Kërko

Kardinali Koch: përtej ndarjeve të së kaluarës, gjaku i martirëve i bashkon të krishterët

Sot pasdite, pranë Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve të Romës, Papa Françesku kryeson kremtimin e Mbrëmësoreve dhe hap Javën e lutjes për unitetin e të krishterëve, me temë: “Drejtësinë, dhe vetëm drejtësinë kërko!” Kardinali Kurt Koch pohon: “Të krishterët e persekutuar: luteranë, anglikanë, metodistë, katolikë, ortodoksë i bashkon një emër i vetëm: të krishterë!

R. SH. - Vatikan

“Ekumenizmi nuk është rrugëzgjidhje arbitrare, por detyrë për gjithë të krishterët”; “historia na hapi shumë plagë, na krijoi ndarje e përçarje, por sot duhet ta rigjejmë unitetin, posaçërisht përmes lutjes”.

Me këto fjalë kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, shpjegon, në mikrofonet e Vatican News, rëndësinë e Lutjes për unitetin e të krishterëve, me temë: “Drejtësinë, dhe vetëm drejtësinë kërko” (Lp 16, 18-20) që Papa Françesku do ta hapë sot, në orën 17.30 me kremtimin e mbrëmësores, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës. Tradicionalisht Papa i mbyll kremtimet e tetëditëshit, ndërsa sivjet, pikërisht në këto ditë, do të jetë në Panama për të marrë pjesë në Ditën Botërore të Rinisë. Takimi zhvillohet, si gjithnjë, ndërmjet 18 e 25 janarit, ndërmjet festës së Katedrës së Shën Pjetrit dhe asaj të Kthimit të Shën Palit. U themelua në vitin 1908, nga i nderuari Paul Wattson, në Graymoor (New York) si “Tetëditëshi i lutjes për unitetin”, me dëshirën që të bëhej praktikë e përbashkët.

Papa hap Javën e Lutjes për bashkimin e të krishterëve

Propozimi i temës së drejtësisë u bë nga Kisha e indonezisë, që përgatiti edhe tekstet, të cilat do ta shoqërojnë Javën, në bashkëpunim me Këshillin Papnor për promovimin e unitetit të të krishterëve dhe Komisionin  Fe e Kushtetutë të Këshillit ekumenik të Kishave. 86% e popullsisë së vendit është myslimane, por 10% e indonezianëve, të krishterë të traditave të ndryshme, kërkon vazhdimisht pajtimin e unitetin, edhe për t’i dhënë një shenjë botës së korrupsionit, pangopësisë e padrejtësisë, që shkakton pabarazi e përçarje.  Pikërisht sivjet për shembull - kujton kardinali Koch - kremtohet 20-vjetori i Deklaratës së përbashkët mbi Doktrinën e shfajsimit, nënshkruar me Federatën botërore luterane e, më pas, edhe me Metodistët, Reformatët e Anglikanët”. Me Kishat ortodokse - vijon - jemi për udhë mbi tematikën vendimtare të lidhjes së parisë me sinodalitetin.

Zemër e hapur për ekumenizmin

Kardinali Kurt Koch kujton se pas Koncilit II të Vatikanit të gjithë Papët e patën zemrën të hapur për ekumenizmin e Papa Françesku sot ngulmon në dy aspekte. Të parin e quan “përmasa trinitare”, duke kujtuar se Papa kërkon përherë që të gjitha kishat e krishtera “të ecin së bashku, të luten së bashku, të punojnë së bashku”. I dyti është aspekti, që njihet si “ekumenizmi i gjakut”, sepse sot të krishterët persekutohen shumë më tepër sesa në shekujt e parë, me 80% të besimtarëve të shtypur për shkak të fesë së tyre. “Të krishterët persekutohen sepse luteranë, anglikanë, metodistë, katolikë, ortodoksë - thekson kryetari i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve - domethënë persektutohen sepse i bashkon një emër i vetëm: të krishterë. “Gjaku i gjithë kësaj aradheje martirësh, që vijon të derdhet sot në të katër anët e botës, nuk i ndan - përfundon - por i bashkon të krishterët!”.

18 janar 2019, 14:51