Kërko

Të rinjtë e Sinodit Të rinjtë e Sinodit 

Forumi ndërkombëtar i të rinjve në vazhdën e Sinodit

Në dritën e Sinodit të fundit të ipeshkvijve mbi rininë, fenë dhe shoshitjen e thirrjes dhe të Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë në Panama, Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën organizon një Forum Ndërkombëtar të të rinjve, nga data 18 deri më 22 qershor.

R.SH. - Vatikan

Forumi synon të kuptojë ç’është bërë për zbatimin e Sinodit nëpër botë, veçanërisht duke u nisur nga Dokumenti i tij Përfundimtar, si edhe nga një dokument i mundshëm pas-sinodal, që duhet të botojë Papa Françesku deri atëherë.

Kush do të marrë pjesë

Janë të ftuar të marrin pjesë delegatë të Konferencave Ipeshkvnore dhe të lëvizjeve e bashkësive kryesore kishtare me përhapje ndërkombëtare. Shpresohet në praninë e disa të rinjve dëgjues në Sinodin e kaluar (që njiheshin si “të rinjtë sinodalë”), si edhe të disa ekspertëve në baritorinë rinore në nivel ndërkombëtar.

Për objektivat dhe qëllimet e Forumit, intervistuam Sekretarin e Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, atë Alexandre Awi Mello:

Në të vërtetë, Nxitja e fundit Apostolike e Papës Françesku parashikon - përveç fazës përgatitore dhe kremtuese – edhe fazën e zbatimit të rezultateve të Asamblesë Sinodale. Kjo fazë duhet të promovohet nga Kishat e veçanta, nga ana e Konferencave Ipeshkvnore dhe nga organet përkatëse të Kuries Romake. Ne jemi organizmi kompetent për baritorinë rinore: prandaj, duam të ftojmë të rinjtë nga e gjithë bota për të marrë pjesë në një takim, ku jepen ide për zbatimin e përfundimeve të Sinodit. Megjithëse muajt e fundit energjitë e Dikasterit janë drejtuar kah përgatitja e Ditës Botërore të Rinisë, ne kemi interes të veçantë për atë pjesë të rezultateve të Sinodit, që janë mirëpritur dhe janë vënë në jetë në kuadrin e baritorisë rinore. Pikërisht për këtë, menduam të organizojmë këtë forum ndërkombëtar të të rinjve në Romë, nga 18 deri më 22 qershor të këtij viti, sipas një modeli të njohur të Dikasterit për Laikët. Tashmë, kemi mbajtur dhjetë Forume ndërkombëtare, por ky do të jetë i veçantë, sepse do të na japë mundësinë të reflektojmë mbi Sinodin e mbi gjithçka mund të bëjnë konferencat ipeshkvnore dhe lëvizjet e ndryshme kishtare që ai të mos mbetet në të kaluarën, por të zbatohet në çdo dioqezë, në çdo famulli, në gjithë Kishën.

Akoma nuk ka filluar Dita Botërore e Panamasë, por në qershor, edhe ajo do të jetë në qendër të meditimeve tuaja…

Sigurisht! Besoj se Kisha po përjeton një çast kairòs-i, një çast hiri hyjnor për të rinjtë, çastin kur Kisha i dëgjon ata dhe dëshiron të ketë një sy të veçantë për ta. Dita Botërore e Rinisë është kohë për të dëgjuar Papën e për të hapur zemrën ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt në botën e të rinjve. Me siguri, do të jetë edhe mundësi për të reflektuar mbi gjithçka është thënë gjatë Sinodit: nga ipeshkvijtë e nga vetë të rinjtë.

Sinodi vazhdon, pra…

Ashtu është. Ky është qëllimi: të mos mbetet në të kaluarën. Dëshirojmë që, gjatë këtij viti, të punojmë edhe më shumë mbi gjithçka është shkruar. Udha sinodale është ende në gjysmë të saj, pasi nuk mjafton vetëm dokumenti përfundimtar e një tjetër, i mundshëm, që mund të shkruajë Ati i Shenjtë: sepse dokumentet, shpesh, mbeten në sirtar. Ne duhet të shqetësohemi - si Kishë, në veçanti, - të mos i zhgënjejmë të rinjtë, sepse po presin që të bëjmë diçka konkrete edhe për ta, të krijojmë hapësira për pjesëmarrjen e tyre në Kishë, për protagonizmin e tyre. Në këtë kuptim, ky forum ndërkombëtar do të na japë mundësinë për t’u dhënë sërish fjalën të rinjve e për të dëgjuar ç’mund të bëjnë ata në vendet e tyre, në dioqeza dhe në lëvizjet e tyre kishtare.

11 janar 2019, 12:03