Kërko

 2018.12.31 Alessandro Gisotti  drejtor ad interim i Sallës vatikanase të Shtypit 2018.12.31 Alessandro Gisotti drejtor ad interim i Sallës vatikanase të Shtypit 

Dorëheqja e Drejtorit dhe zëvendës-drejtoreshës së Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë

Pas dorëheqjes së drejtorit dhe të zëvendës-drejtoreshës të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessando Gisotti emërohet drejtor ad interim.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku pranoi kërkesën për dorëheqje të drejtorit dhe të zëvendës-drejtoreshës të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Greg Burke dhe Paloma García Ovejero, dhe emëroi  drejtor ad interim, Alessandro Gisotti-n, deri tani koordinator i Social Media të Dikasterit për Komunikimin.

Dy fjalë për drejtorin e ri

Alessandro Gisotti, lindur në Romë, 44 vjeç, është i martuar, me dy fëmijë. I lauruar në Shkenca Politike pranë Universitetit “La Sapienza” të Romës më 1999, është gazetar profesionist. Pas përvojës në Zyrën për Informim  të Kombeve të Bashkuara, në Romë, në vitin 2000 nisi punën si redaktor në Radio Vatikan. Ndoqi veprimtarinë e tre papëve, në Romë e edhe në shtegtime të ndryshme apostolike: nëpër botë e në Itali.

Nga viti 2017 punon si koordinator i Social Media të Dikasterit për Komunikimin e Selisë së Shenjtë. Është autori i shumë shkrimeve, posaçërisht i vëllimit “Dekalogu i komunikimit të mirë, sipas Papës Françesku”, botuar më 2016, me parathënie të kardinalit Luis Antonio Tagle. Pati privilegjin - siç pohon ai vetë - të mësojë edhe në një “shkollë” tjetër. Në atë të atë Federico Lombardit, duke qenë pranë tij për më se 20 vjet.

31 dhjetor 2018, 15:39