Kërko

Guvernatorati i Shtetit të Vatikanit Guvernatorati i Shtetit të Vatikanit 

Ligj i ri mbi Guvernatoratin e Shtetit të Vatikanit

Motu Proprio e Papës: qershorin e ardhshëm hyn në fuqi normativa e re, që riorganizon tërësisht Guvernatoratin e Shtetit të Vatikanit, për t’ia përshtatur më mirë shërbimit kishtar, që duhet të kryejë për misionin e Atit të Shenjtë në botë.

R.SH. - Vatikan

Më 7 qershorin e ardhshëm do të hyjë në fuqi Ligji i ri mbi Guvernatoratin e Shtetit të Vatikanit. Papa Françesku e njoftoi sot këtë me një Motu Proprio, që mban datën 25 nëntor, Solemniteti i Krishtit Mbret.

Reformë, në shërbim të Kishës

         Duke shpjeguar normativën e re, që zëvendëson atë të miratuar nga shën Gjon Pali II në vitin 2000, në fuqi nga shkurti i vitit 2001, Papa Françesku pohon se që nga fillimi i shërbimit të tij në Selinë e Shën Pjetrit, ndjeu “nevojën e riorganizimit të tërësishëm të Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit, me qëllim që t’u përshtatet gjithnjë e më mirë kërkesave aktuale, shërbimit kishtar që duhet të kryejë për misionin e Papës së Romës në botë dhe synimeve të veçanta institucionale të Shtetit të Vatikanit, menduar ‘për natyrën e tij, t’i garantojë Selisë së Shën Pjetrit pavarësinë absolute dhe të dukshme’”.

Thjeshtim e transparencë

         Papa kujton parimet dhe kriteret e kësaj reforme legjislative: racionalizimi, ekonomizimi, thjeshtimi, funksionaliteti, transparenca, koherenca normative dhe fleksibiliteti organizativ. Këto detyra, Papa ia ka besuar kreut të Komisionit Papnor për Shtetin e Vatikanit dhe presidentit të Guvernatoratit, kardinalit Giuseppe Bertello, i ndihmuar nga një Komision pune.

Reduktimi i drejtorive dhe i zyrave qendrore

         Në përkim me këto objektiva, Ligji i ri parashikon reduktimin e organizmave operative: Drejtoritë, nga 9 aktuale, kalojnë në 7, pa prekur Spekolën(Observatorin) e Vatikanit, si organizëm shkencor. Ndërkaq, Zyrat Qendrore kalojnë nga 5 aktualet, në 2.

Themelohet Njësia e Kontrollit dhe e Inspektimit

         Transparenca sigurohet përmes përgjegjësisë më të madhe e më të vetëdijshme të drejtuesve të Organizmave operative, por në kuadrin e Guvernatoratit, themelohet edhe një Njësi Kontrolli dhe Inspektimi. Detyra e saj do të jetë verifikimi i zbatimit të normave dhe të procedurave, si edhe vlerësimi i efikasitetit të veprimtarisë së vetë organizmave.

Decentralizim i moderuar

         Normativa e re synon drejt një decentralizimi të moderuar, duke vetëdijësuar drejtuesit e zyrave të ndryshme, të cilët do të përgjigjen për aktet e veçanta, për rezultatet e arritura në krahasim me objektivat, për sigurinë e vendeve të punës dhe për mbrojtjen e informacionit.

06 dhjetor 2018, 17:00