Cerca

Vatican News
Kongo Kongo  (AFP or licensors)

Selia e Shenjtë: pasuritë njerëzore dhe natyrore të Afrikës

Me rastin e debatit mbi paqen dhe sigurinë në Afrikë, që u zhvillua të martën, në selinë e OKB-së, në Nju Jork, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Këshillin e Sigurimit, imzot Bernardito Auza, kërkoi një hap cilësor për të mbështetur zhvillimin e kontinentit.

R.SH. - Vatikan

“Pasuritë e shumta natyrore të Afrikës kthehen në mallkim kur shfrytëzimi i tyre nuk shkon në favor të njerëzve, ose, edhe më keq, kur luftrat dhe konfliktet përkeqësohen e, madje, provokohen vullnetarisht për të shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme e të dhunshme këto burime të çmuara”. Kjo është thirrja e fuqishme e Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, imzot Bernardito Auzës, gjatë debatit të hapur mbi paqen e sigurinë në Afrikë, të martën, në Nju Jork.

Peacekeeping është mundësi për bashkëpunim

         Prelati u përqendrua kryesisht në rolin dhe në rëndësinë e operacioneve të “peacekeeping” (paqeruajtjes) të OKB-së në zona të ndryshme të nxehta të kontinentit: impenjim i domosdoshëm, por jo pa pengesa e rreziqe. “Në një botë gjithnjë e më të copëzuar – vërejti kryeipeshkvi – operacionet për ruajtjen e paqes përbëjnë mundësi konkrete bashkëpunimi për bashkësinë ndërkombëtare”. “Shumë burra dhe gra ndërtojnë ura me flamurin e Kombeve të Bashkuara”, duke përballuar shumë sfida e duke vënë në rrezik jetën. Sipas imzot Auzës, termi “peacekeeping”, pra, ruajtja e paqes, mund të jetë i papërshtatshëm për të përshkruar situata, në të cilat qëndrueshmëria, pajtimi e, për rrjedhojë, paqja, janë objektiva ende të largët.

Nevojitet një hap cilësor në impenjimin kolektiv për zhvillimin

         Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë përmendi ato vende të Afrikës, në të cilat “grupe të armatosura dhe organizata terroriste, shpesh të manipuluara nga intriga politike të brendshme, ose të jashtme, shkaktojnë paqëndrueshmëri dhe kaos”. Që këtej, thirrja drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për të investuar ekonomikisht në programe zhvillimi, pasi në nivelin global, shumat e përdorura për këtë qëllim janë jashtëzakonisht më të vogla se ato të përdorura në fushën ushtarake. Selia e Shenjtë kërkon një hap, madje, një hop cilësor në impenjimin kolektiv, sidomos, në favor të “popullsive të reja e aktive afrikane, që meritojnë të kenë arsimim më të mirë dhe punë me dinjitet”. “Pa perspektiva – vërejti imzot Auza – të rinjtë e të rejat mund të bëhen viktima të shfrytëzimit e të dhunës”. Përfaqësuesi i Vatikanit e nxiti bashkësinë ndërkombëtare “të krijojë, përmes operacioneve të peacekeeping, një bashkëpunim më të madh me popullsitë vendase, për të shfrytëzuar si duhet pasuritë e paçmueshme – njerëzore dhe natyrore – që ka kontinenti afrikan”.

22 nëntor 2018, 17:40