Cerca

Vatican News
Këshilli i Kardinajve me Papën Françesku Këshilli i Kardinajve me Papën Françesku 

Përfundoi mbledhja e Këshillit të Kardinajve në Vatikan

Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Greg Burke, mbajti një konferencë për shtyp mbi mbledhjen e 27-të të kardinajve këshilltarë me Papën Françesku, që përfundoi sot, pas tri ditë punimesh.

R.SH. - Vatikan

Këshilli i Kardinajve, që ndihmon Papën Françesku në mbarështimin e Kishës universale, u takua për tri ditë, nga e hëna e deri më sot, 12 dhjetor. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, nuk ishte i pranishëm, për shkak se përfaqësonte Selinë e Shenjtë në Konferencën Ndërqeveritare për miratimin formal të Marrëveshjes Globale për Emigracionin, nga ana e shteteve anëtare të OKB-së. Konferenca u mbajt në Marrakesh të Marokut, më 10 dhe 11 dhjetor. Ati i Shenjtë, si zakonisht, mori pjesë në punime, por jo sot paradite, për shkak të audiencës së përgjithshme.

Nuk parashikohet emërim anëtarësh të rinj

Pas kërkesës së kardinajve, në fund të Takimit të 26-të (10-12 shtator 2018) të Këshillit të Kardinajve, lidhur me punën, strukturën dhe përbërjen e Këshillit, duke marrë parasysh moshën e avancuar të disa anëtarëve, Papa Françesku, në fund të tetorit, u shkroi kardinalëve George Pell, Francisco Javier Errázuriz dhe Laurent Monsengëo Pasinya, duke i falënderuar për punën e kryer në këto pesë vjet. Në fazën aktuale të punës së Këshillit, nuk parashikohet emërimi i anëtarëve të rinj.

Temat kryesore të punimeve

Seancat e punës u zhvilluan paradite, nga ora 9.00 deri në orën 12.30 dhe, pasdite, nga ora 16.30 deri në orën 19.00. Këshilltarët trajtuan tema të ndryshme, ndër të cilat edhe ulja e kostove në Selinë e Shenjtë, takimi me krerët e Konferencave Ipeshkvnore të Kishës Katolike mbi temën e “mbrojtjes së të miturve”, që do të mbahet në Vatikan, nga 21 deri më 24 shkurt 2019, si edhe Kushtetuta Apostolike e Kuries Romake. Kardinajtë folën edhe për disa çështje, që kanë të bëjnë me Dikasterin për Komunikimin, ku bën pjesë edhe Radio Vatikani.

Imzot Marco Mellino, i emëruar tetorin e kaluar si Ndihmës Sekretar i Këshillit të Kardinajve, iu paraqit atyre nga vetë Papa Françesku. Atit të Shenjtë iu dorëzua një propozim i ri për Kushtetutën Apostolike të Kuries Romake, titulli i përkohshëm i së cilës është “Predicate evangelium”.

Personeli i Vatikanit nuk pushohet nga puna

Kard. Reinhard Marx, koordinator i Këshillit për Ekonominë, foli mbi uljen e shpenzimeve të veprimtarisë së Selisë së Shenjtë. Kostoja më e lartë është padyshim ajo e personelit. U përsërit se askush nuk do të pushohet nga puna, por natyrisht, puna e secilit duhet rimenduar, që të bëhet më e frytshme. U fol për zhvendosje të personelit dhe për dalje të parakohshme në pension, aty ku është e mundur. Ulja e kostove, sipas kard. Marx, kërkon një plan aftagjatë, se paku prej 5-10 vjetësh. Kardinajtë u ndalën më pas, në takimin e ardhshëm me krerët e Konferencave Ipeshkvnore mbi mbrojtjen e të miturve, planifikuar për në shkurt, duke theksuar fort rëndësinë e tij.

Reforma e Komunikimit

Këshilli i Kardinajve dëgjoi edhe Prefektin e Dikasterit për Komunikimin, Paolo Ruffini, i cili pasi paraqiti hapat e bëra deri tani në reformën e mediave vatikanase, u përqendrua në lëvizjet e ardhshme, që duhet të çojnë drejt përmbushjes së objektivave të vendosura me Motu Proprio-n e 27 qershorit 2015. Prefekti theksoi vlerën e mediave të ndryshme (radio, TV, web, social) në kuadrin aktual multimedial dhe rëndësinë e intergimit të tyre. Ruffini vuri në pah kriteret për të siguruar një strategji të vetme komunikimi, duke theksuar vlerën unike të ofertës shumëgjuhëshe të mediave të Vatikanit.

Së fundi, prof. Vincenzo Bonomo, rektor i Universitetit Papnor Lateranens dhe këshilltar i Shtetit të Vatikanit, i informoi kardinajtë për Ligjin e ri mbi Qeverisjen e Shtetit të Vatikanit.

Takimi i radhës i Këshillit të Kardinajve do të mbahet më 18, 19 dhe 20 shkurt 2019.

12 dhjetor 2018, 17:48