Kërko

 Lufta I Botërore Lufta I Botërore 

Selia e Shenjtë: gjaku i të rënëve në Luftën e Madhe i dhashtë forcë paqes

Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së së New Yorkut, imzot Auza, kujtoi njëqindvjetorin e mbarimit të Luftës I Botërore, në përfundim të një koncerti, gjatë të cilit u luajt Requiem i Mozartit në re minore

R. SH - Vatikan

“Urojmë që gjaku i miliona të vdekurve për shkak të Luftës I Botërore ta nxisë  angazhimin tonë për ndërtimin e kulturës së paqes afatgjatë!”. Duke kujtuar tragjeditë e luajtura në skenat e luftërave të djeshme e të sotme, kryeipeshkvi Bernardito Auza, i përshëndeti me këto fjalë, ata që morën pjesë, më 12 nëntorin e kaluar, në  koncertin e Requiem  të Mozart në re minore, organizuar në Selinë e Kombeve të Bashkuara, me rastin e përkujtimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës I Botërore.

Një mbrëmje muzikore, organizuar nga Selia e Shenjtë së bashku me Urdhërin Sovran të Maltës dhe Prioratin  e Shën Gjonit në SHBA, për të kujtuar të vdekurit gjatë Luftës së Madhe, me një vepër muzikore, të cilën  prelati e quajti një nga më prekëset, që u shkruan ndonjë herë për t’i ndihmuar njerëzit të qajnë me lot shprese! Muzikë, e cila ndihmoi mijëra vetë - vërejti - të gjejnë një farë kuptimi për të vdekurit e tyre të dashur.

Atmosferë e jashtzakonshme, në Sallën, ku buçitën fjalët, e sidomos tingujt, e kësaj muzike, krijuar në rrethana rrënqethëse, që të kujtonte një botë, e cila i jipte fund luftës, pasi kishte mbuluar gjithë koren e vet me varreza:

Jepjua, o Zot, pushimin e pasosur! - jehonin në sallën e Pallatit të Qelqit fjalët e muzikuara me aq art:

“Dëgjoje lutjen time! Tek ti, o Zot  kthehet çdo  i vdekshëm

Do të vijë Dita e zemrimit hyjnor.

E i madh do të jetë tmerri,

kur të arrijë gjykatësi,

rreptësisht për të vlerësuar gjithkënd edhe gjithçka!

Boria, me tinguj të mprehtë, të padëgjuar

thekshëm do të bjerë ndër varreza,

rrokull gjithë botës,

e të gjithë do të dalin para fronit!

Tmerruar do të jenë Vdekja edhe natyra,

atë çast, kur  rrasat të flaken

e të gjitha krijesat të ngjallen

 për të dalë para Gjyqtarit!”.

E gjithë kjo u kujtonte spektatorëve pasojat e luftës e nevojën urgjente të paqes, dje e sot,  kur - siç theksoi imzot Auza - puna jonë në OKB për të parandaluar gjëmën e luftës e për të promovuar ndërtimin e paqes, është fryt lindur nga pema e rritur prej hirit të dy luftërave të mëdha:

“… Drita e pambaruar ndritët mbi të rënët, o Zot,

e mëshira jote mbi të gjallët,

që të mos ketë më kurrë në botë kaq varreza,

po përmbi ta të lulëzojë paqja aq e dëshiruar nga të gjitha breznitë!

– jehonin në sallë tingujt  e muzikës së pashoqe.

Të mësohet nga gabimet e së kaluarës, për të krijuar kulturën e paqes

Nëntë milionë ushtarë e shtatë milionë civilë, bilanci dramatik i Luftës së Madhe, të cilëve u duhen shtuar edhe miliona jetë të tjera njerëzore të këputura në lule të moshës nga lufta - pohoi Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë -  që deshi t’i kujtonte të gjithë, pa harruar as skenat e gjakosura të konflikteve të sotme, e  as urimin që të mësohet nga gabimet e së kaluarës, për krijimin e kulturës së vërtetë të paqes.

“I ndritët drita e pamabaruar të vdekurit, sepse ti je i mëshirshëm, o Zot” – jehonte në Sallën e Pallatit të Qelqit muzika, ekzekutuar nga Symphony Orchestra, kënduar nga Kori i Oganizatës së Kombeve të Bashkuara e nga Chamber Choir Ispire. Drita e pambaruar, të vdekurve në Luftën e Madhe për pushtime! E gjaku i tyre i dhashtë forcë paqes!

14 nëntor 2018, 17:13