin Zot”. E kështu, themeloi Ditën Botërore të të Rinisë: “Zoti e bekoi këtë takim në mënyrë të jashtëzakonshme - theksoi Papa i të rinjve - aq sa, për vitet që do të vijnë, u themelua Dita Botërore e Rinisë, për t’u kremtuar të Dielën e Larit,  në kontekstin e Takimeve Botërore  të të rinjve me Papën!”.

18 janar 2019, 17:17